Para disa kohësh, një emision televiziv, tregoi për më shume se një orë një ngjarje korruptive të përmasave të habitshme shifrore, e cila në dëgjim apo pamje të parë, ishte e vështirë për t’u besuar përnjëmend. Bëhej fjalë për një megavjedhje prej 5 milion eurosh, të cilat u zhdukën në “xhepat” proceduriale të disa shoqërive përmbarimore në bashkëpunim me po kaq banka apo bankierë të “specializuar” për këtë lloj bashkëpunimi.
Faktet apo identifikimi i autorëve të papërmendur me emra, u referuan në emision nëpërmjet “NIPT-eve” të tyre fiskale, të cilët me sa duket kuriozuan autoritetet tatimore në lidhje me këtë problem. Pas një kontrolli të dedikuar në lidhje me zbulimin e këtij fenomeni korruptiv, tatimorët e Tiranës konstatuan jo pa habi, se: maja e ‘ajsbergut’ të denoncuar publikisht, ishte në të vërtetë, jo më një masë akulli mediatike, porse një mal shifrash abuzimi dhe vjedhje financiare. Nga aktet e para të kontrollit tatimor vetëm për dy shoqëri përmbarimore, shpërdorimi apo vjedhja kap shifrën e 1.5 miliard lekëve të vjetra.
Fabula doli të ishte e thjeshtë: Brenda një periudhe kohore tre mujore të vitit 2011 disa përmbarues privatë u kontraktuan për ekzekutim detyrimesh monetare nga disa banka. U lidhën kontratat ligjore si edhe u paguan tarifat e shërbimit. Përveç sa tarifave të njohura u ‘shpik’ edhe një tarifë tjetër mbi to, e cila u emërtua “Tarifa 2 %”. Kjo tarifë, të cilën përmbaruesit dhe banka ia ngarkuan në kurriz debitorëve që duhet të shlyenin kreditë bankare, u zhduk tërësisht duke u vjedhur.
Tarifat apo pagesat e përmbarueseve për çdo rast ekzekutimi kundër debitorëve-bankare, ishin të majme dhe parapaguheshin fillimisht nga bankat, për t’iu llogaritur dhe ngarkuar më pas debitorëve të tyre, së bashku me komisionet, gjobat, kamatëvonesat sikurse edhe “Tarifën 2%”. Ligji apo mekanizmat e tij njihnin tarifa shpërblimore të përcaktuara për çdo lloj debie që merrej për ekzekutim përmbarimi. Në shifra, sipas llojit të shumave monetare përmbaruesit u paguan nga 5,6% deri 2,4% të shumave që fillonin të ekzekutonin.
Mekanizmi i Vjedhjes
Nëse një debitor i Bankës kishte (X) lekë detyrim ndaj saj, kjo e fundit për rimarrjen e shumës pajtonte një përmbarues privat, i cili parapaguhej me (5,6%) të vlerës (X) që Debitori i kishte detyrim Bankës. Mbi këtë u aplikua edhe një tarifë tjetër, ajo e “Tarifës 2%”, dhe totali që duhej të paguante në fund debitori, dilte të ishte 5,6% + 2%. Pra, 7,6% të shumës (X).
Por çfarë ishte “Tarifa 2%”? Nëse përmbaruesi ishte paguar një herë për punën e tij në masën 5,6% të shumës që ekzekutonte, kjo shumë tjetër parapagimi çfarë ishte – shpërblim tjetër, apo shpërblim mbi shpërblimin e marrë njëherë? Si e justifikonin bankat pagimin e kësaj tarife duke i ngarkuar huamarrësit e tyre dy herë, me dy tarifa përveç se me gjobat, komisionet, kamatëvonesat bankare që vazhdonin të rëndonin xhepat e tyre?!
Artifica ligjore ‘u gjet’ asokohe kur vjedhja u mendua se s’do gjendej kurrë. Rreth 20 përmbarimorë të pajtuar me këtë “mision”, për tre muajt e parë të vitit 2011, aplikuan “Tarifën 2%”, mbi shpërblesën që u njihte ligji, duke e vjelur apo mbledhur atë me argumentimin se: “ Kjo është tarifë që do shkojë në buxhetin e shtetit”.
Bankat filluan t’i paguanin dy herë përmbaruesit e tyre. Kjo në shpinë të debitorëve huamarrës, ku një pagesë e majme shkonte për shpërblesën tarifore që i njihej me ligj përmbaruesve, dhe një tjetër që sipas tyre ishte “shpërblesë” që do duhej të shkonte në buxhet të shtetit, pasi përmbarimorët supozohej se ishin në rolin e axhentëve tatimorë në punën që kryenin.
Axhentët e vetquajtur tatimorë që në fakt rezultoi se ishin vetëm disa ‘hajni’ përmbarimore, referuar të dhënave të emisionit televiziv të shfaqur dy muaj më parë, nga 5 milion euro të mbledhura në emër të shtetit, rezultonte të kishin hedhur në llogarinë shtetërore të thesarit vetëm 4 milionë lekë të vjetra (periudha 2011-2013).
