Për Frederik Reshpjen!
Bedri Islami
Rrallë herë në një njeri i vetëm ka bartur në jetën e tij aq shumë vuajtje. Nga errësira e vuajtjes së tij ngrihet një jetë e shndritshme, që, e pabesueshme, i qëndroj si askush tjetër diktaturës dhe demodiktaturës.
Në jetën e tij nuk kusehet asnjë vuajtje, as martirizim; në pak vite jetë ai i ka provuar të gjitha: urrejtjen e verbër, herë herë demoniake, tërbimin politik, burgjet në komunizëm dhe urinë dhe vdekjen prej saj në vitet e pluralizmit.
Kur askush nuk e priste, ai kryengritej. Kur shumë kishin heshtur, ai fliste. Kur të tjerë i përkdheleshin pushtetit, ai ishte njeri që demaskonte. Prandaj fati i tij ishte i jashtëzakonshëm, ai ishte edhe ai vetë.
Udha e tij e jetës është kalvar i pafund; shorti njerëzor është i ashpër, atëherë kur mendohej se jeta e tij po qetësohej, fati e gremis në humnerën e burgjeve; i hajthëm në fytyrë gjithë jetën, ai, në çastiet e paravdekjes do të ketë pamjen e një shenjtori; vdekja e kishte pushtuar shumë dite para se të mbyllte sytë, por mendja e tij ishte e çeliktë.
Në dy kohrat, komunizëm dhe pas tij, do i kishte mjaftuar vetëm heshtja për të shijuar jetën si shumë të tjerë, por, të dy herët ishte rebeluar, pasi shpirti i tij ishte i tillë; më shumë se kujtdo tjetër, fati i tij i ngjan atij të Dostojevskit, që nga mjerimi e deri te çasti i vdekjes.
Kur mbylli sytë , vetëm atëherë, tiparet e tij u çliruan nga makthi dhe dalngadalë trajta njerëzore e rinisë së dikurshme zuri qetësinë e saj.
Aq sa poet, ndoshta më tepër, ishte luftëtar. E pashuar është tani lavdia e tij, dy herë e tillë, përmes artit dhe përmes jetës. Arti i tij ishte tragjik, jeta e tij ishte tragjedi. I braktisur nga të gjithë, poeti më i madh i Veriut pas Migjenit, njëri ndër më të shquarit e poezisë shqipe dhe luftëtari i pazakontë, pushon tani në varrezat e vjetra të qytetit.
Por, si shkruan Stefan Cvajk, ! ao që mund të hedhë për tokë njeriun, e ngre lart poetin“. Kjo ndodhi edhe me Frederikun.
Për të janë këto esse:
Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!
Kam menduar shpesh herë përse poezitë e Frederik Reshpjes kanë një magji të veçantë.
Përse poezitë e tij kanë atë ndjesinë si të këputet rrezja e diellit apo florimi i shiut?
Përse poezitë e tij të ngjajnë shpesh herë si trëndafilë të thurur me diell dhe të veshur me dritë?
Shpesh herë më është dukur se poezia e tij tundej në brirët e drerëve të mëdhenj dhe kurdoherë mes tyre ka një mesnatë si palmë!
Herë – herë, në poezitë e tij të duket sikur mëngjesi po të vdes në duar dhe se largimi nuk është asgjë tjetër veçse çasti i riardhjes!
Lirika e tij , e magjishme, do ë thoja, që ka pak vdekje në sy, përse është rrëzuar në koha dhe pikërisht atë çast , në orën kur hijet bien në gjunjë dhe falen si perënditë e lashta pagane?
Frederiku i madh shtatvogël, me ecjen e çuditshme, që vargjet ishte e vetmja gjë që donte nga bota eterne dhe NËNA e vetmja tek e cila ka besuar e Zot tjetër nuk kishte pasur kurrë, poeti që e pinte kafen duke qeshur dhe tallej në të njëjtën kohë me të gjithë perënditë, i zakonshëm në pamje, për të mos thënë as i zakonshëm, por që dukej i bukur dhe se tërë shirat e botës binin për të, përse na është magjik?
Shpesh herë e kam menduar këtë?
Fotografia e fundit e tij është perëndia e tragjedisë dhe e mjerimit!
E përsëri na duket se është perëndia e gëzimit!
Shpesh herë më është dukur sikur Frederiku kishte qenë shoqërues i Dantes, hija e Virgjilit, në udhëtimin e skajshëm në Ferr dhe, kur kishte menduar se Parajsa ishte e ardhmja e tij, befas kishte rënë në Ferrin tjetër, kësaj here veç për vete dhe askënd tjetër!
Poezia e tij vjen si nga një tjetër botë, jo nga kjo e prekshmja, e dukshme dhe e zakonshme. Ai dukej se i kishte rënë pash më pash ferrit dhe ishte rikthyer, duke mbyllur trëndafilat në pikëllimin e vet, i padëshifrueshëm, me jetë perëndish – nga mjerimi i madh – në shkëlqimin e përkohshëm – për të shkuar përsëri drejt mjerimit të fundit; shumë jetë të mundimshme janë fikur njëkohësisht tek sytë e tij; ai ishte në të njëjtën kohë poeti i vdekur në rrugët e magjisë dhe i gjalli duke bartur me vete rrasën e mermerit të lavdisë!
Ai ishte poeti që vazhdoi deri në fund të mbrunte një Zot me fjalën, dhe, kur i erdhi dita, i munduar, barti si kryqin e tij dashurinë për njerëzit, por kjo dashuri nuk i ktheu kurrë përgjigje!
Ajo që Frederiku quante mëmëdhe ishte lumi i Bunës që fshihej pas kodrave të buta, Drini i rrëmbyeshëm dhe Kiri ujëpak; ullnjtë e Jugut dhe puset e lashta ku mendonte se kishin pirë ujë Trimat e Jutbinës, dielli në bahçen e Nënës së tij dhe trëndafilat e bardhë, dherat e Frasherit të mënçur dhe këngët e Milosaos, mermerët e thyer të së djeshmes dhe plisi i tokës ku do të mbillej e nesërmja, malësori me brekët legjendare dhe hapat e ngadaltë të Migjenit në rrugicat e gurta të qytetit të mbretërve; atdheu ishte dy kokrra misër që duheshin ndarë me miqtë, përtej harressës dhe kujtimit, meraku i Moikomit dhe qirinjtë e Pashkës, enigma e Kadaresë dhe kryqet e rrënuara te varrezat e vjetra të Rrmajit, karafilët e kuq që kishin erë gjaku, mesha e mesnatës së Krishtlindjes dhe kandili i shpresës ; atdheu ishte nata e përtejme dhe flamujt e fshehur të lirisë, ishte shkëmbi, pemët e prera që kishin çelur përsëri, çapitja e pleqëve dhe misteri i dashurisë, në fund të fundit atdheu ishte zbulimi i prejardhjes sonë në vigjiljen e vdekjes, në të njëjtën kohë me kujtesën e aromës së kuzhinës kur nëna skuq miellin e bardhë.
Për të gjitha këto ai gjeti fjalët e duhura.
Dhe, përmes tyre :
Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!
I shëmtuari për hir të bukurisë së artit
Frederik Reshpja, i shëmtuari për hir të bukurisë së artit, me gjithë jetën e tij të pazakontë, mes së keqes dhe të fatkeqësisë kishte gjithnjë një pafajësi të pakthyeshme, të patjetërsueshme dhe herë herë magjike.
Ai rikthehej mes njerëzve , që më shumë i donte se e donin, gjithnjë si në gjenezën e jetës së tij, krejtësisht i pastër, sa dukej si një fëmijë i porsa dalë nga një banjë e gjatë dhe e nxehtë.
Në momente të veçanta ai ishte Princi i lumtur dhe, pastaj, për një çast kthehej tek e zakonshmja, tek i varfëri; kishte momente kur shpërndante diamantet e tij të pashoq dhe , befas, shkrinte statujën e tij duke e shndërruar në një skelet; në çastet e sinqeritetit të tij ishte i bindur se nuk ishte i bukur, por e donte bukurinë e tij si një narciz i shkallës superiore, sa që shkruante ” kur isha i ri dhe i bukur”…ishte i zhytur aq shumë në mirësi dhe në botën e tij, sa që vetëm trëndafilat në oborrin e shtëpisë së tij mund ta qetësonin; më shpesh i burgosur dhe i pranguar kishte ëndërr se do të mund të fluturonte një ditë; poeti i metaforave mendonte se , te kroi, ku flenë stinët, vallëzon mermeri i legjendave..
Ai, i vuajturi i madh, ishte i mëshirshëm, megjithëse e dinte krejt mirë se mëshira është një sulm dhe frikë nga vetmia.
Nuk përdori kurrë hakmarrjen primitive, nuk hodhi njeri në gjyq, pasi e dinte se hakmarrja vulgare është e çastësshme, ndërsa hakmarrja inteligjente është e përjetshme, dhe ngriti kështu korpusin e polemikave të tij artistike.
Format e njerëzve nuk i shihte, por përmbajtjen e tyre, po!
Nuk kam njohur kurrë njeri më të çuditshëm se sa ai. Rebel që kthehej në përkëdheli, adhurues i vjeshtës, të cilën pastaj e përzë pa mëshirë, vetmitar si dimri, por që e shikonte dëborën si një perëndi ilire, njeriu që ngurronte t’i lutej Zotit, por që shkruante ” O hënë e shiut, bëje Një Iliadë për mua, kur të rrëzohet edhe Troja e fundit”,…
Për Frederikun kam gjithnjë mall, i kthehem dhe i rikthehem atij ashtu si një njeri i zakonshëm synon të rikthejë sublimen, lemerinë, të bukurën, tmerrin, befasinë, mendimin, atë ndjenjë të veçantë mirësie , e cila më duket se është e dhënë nga vetë qyteti i mbretërve, Shkodra; dhe, kur eci në rruginën e shtëpisë së tij, ndalem te porta e njohur, ku kam trokitur jo sa kam dashur, por që më ngjallin pamjen e njohur të njeriut të lodhur, megjithëse shumë shpejt do të ringrihej, sytë e të cilit shprehnin një dëshpërim të thellë, epik, të pangjashëm me askënd tjetër, për njeriun që, në fund të fundit, ishte i braktisuri dinjitoz deri në dhembje.
Frederik Reshpja kishte një varrim të thjeshtë, më shumë të heshtur se sa domethënës, megjithëse Shkodra po përcillte njerën nga mrekullitë e saj poetike dhe njerëzore. Ku ishin ata që e vranë dalngadalë, hetuesit e pamëshirshëm, që kurrë nuk e kishin dashur letërsinë, gardianët, sidomos gardianët, të cilët as që merrnin mundimin ta kuptonin, edhe nëse do të donin, nuk do të kishin mundur, ku ishin strukur dëshmitarët e rremë, të shumtë, nganjëherë të njohur të shkrimtarit, ku ishin mohuesit dhe braktisësit e tij?
I lodhur nga harresa, i rrëzuar nga moskoha e tij, „ tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi“.
Vdekja kishte qenë e dashura e tij, ishte mësuar me të që nga burgosja e parë, ndoshta edhe më heret, ndërsa kishte ikur :
I vrarë nga një pranverë e kotë
Braktisur nga botë e tërë.
E kishte kërkuar dëshpërimisht prehjen. Njeriu ka të drejtë të prehet një ditë, pas tmerreve që vetëm medja e një të Verbëri madhështor do të mund t’i sajonte. Asnjëri nuk do të kishte më shumë nevojë se sa ai për ishuj. Dhe shpiku Itakën e tij, tjetërlloj nga ajo e Uliksit, por me një ngjashmëri fatale. Reshpja e kishte parë ferrin disa herë, i kishte rënë pash më pash atij dhe ishte kthyer mes të gjallëve , për ta kryqëzuar përsëri. Uliksi nuk kthehej dot për të dhënë dëshminë e tij. Kumtet e Frederikut ishin mizore dhe madhështore në të njëjtën kohë, Itaka e tij ishte një ëndërr, dëshira për t’u prehur një ditë nën një qiell të kaltër, pas tridhjetëepesë vjet endjesh, më të shumtën e të cilave kishte qenë banor i ferrit.
Në fakt, kishte patur një vdekje të pafundme. E megjithatë, ai kishte shkruar:
“S’dua të trishtohet kush për fatin tim,
Se për fatin tim trishtohem vetë;
Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes;
Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë.
Nganjëherë malli i tij ngjitet nëpër rrënjë dhe bëhet lule, ashtu si era përkund pikëllimin e tij, me duart e nënës vizatuar në erë, duke e ditur mirëfilli se ai vetë, mjerisht, nuk ka për të lulëzuar kurrë më.
Nuk e zë gjumi në asnjë dorë të botës, por, edhe në ato çaste ka dëshirën e pamatshme, si dallgët e detrave që, në bregun e tyre, të shtrihet dhe të vdesë, si një i pagjumë mitik që është, me fatin e tij rrëzuar diku, ndoshta nën hënën e ikjes së nënës së tij.
Ai e di mirëfilli se , si perënditë që vdesin në horizont, një ditë edhe vetë ai do të ketë një vdekje perëndish të harruar, e përsëri, ai nuk do të ikë nëpër qiej, kërkon të ikë nëpër këngë.
Dhe , duke ikur, nuk e di përse kambanëzat e yjeve tunden nëpër një botë që kurrë nuk e kuptoj, dhe, vetëm kur ai iku, ashtu si perënditë e braktisur, ndjeu dhimbjen.
Dhe bash atëherë, ulëriti vetmia te porta, që atij nuk iu hap kurrë.
“Gur –gur po rritet murana ime, o Zot!“
– Dëshpërimi i dhimbshëm
-I vetmuari i madh, Frederik Reshpja-
Rrallë Shqipëria ka pasur një poet të tillë, me fatin e tij të çuditshëm dhe tragjik; rebel në gen dhe paqtues në shpirt; i rënë në humnerë nga shpirti i tij dhe i ngritur në qiell përkohësisht, për të rënë edhe një herë në humnerën e tij, kësaj here përfundimisht; mjeshtër i fjalës dhe arrakat i pandreqshëm; i adhuruar dhe i mallkuar në të njëjtën kohë; me kokën e kërleshur si një demon Lermontovian dhe i gatshëm për të qenë një duelist i kohës së shkuar; i butë si një fëmijë i rënë në prehrin e nënës dhe diellor në fjalët për miqtë.
Kam qenë tepër i ri kur e kam takuar për herë të parë dhe, së bashku me poetin e ndjerë Tonin Shtjefni, na ftoi në shtëpinë e tij, në njërën nga kthesat e para të rrugicës së Gjuhadolit, nga më të vjetrat e qytetit të Shkodrës. Gjysmë përdhese, me oborrin e vogël, mbushur me lule, ku trëndafilat ishin të harlisur dhe për të cilat kujdesej nëna e Frederikut, me të njëjtin mall si edhe për të birin rebel, të shkujdesur, që aso kohe ishte mësues dhe që e dinte vetëm ai dhe zemra e saj se ky ishte i vetmi çast i prehjes.
Në dhomën e vogël, me dritaret e rrethuar nga ornamentet e hekurt, ishte rrëmuja e një poeti që sapo kishte nisur për botim librin e tij të parë poetik, “Rapsodi shqiptare”. Tek ai, çuditshëm, të dyfishohej dhimbja, e befas, të krijohej iluzioni i qetësisë së përkohshme; trishtimi i jepte ngjyrë, ndërsa drita pluskuese e mëngjesit mund të ishte vetëm një dalje nga shpirti i tij.
Shpesh herë, si i kthyer nga një kohë tjetër, fliste me fjalë të mëdha, përmendte gjuhët e shumta që dinte… E, aso kohe fliste vetëm shqipen e tij të mrekullueshme, plot alegori, dritë, net të brishta dhe shpirt kopshtor; të tregonte për dashuritë e tij të mbetura buzë gremine dhe nuk e dinim nëse kishte diçka të vërtetë në këtë ëndërr rrjedhëse dashurore.
Poesit ishte dhe mbeti deri në fund një mikpritës besnik. Për miqtë e tij, shumë nga të cilët e tradhtuan, i dolën dëshmitarë të rremë, e përgjuan, e shanë, e flakën, e trajtuan si një të huaj, të padenjë për qytetin e lindjes, kur ishte një vazhdim i Migjenit, i cili kishte jetuar në po atë lagje, vetëm në kahun e kundërt të saj, ai, edhe kur u përmbysën kohët dhe figura e tij tani mund të ishte mitike, mbeti një portë e hapur.
Në fakt, nuk mund të ishte ndryshe. Ai mbeti, në vetveten e tij, një kristian idealist, por edhe një përjetues i dhimbjes njerëzore dhe, duke e ditur se trysnia kishte qenë më e fortë në disa nga miqtë e tij se sa dëshira për të qëndruar, i falte.
Në pas vitin 1990, kur ai tani mund të ecte i qetë rrugëve të qytetit, pra, të kalonte nga rrugicat në mbrëmje apo netëve të heshtura, kur nuk donte të rëndonte askënd me takimet e tij, në mesin e Piacës, kishte mjaft njerëz që i shmangeshin, tashmë nga ndjenja e fajit.
Në njërën nga këto ditë ne ecnim në rrugën kryesore, dhe pastaj, ashtu si ecte ai, me duar të hapura që i lëvizte rrëmujshëm, kaluam para Kafes së Madhe, në sheshin para së cilës, ishin ulur shumë njerëz, duke e shijuar pranverën.
Befas, krejt afër, atij i zuri syri njërin nga denoncuesit e tij, gazetar dhe botues, i cili, ndoshta me të njëjtin kostum që kishte veshur solemnisht kur kishte vajtur për të shpallur dëshminë e tij, po rrinte dhe bisedonte gjallërisht.
Frederiku e pa dhe u ndal. Tjetri ndali fjalën, uli kokën, do të kishte dashur të zhdukej në atë çast, në buzë i ngriu fjala që kishte dashur të thoshte, shpupurishi flokët e shumtë, si do të donte të krijonte një perde.
Frederiku i thirri në emër.
Ai ngriti kokën dhe shikoi me ankth.
-Përse nuk më flet?-i tha Frederiku. -Përse? Të mos të të flas unë, kjo kuptohet, por të mos më flasësh ti…?
Tjetri kishte mbetur si shtatore e ngrirë dhe vetëm pak, në njërin cep të buzës, buzëqeshi duke ngrirë.
-Unë e kam harruar atë që më ke bërë ti dhe nuk e di nëse kam bërë mirë që e kam harruar apo jam i gabuar. Ti, mos e harro të keqen dhe përmendu, se burrat përmenden!
Mbeti deri në fund me shpirt kristian të padukur dhe askush, ose më saktë, pak kush, mendoi për shpirtin e tij.
I habitshëm dhe ndryshe nga gjithçka. Ashtu i kishte edhe ditët e fundit. U largua si ato drerët e plagosur që mbajnë në brirët e tyre dritën e hënës, me mallin për nënën dhe vetminë e tij legjendare.
Nga bota e shkrimtarëve ishin në largimin e tij të fundit pak vetë; Skënder Drini, Moikom Zeqo dhe Arben Bllaci. Më tej Myftar Gjana, Shpëtim Kelmendi, Ledia Dushi, Fatime Kulli, dy pedagogë të letërsisë, Hasan Lekaj dhe Alfred Çapaliku… dukej sikur qyteti e kishte harruar, ndërsa mburrej me të.
Të tjerët, duke e pranuar heshtjen e tij si një falje, nuk kishin guximin të shkonin dhe t’i kërkonin faljen e tyre njeriut shpirtmadh, që, gjithë jetën kishte qenë në mjerimin e harresën e tij.
Nga doli kjo vetmi kështu… Nuk kishte për ta parë më këtë qytet me rruginat e vjetra, as kështjellën e ngritur mbi sytë e një gruaje, as të gjallët e vdekur e as të vdekurit e gjallë.
x x x
Frederik Reshpja është një ndër poetët modernë më të mëdhenj të Veriut të Shqipërisë, të qytetit magjik, Shkodrës, së bashku me Ndre Mjedën dhe Migjenin. Ndërkohë është poeti më tragjik i letërsisë shqipe. Tragjik nga jeta e tij vetmitare dhe e plasaritur nga mungesat e mallit; tragjik nga ndalesat që i janë bërë përmes burgimeve në monizëm dhe “harresës demokratike”; tragjik nga miqtë që e tradhtuan në një çast; tragjik edhe në vdekjen e tij vetmitare.
I vetmuar deri në skajim, me një fëmijëri të harruar, pa rini – sepse ia morën, moshë të bardhë të zezuar, ai më pas do të shkruante se:
Pashë fëmijët në rrugë. Të qeshur,
Të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara
Ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.
Më panë dhe u trishtuan. Menduan,
Që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…
Vetmia e tij tragjike do të ishte përndjekja e e shpirtit dimëror të tij, që binte pikë-pikë, një këtu-një aty, si trëndafilat e vdekur, në një muzg të ngjyer me ajër, nën shirat e heshtur të qytetit të vjetër. E ka ndjerë këtë vetmi edhe pas viteve të burgimeve të tij, pikërisht atëherë kur mendohej se tashmë do të kishte një tjetër përsiatje, më të furishme, të denjë për karakterin e tij rebel, por, si në legjendat e lashta, do të ishte pikërisht kjo ndjenjë rebele që do e ripërsëriste vetminë e tij.
Lulëzoi druri i portës së vjetër
Ah! Druri i vdekur çeli lule!
Ti këputi dhe me to bëj kurorë
Për mua që të prita deri në vdekje!
“Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar…”, megjithëse dukej se trëndafilat çelën që në mëngjes, me petalet në ngjyrën e vetëtimës, e përsëri, ai e di, fare mirë e di se “trëndafilat vetëtijnë në heshtje për gjëmën time”, e di se, edhe një herë, kështu e ka zënë nata, si statujat e pritjes, në një ajër që vdes dalëngadalë dhe dimëron,…ku në peizazhin e natës, si në një ëndërr, zhduken drurët me fjalë e me gjethe dhe luleve u rrëzohen ngjyrat….
Vetmia e tij ishte elegjiake… askush nuk e zhbëri dot atë… ai mbeti nën dimrin e kësaj vetmie të madhe, duke na sjellë poezinë e tij si një stinë e re që bie nga qiejt te xhamat e dritares së vjetër, të së dashurës botës sonë…
Në fakt, ai nuk mund të ikte ndryshe, veçse si një vetmitar, duke na lënë pas pezmin e trishtimit dhe ndjenjën e fajit të pashoq për braktisjen e tij. Vetmia e tij ka qenë e një përmase gati biblike, ashtu si kanë qenë edhe tradhtitë ndaj tij. I ngritur në majën e Olimpit poetik për një çast të shkurtër, do e ndjente theqafjen, vërvitur nga miqtë.
Kur Frederiku vdiq, lodhur nga jeta, vetmitari më i madh i letrave shqipe, poeti si një erë mbi ëndrrat e pyjeve, me fjalët që i kishin mbet’ pa thënë, me dëshirën që shkallët e kësaj nate t’i ngjiste me dikë deri tek hëna, ku do të shkonte i vetëm, ai e kishte thënë parafjalën e tij: “O ajër i mbrëmjes, mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri”.
Ishte shkurt, një i ftohtë i mbështjellë me mjegull dhe vetmi njerëzore. Dimri ende nuk kishte ikur dhe jo të gjithë dëbornat kishin rënë.
Tërë vdekja u rrëzua në fushën me shi…
17 shkurt 2006. Ditëvdekjen e tij, ashtu si dhe ditëlindjen, shumë e kanë harruar.
Në pragun e vdekjes dukej sikur kishte dalë nga Guernika e një nate të gjatë. Dukej më i plakur nga sa ishte. Në të gjitha vitet e tij nuk kishte pasur asnjë stinë të re. Vjeshtë dhe dimër që përsëriteshin. Në luginën e vdekjes e prisnin kuajt e marsit, ngjyrat ishin kthyer në shpirtra, ndërsa barbarët dukej sikur kishin ikur përkohësisht dhe ishin rikthyer.
Po bënte paqe me veten! Tashmë, në netët e tij, nuk do të shihte një anije të bardhë. Në mëngjes, një trandafil i kuq kishte çelur tek porta e shtëpisë. Pjesë lamtumire? Dorë e zgjatur përmes petaleve? Mos ishte loti i nënës shndërruar në një trëndafil?
Shega e mbjellë nga Hilë Mosi ishte ende aty, sikur kërkonte dhe priste dëshminë e saj për ikjen e poetit.
Nën qiellin e dimrit të jetës së tij ai po ikte si një gjethe e fundit, ndërkohë hëna ishte shuar.
Nuk kishte kohë të thoshte lamtumirën. Si duket, e kishte thënë prej kohësh. Pas tij nuk kishte më zogj, fluturimet u fshinë, në cilën dorë të botës do e zinte gjumi i përtej jetës?
Disa kohë më parë kishte shkruar:
Atje te ishujt e kaltër,
Pashë portretin tënd në horizont.
Ç’bën aq larg, dhe përse u bëre re?
Unë do të mbetem në këtë tokë që quhet Shqipëri.
Atë ditë ti zbrit dhe sillmë një trëndafil prej shiu!
x x x
Shpesh herë, ndërsa jam në rrugët të qytetit tim dhe eci në rruginën e ngushtë që të çon drejt shtëpisë së Frederikut, ku ende bulojnë trëndafilat dhe mbi mure kanë dalë shermashekët, më pëlqen të mendoj për poetin, ndërsa ndjej hapat e njeriut që e kam dashur më shumë në pikëllimin e tij, ndoshta edhe nga që nuk e njoha, veç fare rrallë, në çaste gëzimi.
Në rininë time kam qenë dishepull i tij; poezia e Frederikut më trondiste dhe për shumë kohë ia thosha vetes. Më vonë, kur përmbysja kishte ndodhur dhe gjithçka kishte qenë fillimisht e madhërishme, por kurrë e plotë, kam menduar se cila ishte ajo gjë e veçantë, krejt e veçantë, e cila ishte ngjizur në poezitë e tij, çfarë e kishte bërë atë poet rebel, në fund të fundit ai kishte pasur një devizë, që duhej të ishte mbi të gjitha.
Hemingueji ka shkruar se “Letërsia e madhe lind nga njohja e padrejtësisë”. Këtë Frederik Reshpja e kishte ditur më herët se shumë të tjerë. Dhe e kishte ndjekur, duke e ditur se mund të thërrmohej.
S’dua të trishtohet kush për fatin tim
Se për fatin tim trishtohem vetë
Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes
Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë…
Shkodër, 11 Qershor 2019 – Lublin ( Poloni)31 mars 2022

Nje shkrim shume i cuditshem ky shkruar me pathos,(kete e perligj dhe periudha 4 vjecare e pritjes per tu shprehur), brenda nje shoqerie te vdekur,qe se pari i nxiros jeten talentit mbasandaj e mbyt dhe e harron menjehere ate.Por ai perseri ringjallet sikur nuk ka vdekur kurre.
Jo vetem,talenti,por pikerisht dhe kjo harrese,nga kjo mase amorfe dhe pa identitet,do ti jape dhe me shume force fjales se tij,e cila behet me tej e ndjere, dhe nga malli,qe martiri,qe i krijoi nuk eshte me.