Agostinelli duhet të “ndreqë” mbrojtjen

redaktor

I gjithë fokusi te ndeshja me Skënderbeun. Në kampin e kuq janë përqendruar te ndeshja e madhe e kësaj të premteje në Korçë, e cila është njëkohësisht edhe shansi i fundit i Partizanit për të mbajtur gjallë shpresat, tashmë të reduktuara ndjeshëm vetëm në kufijtë matematikorë për titullin. Skuadrës së Agostinellit i bën punë vetëm fitorja pasi çdo rezultat tjetër zyrtarizon titullin e 6 radhazi në Korçë dhe në pak ditë trajnerit italian i duhet të punojë për të evituar problemet e shfaqura në ndeshjet e fundit, ku mjaft problematike është shfaqur në takimet e fundit veç të tjerash edhe mbrojtja.

Deri para pak javësh konsiderohej si pika më e fortë e të kuqve, por në dy ndeshjet e fundit në derbin me Tiranën dhe disfatën e Bylisit, Partizani ka pësuar 4 gola. Natyrisht që akuza nuk mund të bjerë vetëm mbi një repart, pasi një skuadër funksionon si e tërë por gjatë këtij sezoni Partizani kurrë më parë nuk kishte pësuar nga dy gola në dy ndeshje njëra pas tjetrës. Një sindromë që duhet kuruar menjëherë pasi në Korçë një tendencë e tillë do të ishte fatale, aq më tepër që kampionët krenohen me sulmin më të mirë të Kategorisë Superiore me plot 71 gola të shënuar në 34 ndeshjet e luajtura deri më tani. Bilanci i 3 përballjeve sezonale në takimet direkte të rivalëve për titullin është një fitore 2-1 për të kuqtë, një sukses 1-0 i Skënderbeut dhe një barazim 1-1 i arritur në fund nga korçarët në kryeqytet me atë gol të Vangjelit në minutën e 88-të në “Qemal Stafa”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *