Arlind Ajeti ka arritur të fitojë besimin e plotë të trajnerit Stellone në radhët e Frosinones, duke përjetuar një moment magjik në sezonin e tij të parë në Serie A. Mbrojtësi kuqezi që u largua nga Baseli për një eksperiencë të re po bind çdo javë e më shumë me paraqitjet e tij, duke blinduar repartin e prapavijës.
Fitorja 2-0 e një jave më parë kundër Udineses ishte “qershia mbi tortë” e momentit pozitiv të 22-vjeçarit që projektohet sërish titullar në sfidën direkte të mbijetesës kundër Carpit.
Dy skuadrat debutuese do të përballen të dielën në orën 15:00 dhe sipas faqeve të specializuara pranë skuadrës së Frosinones, Ajeti do të zbresë në fushë titullar për t’u rreshtuar në katërshen mbrojtëse.
Pak ditë më parë, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi u shpreh i surprizuar nga forma që po tregon mbrojtësi kuqezi. Ai theksoi se Ajeti po tregon siguri dhe vazhdimësi me skuadrën e Frosinones dhe kjy është një sinjal pozitiv edhe për Kombëtaren ku konkurrenca në repartin e mbrojtjes do të jetë e madhe. Edhe pse u transferua te Frosinone në merkaton e Janarit, 22-vjeçari numëron 9 ndeshje me fanellën e verdhë dhe një gol të shënuar në transfertën e Sassuolos.
