Konferenca e 19-te Ndërkombëtare e AIDS u zhvillua për gjashtë ditë në Qershor 2012. Ajo u zhvillua në Walter E. Washington Convention Center në Washington D.C. Në këtë Konferencë folën shumë personalitete, perfshi Sekretaren e Shtetit të Amerikes Hillary Rodham Clinton, Bill Gates, Whoopi Goldberg dhe Elton John. Pjesëmarrësit u njohën me sukseset që janë arritur që nga konferenca e parë që ishte mbajtur në vitin 1985. Konstatimi i përgjithshëm ishte : Gjithçka kishte ndryshuar, fatmirësisht, për mirë. Ja një vështrim i shkurtër për përparimin që është bërë.
SOT VDESIN MË PAK NJERËZ
Për më shumë se dy dekada, në interes të ruajtjes së shëndetit publik, Amerika kishte ndaluar hyrjen e personave HIV–pozitivë në vend. Kjo ndalesë u hoq në vitin 2009. Si rezultat i kësaj më shumë se 25,000 doktorë, shkencëtarë, Aktivistë të AIDS, politikanë, njerëz që jetojnë me AIDS dhe të tjerë, nga 170 vende, erdhën në Konferencën e fundit në Amerikë.
Duke shikuar mbrapa, konstatohet se gjendja ka ndryshuar shumë që nga viti 1990, kur u mbajt konferenca në San Francisko të Kalifornisë. Në atë kohë sëmundja ishte thuajse fatale. Tani, AIDS është bërë një sëmundje kronike, që edhe pse, akoma, vdekjeprurëse, trajtohet mirë me barnat anti-retrovirale dhe të sëmurët jetojnë për dekada të tëra.
Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i vdekjeve që lidhen me AIDS në Botë, zbriti në 1.7 milion njerëz vitin e fundit. Kjo është një zbritje e ndjeshme po të krahasohet me 2.3 milion të vdekur në vitin 2005 dhe me 1.8 milion të vdekur në vitin 2010. Merita për këtë ulje i takon mjekimeve, të cilat ndihmuan shumë njerëz që të jetojnë me sëmundjen. Por ka edhe më. Ata që përdorën mjekimet që ulin aktivitetin e virusit, rrallë e transmetuan virusin tek të tjerët. Një studim i vitit 2011, tregoi se sapo virusi depresohet plotësisht nga barnat, rreziku i transmetimit të infeksionit pakësohet në 96 përqind.
Ata që janë përfshirë në luftën kundër AIDS, kanë plot shpresa. Ata mendojnë se vazhdimi i përpjekjeve për të mjekuar sa më shumë njerëz, i kombinuar me masat parambrojtëse, do të bëjë të krijohet gjenerata e parë pa AIDS.
PËRQENDRIMI TEK NJË KURË
Metodat parandaluese dhe barnat anti-retrovirale kanë sukses në pakësimin e vdekjeve nga AIDS, por, akoma, ka miliona njerëz që vdesin nga sëmundja. Mjekimet preventive kanë efekte anësore dhe për shumë njerëz ato janë shumë të shtrenjta dhe vështirë të përballohen ekonomikisht. Pyetja që bën gjithkush është: A ka ndonjë shpresë për një kurrë ?.
Pas studimeve tridhjetë vjeçarë, kërkuesit thonë se kanë shpresë që do të jenë të aftë të gjejnë një kurë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. David Margolis dhe kolegët, në Universitetin e Chapel Hill, kanë kryer kohët e fundit një studim interesant, ku gjetën se barnat që përdoren kundër kancerit, janë të afta të “zbulojnë “ vendet ku fshihet virusi në trupin e të infektuarit. Ky është një hap vital drejt çrrënjosjes së sëmundjes.
Ka edhe mundësi të tjera. Një qytetar amerikan HIV-pozitiv, që jeton në Gjermani, u sëmur me leucemi. Pas kryerjes së transplantit të palcës së kockës për mjekimin e leucemisë, u vu re se leucemia jo vetëm që shkoi në recesion, por u zhduk dhe HIV-i tij. Fatkeqësisht, transplantet e palcës së kockës nuk janë shumë të përdorshme e të përhapura sot. Është kjo arsyeja që shkencëtarët kërkojnë alternativë tjetër. Ky rast ka dhënë çelësin e duhur dhe ka inspiruar kërkuesit por të vazhduar përpjekjet.
KA AKOMA PËR TË BËRË
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për AIDS, në Botë ka akoma 34.2 milion njerëz që jetojnë me HIV. Nga këta vetëm gjysma e tyre marrin mjekime. Përpjekjet për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulta dhe të mesme që të mjekojnë të infektuarit e tyre, është kërkesa kryesore e kohës.
Në vitin 2011, u infektuan me HIV 2.5 milion njerëz. Kjo shifër është shumë më pak se një dekadë më parë, por akoma është shumë. Disa studime kanë treguar se edukimi dhe furnizimin me kondome për seksin e sigurtë, janë me shumë rëndësi. Por, këto studime kanë treguar gjithashtu, se kur personat HIV-negativë marrin barna anti-retrovirale, ata kanë shumë më pak shanse të infektohen me HIV, edhe atëherë kur ata kryejnë marrëdhënie seksuale me dikë që është i infektuar. FDA, kohët e fundit, ka aprovuar përdorimin e barnave për parandalimin e HIV, por çmimi mbetet një pengesë për përdorim e tyre të gjerë. Dhënia e barnave parandaluese për personat me rrezik të lartë, do të ndihmojë të pakësohet shumë numri i atyre që do të infektoheshin.
Fatmirësisht, sot, vërejmë se, përdorimi i barnave anti-retrovirale është duke u rritur, vdekjet janë pakësuar dhe infeksionet e reja janë ulur. Por, ne, akoma, nuk e kemi kapërcyer AIDS me problemet e tij. Ne kemi rrugë të gjatë për të bërë. Por, vetëm duke kthyer kokën prapa për të parë progresin që është bërë, ne do të mbushemi me optimizëm.
Dr. Adem Harxhi
New York Nëntor 30, 2012