Agronom në fshatin e Mehmet Shehut

Ornela

 Një histori mbresëlënëse e ish-ministrit të Bujqësisë të Partisë Demokratike në gjysmën e parë të viteve ’90. Djaloshi nga Dukati i Vlorës në vitin 1968 sapo kishte mbaruar Fakultetin e Agronomisë dhe e emërojnë agronom në kooperativën e Kutë-Çorrush-Drizarit në krahinën e Mallakastrës. Pra, në fshatin e Kryeministrit Mehmet Shehu, të cilin bashkëfshatarët e agronomit e kishin pritur me pushkë Brigadën e parë të drejtuar nga Mehmeti. Peripecitë e rimëkëmbjes së koopërativës dhe vizita e paharruar e Mehmetit në vendlindje. Çfarë i tha agronomit nga Dukati dhe si reagoi ai…

Përgatiti për botim Xhevdet Shehu

… Më emëruan në kooperativën bujqësore Kutë-Çorrush-Drizar, në krahinën e Mallakastrës. Unë nuk kisha kaluar ndonjëherë andej, por nga Sevasteri i Vlorës isha i orientuar ku ishte dhe ç’pozicion gjeografik kishte.

Disa specialist të njohur fierakë, kur u thashë ku më kishin emëruar, më uronin dhe me shumë kujdes, për të mos më dekurajuar, më thoshin se atje shumë agronom kishin dështuar e ikur pa e mbaruar detyrën.

Kjo kishte ndodhur se ishin shumë të vështirë në të komunikuar me banorët. Ata ishin edhe shumë ironikë me të panjohurit.

Më 4 shtator 1968 u nisa me autobusin e vetëm, që vinte në Fratar, qendra e lokalitetit, i cili ishte 50 km larg, me rrugë gjithë kthesa dhe relativisht malore. Pasi kaluam kthesën e Patosit, kaluam nëpër Ballsh (qendra e Mallakastrës së sipërme), mbërritëm në Fratar. Atje, me disa fshatarë, që ishin nga Kuta, u nisa për në qendër të kooperativës. Kaluam qafën e lagjes Tatoshaj të Bejarit, lamë majtas lagjen Zhupanat të Kutës, kaluam në lagjen Hysenaj të fshatit Drizar dhe, pas një orë e gjysmë, mbërrita në qendër të Kutës. Zyra një katëshe, me dysheme balte, vetëm një dhomë, ku punonin të gjithë: kryetari, agronomi, kryellogaritari, arkëtarja dhe po kështu edhe ndonjë specialist tjetër i përkohshëm. Përballë ishte zyra e këshillit të fshatit Kutë. Pranë zyrave ishte një pemë mani, ku tirreshin të gjitha muhabetet e mbahej në gojë i gjithë fshati. Pra, ai ishte si model i thashethemeve të zonës. Të gjithë ishin në gatishmëri luftarake, me rastin e daljes nga traktati i Varshavës, dhe dyshohej për ndonjë sulm të mundshëm. Për këtë ishte mobilizuar e gjithë popullsia e aftë për luftë, për gati 20 ditë.

Më priti shefi i financës Gjysho Shahini, nga lagjja Zhupanat, e cila ishte larg një orë nga qendra. Gjyshua e bënte çdo ditë vajtje ardhje në këmbë. Gjyshon nuk e kishin mobilizuar se ishte me raport mjekësor. Më priti mjaft mirë, kishin marrë njoftim për emërimin tim, më rregulloi një krevat, dyshek, jorgan, çarçaf, jastëk të mirë, që më vonë mësova se kishin qenë në pronësi të teqesë së famshme të Drizarit me Dede Ahmetin nga Bratajt i Vlorës. Me e ndërprerjen e aktivitetit fetar në Shqipëri, ai, me shumë korrektesë, u kishte dorëzuar autoriteteve gjithë objektin e teqesë dhe inventarin e bollshëm të saj, nga e cila përfitova edhe unë, që fjeta në to për tetë vjet.

Kuta është një fshat me tre lagje brenda fshatit dhe lagjet Rramuçaj, Zhupanat, Mali i Thanës dhe Çifl ig, ku kishte qenë edhe teqeja e Kutës. Lagjja “Mali i Thanës” ishte ndarë në mes me Çorrushin, sepse në vitin 1943 ishte bërë një luftë ndërmjet fshatrave në atë territor. Mehmet Shehu, për të shuar sherrin kishte ndërhyrë për ta ndarë lagjen në dy pjesë.

Fshati kishte rreth 300 shtëpi, që ishin në këmbët e kodrës së Drizarit, me shikim drejt jugë-perëndimit. Vendvendosja e fshatit ishte e pjerrtë dhe në fund ishte një fushë pjellore, me rreth 300 ha. Më tej lumi Vjosë, që ndante rrethin Vlorës me atë të Fierit. Përballë, nga jugu drejt perëndimit fshatrat: Shkozë, Golimbas, Sevaster, Dushkarak, Gorrisht. Përballë ngrihet mali i Tartarit, që ishte edhe si qendër sinoptike për zonën. Mbi të kishte një vend të shenjtë Bektashian, që quhej “Kurora e Malit”. Në një datë të caktuar aty vinin e bënin kurban derisa funksiononte feja. U riaktivizua pas vitit 1990.

Fshati para çlirimit kishte pasur pesë lokale. Në to burrat luanin kumar e pinin raki. Kur vajta unë kishte vetëm një dyqan ushqimor. Është interesante se edhe në Dukat kishte pasur pesë klube, e burrat bënin të njëjtën gjë si në Kutë, pinin raki dhe luanin kumar. Punonin kryesisht gratë. Në të dy fshatrat si në Dukat edhe në Kutë, manifestohej një ironi therëse, sidomos ndaj atyre që shisnin mënd. Atje gjente zbatim perfekt shprehja: “të prisnin sipas veshjes, e të përcillnin sipas sjelljes”.

Tregonin se kishte vajtur një i deleguar të mblidhte prodhime bujqësore për tregun e Fierit. Natyrshëm, duhej të mblidhte në territorin që kapte rrethi i Fierit e jo në atë të rrethit Vlorë. Banorët, duke e parë se ishte pak mendje lehtë, i thonë: “këtu ka e nuk ka, po në Gorisht përballë, ka me shumicë“. Ai, si i lehtë që ishte, u thotë: si mund të vete atje?. “Oooou, – i thonë, – kalo lumin dhe hidhu matanë. Po të japim një djalë të të shoqërojë”. Djali e shoqëroi, kaloi brezin e parë të ujit të lumit, që ishte i mundshëm për të kaluar e i thotë të ardhurit, “ikë tani se nuk ka më ujë!” Uji nuk dukej se distanca e madhe zhavorrit, nuk lejonte të shihej dega tjetër, më e madhja, e lumit. Kur ecën rreth gjysmë ore, i del përpara lumi real, që nuk mund të kalohej, u kthye mbrapa, po e zuri nata. Vendin nuk e njihte e filloi të bërtiste për ndihmë, derisa i dërguan një djalë dhe e morën. Ë strehuan e i thanë: “mos bëj më gafa të tilla, se ti je për Fierin jo për Vlorën”.

Situata në kooperativë ishte dramatike, jo vetëm se ishin në zbor, por kooperativa kishte mbetur pa drejtim. Byroja e partisë, kryesia e kooperativës dhe këshilli ishin shkarkuar nga një ekip, i dërguar direkt nga Mehmet Shehu, pa kaluar në komitet të partisë dhe komitetin ekzekutiv, por drejt e në fshat. Kjo kishte ndodhur pas një letre anonime, që kishte marrë ai. Unë synoja të bisedoja me ish drejtues të shkarkuar, por ata hezitonin të flisnin, se kishin humbur të drejtën për të dhënë mendim. Në të njëjtën kohë ishin edhe qejfmbetur për mënyrën e shkarkimit, pa i dëgjuar të gjitha palët.

***

Me leximin e “Dimrit të madh” të Kadaresë, (ia kisha lexuar të gjitha botimet, që kishte bërë deri atëherë), kuptova, pa ia shprehur kujt, disidencën e tij ndaj sistemit. Kur lexoj sot “kritikët” e Kadaresë më vjen shumë keq, që ata kanë dashur që Kadareja të ishte vrarë ose burgosur që të quhej i madh dhe antikomunist. Por ai mbijetoi, falë aftësive të tij. Kam lexuar e stërlexuar autorët e mëdhenj të vjershërimit si Ali Asllani, Eseninin, Pushkinin, Lermontovin etj.

Në radio dëgjova në vitin 1972, festivalin e 11-të dhe u mbusha me optimizëm se diçka po ndryshonte në vend. Këtë ia kam thënë një shoku tim. Ai më porositi të mos luaj me zjarrin. Kur u anatemua ai festival, unë pak a shumë isha i përgatitur se do të ndodhte diçka patjetër. Rastësisht një ditë takova Jakov Xoxën, vëllain e të cilit e kisha pasur pedagog. Personi, që e shoqëronte deshi të ma prezantonte. Por unë, pa e lënë atë për prezantim, i drejtohem Jakovit e i them: “Ç’do këtu “Juga e bardhë”, apo të thajë ”Lumin e vdekur”, që të çel “Lulja e kripës”. Jakovi u kënaq, që unë ia njihja botimet e tij si isha informuar edhe për planet e tij botuese për të ardhmen..

***

Në fshatin Drizar, që ishte rreth 30 minuta nga qendra e Kutës, kishte më pak popullsi, më pak brigada si edhe më pak tokë, e cila skeletike e gurishtore. Atje kishim katër brigada, një përgjegjës, që ishte edhe n/kryetarë, jo funksionarë, i kooperativës, i cili quhej Temo Skëndo, për të cilin kam shkruar më lartë. Në sektor punonte llogaritarë Nevrus Shehu, me të cilin më vonë patëm edhe kemi lidhje edhe sot, pas 40 vjetësh. Kushëriri i tij Arshi Shehu, ishte elektricist edhe sekretarë partie, njeri me bonsens për detyrën politike që kryente. Në këtë fshat është teqeja e ngritur nga Dede Ahmeti, në një vend shumë të egër, dhe si rezultat i punës dhe i mençurisë së Dedeit, ishte kthyer në një kopsht të lulëzuar. Një ditë çova brigadierët e sektorit atje dhe u thashë: e shikoni ç’bën puna dhe mëndja e njeriut, gurin e kthen në tokë pjellore, si është kthyer këtu. Disa dashakeqës e interpretuan sikur unë bëra propagandë fetare me këtë prezantim, gjë që nuk ishte e nuk është as sot e vërtetë.

Një moment dramatik kaloi ky sektor, kur një blegtor nga mëhalla e Kovaçit, duke kërkuar një dhi të mbetur në një shkëmb, rrëzohet dhe vdes. I bëmë një ceremoni madhështore përcjelljeje, ashtu si duhej bërë, por në këtë fatkeqësi nuk munguan as thumbat. I vëllai i viktimës në fund thotë: “ju bëj thirrje që të ndjekim të gjithë shembullin e vëllait tonë”. Tafil Zylua, nga mëhalla e mesme më afrohet e më thotë: “po, të gjithë nga shkëmbi duhet të biem ne!?“. Mos, more burrë i thashë se jemi në fatkeqësi, e ai ishte i hutuar që u shpreh ashtu. Për rastin e aksidentit vjen një gazetar i Zhenminzhibaos, organ i partisë komuniste të Kinës dhe bëri një reportazh shumë të mirë. Në kthim, rastësisht tek rrapi i Vodicës takon Mehmet Qerimin, nga Çorrushi, teknik pyjesh, i cili e pyet gazetarin: “Ç’kërkon Niksoni në Kinë?” Gazetari i tmerruar i thotë duke ikur me vrap: “e di Maua, e di Maua”!

Nga sektori i Drizarit varej edhe një terren fushor në vendin e quajtur Poçem, vendi ku Mehmet Shehu, më 14 korrik 1943 bëri besëlidhjen e mallakastriotëve në luftën kundër okupatorit. Aty buron edhe një ujë shumë i mirë (nga ky burim furnizohet tani edhe Ballshi me ujë), që ne e përdornim për bluarjen e miellit në një mulli me tre gurë. Mullirin e punonte dhe mirëmbante Muharrem Danua nga Drizari, djali i Idriz Danos. Atje, ai veç bluarjes mbante pula shqerake, bënte ndonjë kulaç me miell të situr, prodhonte, apo edhe i çonin nga pak raki për shërbimin që u bënte me bluarjen e bereqetit dhe më ftonte mua shpeshherë për të kaluar drekën. Nuk numërohen drekat që kam kaluar atje, po i kujtoj me shumë nostalgji për sinqeritetin e këtij njeriu, që unë nuk i bëja dot asnjë gjë në ndihmë të tij se babanë e tij, që në fillim kishte hapur shkollën e parë shqipe në Fratar, që kishte ndërtuar një mulli bloje me karburant, që kishte qenë fanolist e kishte marrë arratinë nga Zogu për pesë vjet në Francë, që zotëronte pesë gjuhë të huaja, që Zogu e fali dhe e ngarkoi me detyra të ndryshme në qeveri sipas kualifikimit të tij. Në vitet e Luftës, mori pjesë në ekipin nacionalistë të Mukjes dhe ende pa u prishur marrëveshja, të gjitha palët e zgjodhën kryetar këshilli.

Me prishjen e marrëveshjes, ai qëndroi në punë të tij, por një skuadër partizane e merr dhe e pushkaton në kufirin ndërmjet Çorrushit dhe Kalivaçit të Tepelenës. Kjo u rëndoi gjithë jetën pasardhësve të tij,megjithëse Drizari e sidomos të moshuarit, ja dinin bëmat e tij dhe ishin të kujdesshëm me fëmijët, “militantët”, u binin më qafë.

***

Mehmet Shehu, kishte ardhur në Çorrush për herë të fundit në vitin 1964, vit i madh krize për të cilën i ankoheshin moshatarët e tij dhe ai deklaroi, se nuk do të shkel më në kooperativë në rast se nuk përmirësoni gjendjen. Ai nga larg e ndiqte ecurinë e kooperativës dhe për të marrë të dhëna më të sakta në vitin 1972 dhe 1973, nëpërmjet së shoqes Fiqret Shehut, që ishte drejtoresh e shkollës së partisë, nis studentët e kësaj shkolle për “punë” në prodhim nga 15 ditë. Vinin rreth 10-15 veta të fushave të ndryshme, filozofi, ekonomi, kulturë etj. Drejtohej ekipi nga Munir Çomo, Zv. Drejtor i shkollës së partisë, nga Libohova e Gjirokastrës, një burrë shumë i komunikueshëm me të gjithë. Kur kishin pushim rrinin në dhomën time e bënin debate, në të cilat unë nuk futesha se ishin delikate për kohën. Kur mori vesh nga isha, Muniri më thotë: në fshatin tuaj më janë vrarë dy vëllezër, njëri 18 e tjetri 17 vjeç partizanë. Nëna na thoshte merrini nuset nga të doni, po nga Dukati –jo! Çuditërisht vëllait tim, i ra që të merrte gruan nga Dukati…

Studentët, merrnin pjesë në të gjitha aktivitetet, partie, këshillash, kryesie, brigadash, rinie, shkolla, nëpër shtëpia, e kudo mbanin shënime, që në fund ja përcillnin komitetit të partisë së rrethit dhe drejtoresh së tyre Fiqiretit, që me siguri ja përcillte Mehmetit. Ndërkohë unë isha takuar me të dy vëllezërit e Mehmetit, Arshiun, që banonte në Fier dhe Duron që banonte në Tiranë dhe ishte komisar i aviacionit të Shqipërisë. Më kishin folur me dashamirësi dhe më kishin inkurajuar në punën time.

Kur në fund të vitit 1971, vlefta e ditë punës arriti 105 lekë dhe u shlyen të gjitha detyrimet e trashëguara nga Çorrushi, ekonomia mori frymë dhe filloi të mendoj për më tej.

Në fund të vitit 1972 vlefta e ditës së punës arriti 130 lekë dhe u sigurua fond i garantimit të pagës… Kështu dhe më 1973…Në  këto  rrethana na lindi e drejta morale të ftonim kryeministrin e vendit, Mehmet Shehun, birin e Çorrushit,  për  vizitë.  Për  këtë,  pas  konsultimeve  me  komitetin  e  partisë, u formulua dhe iu dërgua një letër, ku vihej në dijeni për arritjet dhe çfarë parashikonim për të ardhmen dhe në fund, i bënim ftesën për të na vizituar kooperativën. Ai e pranoi atë, por me një letër na e la, që, do ta caktonte kohën më vonë. Me atë letër në çantë, unë shkoja ndërmarrje më ndërmarrje, që të na ndihmonin për të zgjidhur problemet, që kishim e në kushte normale nuk na i zgjidhte njeri. Çdo ndërhyrje, që bëhej shtonte të ardhurat, pakësonte shpenzimet. U pajisëm me dy makina transporti, aq të nevojshme për distancën tonë nga Fieri.

