Agolli: Më mirë një qeveri me figura të reja

anazapta

Partiarku i socialistëve, Dritëro Agolli, vlerëson ndërtimin e kabinetit “Rama” me figura të reja. Në një intervistë për “Panoramën”, Agolli shprehet se më shumë se sa termi “rilindje”, rotacionin politik e përshkruan termi “Rimëkëmbje.

“Më mirë do jetë me figura të reja, sepse do ta fillojnë nga e para dhe nuk do të jenë rutinë, siç ka bërë paraardhësi të bëj dhe unë. Më mirë që janë të rinj, ta fillojnë nga e para dhe të jenë me entuziazëm. Rilindje është një gjë shumë e madhe, nuk ndodh gjithnjë rilindja. Nëse do ta përdorim si kapërcim të sistemeve, nëse do të kalonim nga sistemi socialist në atë kapitalist, të ekonomisë së tregut, termi “Rilindje” do të ishte i goditur. Por, ne sot jemi brenda të njëjtit sistem dhe nuk po ndryshojmë sistemin tonë ekonomik dhe politik, jemi brenda ekonomisë së tregut. Rilindësit përdorën termin “Rilindje”, sepse ishte një zgjim dhe dalje nga Mesjeta, nga inkuizicioni dhe revokuan vlerat më të mëdha kombëtare. Rilindja jonë ishte shpëtim nga pushtuesi shekullor turk. Naimi thoshte “Dielli lind andej nga perëndon”. Më shumë, për mua, termi duhet të ishte “Rimëkëmbje”. Nuk do të shkojmë në krijimin e një sistemi të kundërt me ekonominë e tregut ku jemi futur”, thotë ai.

I pyetur nëse Lulzim Basha do të sjellë risi në drejtimin e PD-së tashmë në opozitë, Agolli thotë se shqiptarët janë të paparashikueshëm , por shprehet se ka besim se të rinjtë në përgjithësi e ndryshojnë gjendjen.

“Në kuptimin e përmbysjeve të gjërave. Në Pogradec unë kam vite që shkoj. Liqeni është shumë i qetë. Papritur fillojnë dhe dalin pulëbardhat. Po dolën ato, fillojnë dallgët. Shqiptarët janë të papritur, nuk mund t’i parashikosh siç është dhe koha, që është e paparashikuar. Nuk mund të them se ç’mund të ndodhë në këtë botë, megjithatë kam besim se të rinjtë do ta ndryshojnë gjendjen, pasi ata janë të prirur drejt së resë”.

Share This Article
1 Comment
  • i nderuar dritero te behet ashtu si thoni ju po me saliun neper kembe e ka te veshtire jo vetem ai por gjithe ata qe ndjekin keta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *