Padyshim data 6 shtator ka përfaqësuar për eurozonën (pra për shtatëmbëdhjetë shtetet e BE-së të cilët kanë adoptuar Euron si monedhë të përbashkët) një moment kyç. Banka Qëndrore Europiane (BQE), me në krye italianin Mario Draghi, hapi rrugën blerjes teorikisht të pakufizuar së borxheve të Shteteve në vështirësi që kanë si monedhë Euron. Një gjë e tillë do të kryhet në tregun financiar dytësor, pra nuk do të kemi një financim direkt nga ana e BQE-së, akt i ndaluar nga Statuti i Bankës. Synimi i BQE-së do jetë ulja e përqindjeve të interesit me të cilat Spanja, Italia, Portugalia, Greqia, Qipro dhe Irlanda, do mund të shesin borxhin e tyre në tregun ndërkombëtar.
Kjo ndihmë, pas një kërkesë formale nga ana e Shteteve të interesuara, nuk do jetë aspak e pakushtëzuar. Dhe janë pikërisht këto “kushte” të cilat justifikojnë hezitimin e Spanjës për të kërkuar këtë jelek shpëtimi ndërkohë që rryma po e çon drejt falimentimit. Praktikisht çdo Shtet që do zgjasi dorën drejt Frankfurtit, do humbasi fuqinë substanciale të vendimarrjes në fushën ekonomike. Kushtet e reformave dhe të kursimeve do jenë aq strikte, saqë shprehja “sovranitet i kufizuar” do duket një përkëdhelje.
Mbi këtë skenar kanë shpërthyer polemikat në mass-mediat gjermane të cilat akuzojnë njëzeri Mario Draghi-n si një shpenzues abuziv të parave të Europës veriore (me bilanc shtetëror të shëndoshë) në favor të Europës jugore (shpërdoruese të pasurive publike dhe e korruptuar).
Sipas Frankfurter Allgemeine Zeitung (Faz) “kryetarët e qeverive të Europës së jugut, mund të vazhdojnë të gëzohen, sepse mund të vazhdojnë të marrin hua me taksë interesi të ulët, pa u merakosur për investitorët dhe pa kryer reformat e duhura”. E përditshmja Bild është akoma më e prerë: “BQE-ja hedh tym në sy dhe po lëviz në binarin e gabuar. Kjo është një ditë e zezë për Euron dhe për të gjithë ne. Kush vendos kushtet tani janë përfituesit dhe jo huadhënësit. Zoti Draghi, ju kryeni punën e pistë të politikanëve!”. Sipas gazetës Welt, “rreziqet e kësaj politike janë makroskopike, sepse bëhet fjalë për një rishpërndarje të pasurisë nga veriu në jug e cila nuk është trasparente dhe nuk është e ligjëruar politikisht. Është diçka antisociale dhe antidemokratike.”
Por a është e saktë se çmimi i krizës së borxheve shtetërore që ka pllakosur Europën mesdhetare bie mbi supet e taksapaguesëve gjermanë? Përpara sesa të kërkojmë ti përgjigjemi kësaj pyetje, duket e udhës të shqyrtohen disa shifra. Është një fakt që investitorët ndërkombëtarë nuk mund të mbajnë likuiditetin poshtë jastëkut dhe që janë gjithmonë në kërkim të investimeve më të sigurta. Nësë Italia, Greqia, Spanja, Portugalia dhe Irlanda konsiderohen në vështirësi, atëhere s’ngelet veçse Gjermania si port i paprekshëm nga stuhitë financiare. Natyrisht siguria paguhet nëpërmjet një përqindje interesi më të ulët. Aspekt ky që të çon deri në paradoks: aktualisht sikur t’i japësh hua Gjermanisë për dy vjet, jo vetëm që nuk përfiton interes, por duhet të paguash nga xhepi edhe diçka më shumë. Në të njëjtën kohë interesi mbi borxhin dyvjeçar italian është 2,23%. Gjermania në skadencat mesatare arrin të financohet falas, ndërkohë që Italia duhet të paguajë 2,23% mbi shifrën e marrë hua.
Sipas Folker Hellmeyer, shef i analistëve financiarë të Bremer Landesbank, gjatë 30 mujorshit të fundit Gjermania ka kursyer rreth 60 miliardë euro vetëm për sa i përket interesave mbi borxhin publik. Së fundmi le të merret parasysh fakti që në vitin 1998 interesi mbi borxhin 10-vjeçar gjerman ishte 5,5%, ndërkohë që tani është vetëm 1,5%. Jo vetëm financat publike gjermane kanë përfituar ndjeshëm nga kriza e borxheve, por edhe qytetarët e thjeshtë gjermanë kanë pasur një surprizë të këndshme nga bankat e tyre. Nëse në vitin 2008 kredia për blerje shtëpie kushtonte mesatarisht 5,24%, tanimë përqindja e interesit është përgjysmuar (2,62%). Pra, mbi 100 mijë euro kapital, një familije gjermane sot paguan 26 mijë euro interes dhe kursen po aq në krahasim me katër vite më parë.
Kriza e borxheve publike të eurozonës është kryesisht një krizë besimi. Investitorët ndërkombëtarë nuk kanë besim tek politikanët dhe tek reformat e kryera apo të premtuara të një Shteti të caktuar. Mungesa e besimit matet me rritjen e interesit mbi borxhin shtetëror: sa më shumë i rrezikshëm të duket investimi, aq më shumë fitimprurës duhet të jetë. Për meritat e saj të padiskutueshme Gjermania gëzon besim të plotë në tregjet financiare, por nuk mund t’ia lejojë vetes shpërbërjen e monedhës Euro, falë së cilës mund të krenohet si ekonomia më e madhe e kontinentit.
Zbritja në fushë e Bankës Qëndrore Europiane synon rritjen e besimit tek Shtetet në vështirësi të Europës së jugut. Tashmë garanti i lojës është vetë prodhuesi i monedhës me të cilën loja zhvillohet.
Gjermanët janë kundër kësaj garancie, dhe nuk mund të ishte ndryshe për një komb gjuha e së cilit emërton “borxhin” dhe “fajin” në të njëjtën mënyrë (“schuld”). Por me të vërtet Shtetet e Europës së jugut kanë shtruar një gosti që nuk mund t’ia lejonin vetes duke ia ngecur faturën Gjermanisë? Ndoshta në gosti kanë marrë pjesë të gjithë, përfshirë gjermanët, dhe si rrjedhojë të gjithë duhet të mbajnë mbi supe harxhet respektive.
Elton Xhanari
PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona