Ahmetaj në Prishtinë, takon homologun Hoti

Elton Tafaruci

Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prishtinë, në kuadër të bashëpunimit me Ministrinë e Financave të Kosovës për nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve.

Pas takimit të zhvilluar mes dy Ministrave në Tiranë, para dy javësh, takimi i Prishtinës, është sikundër e quajti Ministri Ahmetaj një takim përgatitor për Mbledhjen e Përbashkët të dy qeverive në 3 qershor, ku do të nëshkruhen dy marrëveshje bashkëpunimi mes dy Ministrave.

Në takimin mes dy delegacioneve, Ministri Hoti tha se bashkëpunimi intensive mes dy Ministrave duhet të shtrihet edhe në nivel teknik, me qëllim harmonizimin e procedurave që cojnë drejt unifikimit të tregjeve tona. Nga ana e tij Ministri Ahmetaj u shpreh se palët do të përgatisin një inventar të arritjeve të deritanishme, nismave në proces dhe propozimeve të reja së bashku me problematikat e ngritura nga sipërmarrja në të dy vendet.

 “Kam kërkuar ofrimin e shërbimit doganor 24 orë në shtatë ditë të javës për eksportuesit” – tha Ministri Ahmetaj, gjë e cila sipas Ministrit Hoti ka pasur një impakt shumë pozitiv tek bizneset kosovare. Po kështu Ministri premtoi lehtësimin e procedurave për eksportin e perimeve të freskëta dhe produkteve të sezonit.

 Palët ranë dakord gjithashtu për njohjen reciproke të të gjitha certifikatave dhe licencave të lëshuara nga autoritetet e shteteve përkatëse, ndërsa Ministri Ahmetaj parashtroi edhe disa propozime të reja.

Ai propozoi që Porti i Durrësit të kthehet në një port me procedura unike për eksportuesit nga Kosova, pra të jetë ndalesa e tyre e vetme në territorin shqiptar, duke shkurtuar kohën, ulur kostot dhe reduktuar ndjeshëm procedurat për sipërmarrjen.

“Për sa i përket produkteve sezonale, avanca në doganat shqiptare dhe doganën kosovare do të jetë nëpërmjet “korsisë së gjelbër” në mënyrë që të mos kemi asnjë pengesë dhe asnjë vonese në doganat tona” – u shpreh Ahmetaj.

Një tjetër propozim i Ministrit ishte avancimi i paketës së integrimit ekonomik rajonal, në një paketë konkrete për takimin e Parisit në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takimin me Ministrin Hoti, Ahmetaj ngriti shqetësimin e biznesve shqiptare të lidhur me tarifën në terminalin doganor të Kosovës, për të cilën Ministri Kosovar i Financave premtoi se së bashku me ekipin e tij, do të punohet për të ofruar shumë shpejt një zgjidhje në favor të sipërmarrjes.

Pas takimit Ministrat morën pjesë në Tryezën e përbashkët të dialogut me sipërmarrje të të dy vendeve, me temë “Të bëri biznes, sfidat e qasjes në tregjet respektive”.

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë Ministri Ahmetaj pati një takim miqësor me Presidentin Thaci, ndërsa në mbyllje të vizitës, u takua edhe me Ministren e Ekonomisë dhe Tregtisë Hykmete Bajrami.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *