Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj vijoi edhe sot akuzat për abuzime ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje.
“Sot do ju tregoj shqiptarëve se si transferohen paratë nga CEZ tek kompanitë e tjera. CEZ Albania ka faturuar mbi 30 mln $ nga CEZ Shpërndarje për shërbime konsulence”, tha ai, duke shtuar se këto janë abuzime që iu faturohen qytetarëve shqiptarë.
Ahmetaj bëri publike edhe faturën e energjisë së një shtëpie të pabanuar, që sipas tij ishte faturuar 1 milion lekë të vjetra. Ai tha se ky ishte një abuzim i drejtpërdrejtë, ndërsa bëri përgjegjës edhe njëherë Qeverinë dhe Entin Rregullator të Energjisë për këtë.
“Kjo është një piramidë e re, rëndon mbi familjet shqiptare. Përgjegjëse për gjendjen alarmante të sistemit elektroenergjetik shqiptar është Qeveria dhe ERE”, tha ai.