E vërteta ligjore faktohet thjeshtë: Udhëzimi Nr.1240/4, datë 15.9.2009 në një rresht të tij i rendiste përmbaruesit privat si ata shtetërorë në të njëjtën kategori, atë të mbledhësit të “Tarifës Shtetërore 2%”. Në fakt, nuk dihet saktësisht nëse ky ishte vetëm një lapsus ligjor i cili ishte kryer vetëm për shkakun se shërbimi privat përmbarimor nuk kishte filluar ende punën e tij. Udhëzimi datonte në 2009 dhe puna e përmbaruesve privatë filloi një vit më pas. Shërbimi Përmbarimor Privat filloi në Tetor 2010 dhe Ministrat e asaj kohe: I Financave dhe i Drejtësisë, pasi ‘pikasen’ defektin ligjor e shfuqizuan menjëherë në Mars 2011 këtë udhëzim, duke lënë në fuqi vetëm Udhëzimin 1240/5 (I dalë ekzaktësisht për përmbaruesit privatë) të po këtij viti.
Por ishte “vonë”. Vetëm disa muaj ‘lapsusi tarifor’ mjaftuan për disa milionë euro vjedhje ‘ligjore’. Megjithëse Udhëzimi Nr.1240/4, datë 15.9.2009 ishte nxjerrë në referim të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për Taksat Kombëtare”…ku parashikohej se :
“Agjent i Taksave” është vetëm personi, i cili, sipas kërkesave të këtij ligji, është përgjegjës për llogaritjen, arkëtimin dhe transferimin në llogaritë e Buxhetit të Shtetit të të ardhurave nga taksat kombëtare – disa përmbarimorë privatë u vetquajtën të tillë dhe Bankat që bashkëpunuan me ta “I besuan”, por ca më keq se kaq: edhe i paguan.
Nga citimi ekzakt ligji parashikonte si axhentë tatimorë vetëm personat të cilët e kryenin këtë shërbim dhe këta s’mund të ishin përmbaruesit privatë, por vetëm ata shtetërorë. Këta të fundit ligji i ngarkonte me detyrën e marrjes së vlerave monetare në interes të buxhetit të shtetit shqiptar. Këtu përmbaruesit privatë nuk hynin fare. Megjithatë disa syresh e ‘futën’ veten me dëshirë në këtë kategori..dhe pasi volën “Tarifën 2%” ‘në emër dhe interes të shtetit’, rezultoi se nuk e derdhën apo dorëzuan këtë shumë në llogarinë e tij.
Operacioni përmbarimor-bankar zgjati vetëm tre muaj të vitit 2011, pasi Ministria e Financave e asaj kohe nxitoi të shfuqizonte atë udhëzim ‘të dyshimtë’ që u jepte palëve të drejtën për t’u zhytur pa fund në parajsën “Tarifa 2%”. Por ajo Ministri nuk kontrolloi asnjëherë dëmin e shkaktuar nga ‘axhentët e rremë’ tatimorë, të cilët në një formë të pavetëdijshmem ose jo i prodhoi vetë. Lapsusi nënligjor, kushtoi miliona. Autorët e përvetësimit të tij u harruan, për disa vjet. Megjithëse vetëm tre muaj mbledhje 2-përqindshash ‘shtetërorë’, shuma e vjedhur dhe e pakthyer ende në buxhetin shtetëror mendohet të jetë rreth 12 milion euro.
Vetëm njeri prej subjekteve të kontrolluara përmbarimorë është gjetur se ka abuzuar dhe zhdukur një shumë prej 1 miliard lekësh të faktuara deri tani nga materialet e tatimorëve të Tiranës. Verifikimi i materialeve shpërdoruese në emër të misionit publik shtetëror, ka pak kohë ka nisur dhe po kryhet nga ana e organeve tatimore. Me ardhjen e tatimorëve të qeverisë së re procesi duket se është ende i vështirë për t’u zbardhur plotësisht, pasi përfshirja e bankave, përmbaruesve, por mbi të gjitha e shifrave marramendëse të vjedhura nga xhepat e debitorëve apo buxhetit shtetëror janë një frenues domethënës në zbardhjen përfundimtare të tij.
Ministria e Drejtësisë është ‘thirrur’ në ndihmë për të bashkëpunuar në faktimin juridik të shpërdorimit të gjetur nga tatimorët. Supozohet se kjo Ministri do jetë shumë aktive në këto kohë angazhimesh të mëdha pro-ligjore. Ana juridike e justifikimit të shumave të vjedhura nga përmbarimorët në bashkëpunim me disa banka, mendohet të jetë një fakt që do t’i shërbejë organit të akuzës për të goditur një nga abuzimet më të mëdha të ndodhura me sistemin e drejtësisë. Organi i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, si shtetëror ashtu sikurse së fundi, ai privat ka rezultuar të jetë një nga hallkat me problematike të sistemit tonë gjyqësor. Korruptimi i kësaj hallke që lidhet drejtpërdrejtë jo vetëm me drejtësinë e dhënë por edhe me sistemin financiar shqiptar, thembra akiliane e të cilit janë “kreditë e këqija”, do të izolonte tërësisht përpjekjet për ribërjen e tij.
Ndoshta, ky rast, apo faktimi i korrupsionit përmbarimor së bashku me atë bankar nuk duhet parë vetëm si një rekord i suksesit të tatimorëve të ‘rinj’, në fillimet e vrullshme të punës së tyre, por më shumë si një majë e zbuluar ajsbergu korruptiv. Pjesa më e errët imagjinohet se është shumë më poshtë…në detin e errët të sistemit të drejtësisë.
Eugen? Mirë e ke qëndisur këtë shkrim por ulu prapë e shkruaj edhe a u gjetën 4 milion dollarët e lefterije lleshit te kqz? Sikur e kini lënë rehat? Lefterijen dhe jozefina leshin (e motra më duket?) e ecejakeve rreth globit tokësor? Meruni me përmbaruesit por mos harroni mësuesit? E tyre!? Nderime autor!