Aleanca Kuqezi ka organizuar një protestë sot në qytetin e Korçës, kundër kërkimeve për eshtra të ushtarëve grekë. Përfaqësues të AK thanë se këtyre kërkimeve u është hapur drita jeshile nga marrëveshja e fshehtë mes Berishës dhe qeverisë së Athinës.
Në emër të AK, Altin Dauti, tha se kjo forcë e re politike dënon me forcë kërkimet për eshtrat e ushtarëve grekë të një lufte që nuk ka ekzistuar në qendër të qytetit të Korçës.
“28 000 dëshmorët janë shqiptarë dhe jo grekë. Berisha e Samaras po bëjnë pazar eshtrash në pazarin e Korçës. Po kërkohen eshtra të një lufte imagjinare. Kërkohen eshtra nga marrëveshjet e fshehta të shtetasit Sali Berisha. Të bëhet publike marrëveshja e Berishës me Athinën. Berisha nuk rresht se shituri identitetin kombëtar. Çdo kërkim që buron nga marrëveshjet e fshehta, do të përballet me kuqezinjtë. Financuesit shqiptarë të Agimit të Artë duhet të arrestohen. Vangjel Dule dhe Spiro Ksera janë aktivistë të qarqeve antishqiptare. Koalicioni i tradhtarëve do të marrë ndëshkimin e duhur” , përfundoi Dauti.