Në vitin 1974 na erdhi, lajmi, jo zyrtar që kryeministri sivjet do të vinte, pa na thënë datën. Një javë para ardhjes në kooperativë Pirro Gusho, pothuajse vinte çdo ditë merrej me detajet më të vogla të pritjes. Përcaktuam pozicionet e vendosjes së njerëzve, sipas detyrave dhe pëlqimit të mikut, që i merrnim me mend. Pirro Gusho pati rolin e madh të mbarëvajtjes së kësaj vizite.

Më 31 gusht 1974 ora 9  mbërrin në kooperativë Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, dy djemtë e tyre i madhi dhe i vogëli, me eskortën e shoqërimit të tyre si edhe Pirro Gusho dhe nënkryetari i rrethit, Myrteza Sinoimeri, nga Gjirokastra, në vend të Myzafer Trebeshinës, kryetarit të komitetit, që kishte një detyrë  të  vënë  nga  vet  kryeministri dhe nuk mund të vinte. Pas kaq vjetësh të mburresh e të thuash që nuk u kënaqëm për vizitën e tij do të bënim hipokritin dhe disidentin pa qenë të tillë. Kishte dalë gjithë populli i Kutës dhe Drizarit në pritje në Kutë. U futëm në zyrën e  sajuar, në  krye Naimi, anash djathtas  Mehmeti, më poshtë, Fiqreti, Xhevati, Myrteza Sinoimeri nënkryetarë i rrethit, ndërsa në krahun tjetër,  majtas Naimit, Sadik Jonuzi nga Bregasi i Çorrushit një moshatarë, që e pëlqente Mehmeti, e vinin me  radhe,  Pirro Gusho, sekretari i parë, kryetari i këshillit të bashkuar, kryetarja e gruas e frontit, rinisë etj, në një stol mbrapa tyre ishte djali i madh dhe i vogëli i Mehmetit, unë etj.

Filloi  Mehmeti, pas  përshëndetjes,  të  pyes  Naimin  për  kooperativën, ai filloi të fliste shumë i emocionuar dhe, pse të mos themi edhe i trembur, nga hija e rëndë e tij dhe nga nami i hapur si njeri i ashpër. Në  një  moment  Mehmeti e  pyeti:  “kryetar, sa dhi mund të mbajnë kullotat e fshatrave tuaja?. Naimi, ngeci u hutua u skuq dhe nuk po përgjigjej.

– Hë mo xha Sadik, i tha, sa thua ti? – ndërhyri Mehmeti.

– Po, i thotë ai, rreth 3000-3500 krerë.

– Aq mendoj edhe unë, tha kryeministri. – E  mirë, i tha Naimit, – kryetari nuk duhet t’i dijë të gjitha, po ja pyet këta të moshuarit dhe i gjen këta tregues, megjithatë vazhdo.

Naimi, pësoi spazmë në grykë dhe humbi mundësinë e të folurit. U krijua një skenë pak e sikletshme për të gjithë ne.

– Hë mo, fol! – i tha Kryeministri.

Ai hiç. Ndërhyri sekretari i byrosë. Mehmeti i thotë, tani me inat:

– Pusho ti! Mu drejtua mua: – Hë mo, na fol ti agronom, se kryetari u hutua!

U ngrita në këmbë.

– Ulu, – më tha, – fol ulur.

– Jo, – i thashë, – jo që jini mik, por edhe më i madh nga unë, kështu që do të flas në këmbë. Sa pa filluar unë më pyet:

– Nga je?

-“Ëhë”, thashë me vete, filloi drama ime. – Nga Vlora, – i thashë. – Po leri ato, – më tha, – po nga cili fshat i Vlorës? – Nga Dukati, – i thashë.

– Ore, mos e ke shtëpinë atje ku më futën shtatë plumba në këmbë të pantallonave mua?

– Edhe dy në kapotë, – i tha Fiqreti.

– Jo i thashë, e kam tek rruga Vlorë – Llogora, para se të futesh në pyllin e Llogorait.

– Se mos më gënjen, – thotë prapë. I them: “Gënjeshtra 40 ditë e ka për këdo ndërsa për ju e ka 4 minuta, kështu që nuk mund të gënjej”.

Qeshi, ju bë qejfi me përgjigjen dhe unë fillova të flas. Vazhdova hollësisht.

