Aleanca Kuqezi ka zhvilluar sot një takim me mbështetësit e saj në Gramsh. Kreu i AK, Kreshnik Spahiu, tha se sipas një vëzhgimi të kryer në profilin e kryeministrit në Facebook, serbët që e pëlqejnë Berishën janë shtatë herë më shumë se shqiptarët e Kosovës.
“85,441 mbështetës nga Serbia për shtetasin Berisha në rrjetin e tij në Facebook, ata që pëlqejnë Sali Berishën nga Serbia janë shtatë herë më shumë se sa shqiptarët nga Kosova. Ky njeri që simbolizon vetëm akte tradhtare duhet të sqarojë publikisht mbështetjen nga afro 100 mijë simpatizantët serbë. Lidhjet e Berishës me Serbinë edhe në rrjete sociale mendoni se çfarë bëhet në aferat e tij korruptive në tetë vite qeverisje”, tha Spahiu para gramshiotëve.
Kreu i AK komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për referendumin e plehrave, duke theksuar se ajo tregoi se është në radhë të parë gjykatë e shqiptarëve. Spahiu theksi se Aleanca Kuqezi është kthyer në tmerrin e Berishës, i cili përpiqet me çdo mënyrë ta bllokojë këtë parti të re politike. “Gjykata Kushtetuese tregoi se nuk është në shërbim të shtetasit Berisha, por është gjykatë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Shtetasi Berisha po përdor çdo metodë shoviniste për bllokimin e Aleancës Kuq e Zi. Është fakt tashmë se tmerri i Sali Berishës dhe Partisë Demokratike është Aleanca Kuq e Zi. Koalicioni i tradhtarëve e di tashmë se do të ndëshkohet me votën e atdhetarëve. Me 23 qershor të tregojmë që vota kuqezi është votë për Shqipëri”, përfundoi Spahiu.
Një fakt më shumë që vërteton se kujt i ka shërbyer dhe vazhdon ti shërbejë Sali Berisha. Nuk duhet lejuar. Drejtësia e të nesërmes duhet të veprojë mbi këtë anti shqiptar të pa shoq.