Nga Brukseli, Fatos Mahmutaj
Vetëm në mbrëmje e kupton brenda vetes atë që ndodhi këtë në martë të përgjakur në Bruksel. Mëngjesi nisi me dy shpërthimet e njëpasnjëshme në hollin e nisjeve në aeroportin e Zaventemit. Me thënë në vërtetën, ato u panë fillimisht si të “largëta” nga kryeqytetasit e Belgjikës dhe Europës, të cilët vazhduan në rutinën e tyre të përditshme.
Por teksa e vërteta po shpërfaqej, vjen goditja tjetër. Ende pa u mbushur një orë, kur një tjetër shpërthim, fiks në zemër të Europës, (vetëm 100 metër nga godina gjenerale e Komisionit Europian) e çoi në 4 nivelin e alarmit. Forca të shumta të policisë dhe ushtrisë nxituan të evakuonin të gjithë transportin publik dhe pasi kyçën të gjithë stacionet e nëndheshme, morën në kontroll rrugët e kryesore, institucionet shtetërore, ndërkombëtare apo private duke bllokuar fillmisht hyrje-daljet në to dhe brenda pak orësh i evakuuan tërësisht.
Ngado nëpër Bruksel dëgjoheshin sirena të makinave të policisë të cilat lëviznin në autokolonë, të shoqëruar nga ambulanca dhe zjarrfikësit. Institucionet shtetërore dhanë alarmin për furnizimin me gjak të spitaleve brenda pak minutash, kur numri i të plagosurve arriti brenda për pak në 170 vetë.
Për të menaxhuar sa më mirë situatën dhe për t’iu dhënë në kohë ndihmën, të plagosurit u shpërndanë nëpër spitalet periferike të Brukselit si dhe qytetet përreth. Të parët ishin të plagosurit e aeroportit, të cilët u përcollën drejt spitalit të Leuvenit në verilindje të vendit.
Pasdite, rrugët e Brukselit janë thuajse bosh. Rrallë kalon në to ndonjë mjet civil dhe akoma më rrallë shihen këmbësorë në to, ndërkohë që policia ka bastisur dhjetra banesa nëpër lagjet Molenbeek, Schaerbeek, 1000 Bruxelles, Anderlecht etj, në kërkim të të dyshuarve.
Pak pas mesditës dy të rinj ranë në prangat e policisë në stacionin Gare du Nord (Stacioni i Veriut), për të cilët u fol se ishin pikërisht autorët e sulmit në Zaventem dhe se fotoja e fiksuar nga kamerat e sigurisë u përkiste pikërisht atyre. Ndërkohë i treti ndodhet ende në kërkim.
Duke shkruar këto rradhë, heshtjen e thyen ndonjë sirenë alarmi. Ajo që Brukseli i druhej, ka ndodhur…