Më thotë: – po, i kam parë nga aeroplani ata kanalet, po atje pse kini mbjell qepë, sikur nuk shkon qepa atje se është fushë? – Jo, – i them, nuk janë qepë, janë presh. – Aa po po dakord, vazhdo!

Pirro Gusho, nga prapa trupit të xha Sadikut, me dorë ma bënte: – Vazhdo, vazhdo fol!

Unë vazhdova deri në hollësi e kur mbarova i them që në rast se ju duhet më shumë për ekspozen e bërë, jam gati.

– Jo jo! – thotë, – mjaft, po dua të di kush janë më mirë: këta dajot e mi të Sevasterit apo ju? (ne dajot i kishim thirrur vetë në takim, po në të njëjtën kohë kishim marrë të dhëna edhe nga Sevasteri).

Ata menjëherë thonë që ne marrim 150 lekë për ditë pune ndërsa këta 140 lek, pra jemi më mirë.

– Po, – i thashë, në pamje të parë kështu të krijohet përshtypja, por treguesit e tjerë na nxjerrin neve më mirë nga të ardhurat për krahë pune dhe për frymë popullsie në vit, – dhe krahasova të dhënat e tyre me tonat.

– Hëë, mo! – u tha, – i jepni përgjigje!

Ata heshtën e pranuan rezultatet.

Me të gjitha këto shpjegime që dhashë, unë kuptova që ai ishte kënaqur. Vemi lart Mapo-s ku ishte mbledhur populli i të dy fshatrave. Rrugës diçka më tha për ullirin dhe unë e kundërshtova teknikisht.

– Ikë more, – më tha, – se ju për dhi dini!- e qeshi.

Në mbledhje foli gjatë sidomos për grupin “armiqësor” të Beqir Ballukut, që për fat të partisë ishte i vetëm. Kur iku ai, i them Xhevatit:

“I vetëm të jetë ai grupi”?

– Rri o rehat ti, apo do ndonjë gozhdë, – më tha Xhevati.

vijon…

Share This Article
4 Comments
  • kisha kohe te mjaftueshme dhe thashe ta lexoj deri ne fund.
    .
    vende vende kishte gjera interesante por ne tre raste eshte “vet-pshurrur “gjithe kjo interviste
    .
    ne rastin kur flet per disidencen e kadarese qe e kishte kuptuar dhe nuk ja kishte thene njeriu
    ..kur flet per festivalin e 11 dhe sidomos ne fund kur i thote Xhevatit .”.I vetem ishte Grupi i Beqir ballukut.?”..
    .
    Ju lutem zoti Xhevo mos poshtero lexuesit e Dites
    sepse ky 2H-ja nuk diskutohet qe ka patur vlera para 1990.
    .por pas 1992
    ky ministri i bujqesise i salise
    duhet denuar me banden e berishes
    qe shqiperia…ekonomia dhe sidomos bujqesia
    u shkaterruan aq shume
    sa dhe serbi me grekun te na kishte pushtuar
    nuk do guxonin me shume…
    ..

  • nga agronom me fshatin e mehmet shehut..ne minister te qeveria e sali plehut
    .
    ju lutem mos bllokoni komentet

    flmndrt !

  • ORE, ATA E BENE JETEN E TYRE, POR BANORET

    E FSHATIN, NUK JA KANE NDRYSHUAR EMRIN

    KESHTU QE EDHE JU RESPEKTONI EMRIN.

    NUK ESHTE VENDOSUR AKOMA TE QUHET

    FSHATI “MEHMET SHEHU”, VAZHDON QE QUHET,

    SIC ESHTE QUAJTUR DERI ME SOT.

    JO PER GJE, PO TREGONI HAPUR SE JENI

    PER TE ARDHUR KEQ.

  • Jam i nji mendje me ju; 2xH , se ministrat sidomos ata te bujqesise te pas viteve “90 duhet te “skanohen”ne veting ,por per Hasan Halilin une do te beja nji perjashtim;(megjithse ai qe ministri qe me pushoi nga puna pa asnji shkak te perligjur , ishte koha e ligjit “Salinjan”24/1 qe shkarkoi ose perzuri nga puna te gjithe specialistet me pervoje te para viteve ’90 dhe i zevendesoi me militantet e P.D.te sapo ardhur ne pushtet.Hasan Halili nuk pati shume kohe per “ndrequr”bujqesine shqiptare se per ta shkaterruar e kishin bere te tjeret perpara tij qysh ne fillim te viteve ’90..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *