Agjencia e Zonave të Mbrojtura: Zjarrvënie të qëllimshme për të dëmtuar masivin pyjor të Rrajcës, rrezikohet parku “Trashëgimi Botërore e UNESCO-s”

Edlira Shehu

Gjashtë vatra zjarri janë evidentuar në pak orë gjatë pasdites së martë në masivin pyjor të fshatit Rrajcë-Skënderbej. Zjarret janë shfaqur kohë pas kohe në disa zona në largësi 500 m-1000 m larg njëra tjetrës duke krijuar një situatë mjaft problematike  në masivet pyjore të fshatit Rrajcë Skënderbej në Njësinë Administrative Rrajcë të Bashkisë Përrenjas në orët e vona të pasdites së martë.

Fillimisht u evidentuan dy vatra zjarri dhe më pas u shfaqën edhe katër të tjera të cilat kanë djegur  një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Sipas inxhinierit Fatmir Brazhda, Drejtor i Zonave të Mbrojtura Qarku Elbasan, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej 20 hektarësh pyje i përbërë me dushk dhe ah e cila ndodhet mbi fshatin Rrajcë Skënderbej, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë.

Rrezikohet zona UNESCO-s, ku zjarri ndodhet rreth 1.5 km larg. Aktualisht rreth 50 punonjës të ADZM Elbasan dhe i gjithë stafi i Bashkisë Përrenjas po punojnë për izolimin e të gjitha vatrave të zjarrit të cilat për shkak të erës janë ende mjaft aktive.

Të gjashtë vatrat e zjarrit sipas Inxhinier Fatmir Brazhda, dyshohet që janë  të qëllimshme për shkak se janë vendosur  larg njëra-tjetrës dhe të shpërndara në mënyrë të tillë që të përfshijnë një sipërfaqe mjaft të madhe dhe të shkatërrojnë zonën e mbrojtur.

“Jemi përballë një krimi mjedisor të mirëorganizuar,- deklaroi Brazhda- dhe në kohë rekord shpresojmë që keqbërësit të identifikohen dhe të përballen me ligjin”.

 

e.sh/Dita

Share This Article
1 Comment
  • Sali Berisha i vuri zjarrin gjithe Shqipersie me 1997;
    tani eshte gati t’i vere zjarrin gjithe botes per te ziere vezen e vet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *