Nga shtëpia botuese « Le Petit Véhicule » të qytetit Nantë në Francë, doli libri me poezi i poetit Agim Vinca me titull « Une cloche à ton cou » (Kambanë në qafë).
Libri është botim dygjuhësh: shqip-frëngjisht dhe përmban dyzetë poezi, kurse poezitë në frëngjisht janë përkthyer nga Aleksandër Zoto.
Libri shoqërohet me një parathënie nga botuesi Luc Vidal (Lyk Vidal), ku poezia e Vincës vlerësohet si « poezi e metaforave goditëse dhe e një lirizmi drithërues ». Libri përmban ilustrime të piktorit shqiptar Anastas Kostandini-Taso, të punuara sipas motiveve të poezive: Zogjtë, Baladë për Malin e Thatë, I jashtëzakonshëm, Psalm për Shën Naumin, Plepat e vendlindjes, Udhëtimi i fundit i motrës sime, Qentë e Sodomës, Të shkosh në Pogradec, Ç’ka që vajton kjo erë e marrë, Sërish, Kur jam me ty, Te Kulla e Ejfelit dhe Ode biçikletës sime. Në fund të librit janë vënë edhe shënimet për autoritn, si dhe për përkthyesin dhe ilustratorin.
Libri është një botim luksoz, me letër cilësore, i qepur me penj sipas mënyrës kineze dhe kushton 25 euro.
*****
NJË POET DHE NJERI I LIRË
Parathënia e librit “Une cloche à ton cou” (Kambanë në qafë) të Agim Vincës, botuar nga shtëpia botuese “Editions du Petit Véhicule”, në Nantes (Francë)
Poezitë e Agim Vincës, të përkthyera nga Aleksandër Zoto, kanë peshën e tyre të jetës dhe të përvojës së thellë. Agim Vinca e di se ç’do të thotë të jesh një poet i lirë, si ta kishte bërë të vetën thënien e poetit të madh francez Robert Desnos, se: “Nuk është poezia e lirë, jo, por poeti vetë”. Të jesh poet do të thotë të jesh fanar që bën dritë në errësirë dhe t’ua zgjasësh dorën njerëzve në vështirësi e mynxyrë; t’u ndihmosh grave e burrave që bredhin rrugëve të ekzilit a eksodit… Poetët janë si zogjtë, janë “ambasadorë të qiellit”.
Poezia e Agim Vincës është dritë vëllazërore dhe e afërt me shpirtin e popullit të tij. Ajo gjurmon pa lëshuar pe, por me zemër të hapur e me shpirt, të gjitha ndryshimet e mendimeve dhe të veprimeve të saj, mjaft që të forcojë lirinë dhe vullnetin për të qëndruar në këtë botë. Poeti hulumton kuptimin e fjalës atdhe dhe mënyrën e urtë se si t’ia shpjegojë të birit këtë fjalë. Poeti jeton mes njerëzve, por ai është gjetiu. Poezia e Agim Vincës vihet në mbrojtje të njeriut të lirë dhe ngrihet kundër të çdo diktature. Nëpërmjet poezive të tij të bukura, ai prek historinë dhe përçon frymën e një poezie universale. Si një Robert Desnos (Robert Desnos), një Guillaume Apollinaire (Gijom Apoliner), një Benjamin Fondane (Benzhamen Fondan), një Charles d’Orléans (Sharl d’Orlean), një Max Jacob (Maks Zhakob) Agim Vinca falënderon nga thellësia e zemrës ata prej të cilëve ka mësuar për të qenë këtu dhe për ta bërë poetin një njeri të lirë.
Në poezinë e mrekullueshme Plepat e vendlindjes, ai komunikon me vëllezërit e tij, në burgun e tmerrshëm të Idrizovës, në Shkup. Bredhës dhe endacak, poeti e afron botën falë qëndresës së tyre të gjallë e të patundur. Poezia e Vincës të ngjall shpresë. Pogradeci ngjan me një parajsë që do rizbuluar me të gjitha mënyrat e udhëtimit: shpirtërore, metafizike, natyrore ose me biçikletën-pegas, për t’u bërë Zog i Qiejve. Metaforat e tij janë goditëse dhe tërheqëse. Lirizmi i tij është drithërues. Poeti është një “Shqytar i marrë, Ikar pa fletë”, një shtegtar i përjetshëm vatra e të cilit u ofron kalimtarëve një sofër bujare.
(Përktheu: M. Stavileci)
