Trajneri i Partizanit, Andrea Agostineli, sot u paraqit në konferencë për shtyp para ndeshjes më të madhe të sezonit, derbin me Tiranën. Për teknikun italian është konferenca e parë për shtyp para një sfide, çka tregon se ai i jep rëndësi këtij dueli dhe natyrisht që do me patjetër të vazhdojë fitoret e “demave” përballë rivalëve të përbetuar.
“Para derbit, të gjitha skuadrat janë nën presion. Megjithatë, ne jemi munduar ta përgatisim këtë ndeshje më shumë nga ana psikologjike, që të mos i ngarkojmë shumë lojtarët. Gjithsecili e kupton se duhet dhënë maksimumi dhe kjo është arsyeja pse trajneri nuk ka pse të përpiqet të shtojë motivimin”, – tha Agostineli para gazetarëve. Për sa i përket duelit me Skënderbeun kryesues, italiani pranoi: “Jemi një hap mbrapa Skënderbeut në luftën për titull.”
