Aleanca Kuq e Zi reagoi sot për situatën e krijuar në Luginën e Preshevës ditët e fundit, ku lapidari në nderim të luftëtarëve të Kosovës ka tensionuar marrëdhëniet me serbët. Përmes një deklarate për mediat, AK thotë se tensionet politike të ditëve të fundit tregojnë qartë se politika deh diplomacia serbe janë kthyer mbrapsht në kohën e Millosheviçit. Më tej, AK kujton se kryeministri Berisha, i cili një muaj më parë foli për Shqipërinë etnike, ende nuk ka thënë asnjë fjalë për situatën e krijuar në Preshevë.
“Aleanca Kuq e Zi ndjek me shqetësim të madh zhvillimet e përkeqësuara politike në Luginën e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës. Këto zhvillime po ndodhin vetëm pak ditë përpara takimit të pritshëm midis dy kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës, Daciç dhe Thaçi. Tensionet politike të përkeqësuara në Luginën e Preshevës dhe rezoluta famëkeqe e parlamentit serb për shndërrimin e veriut të Kosovës në “Republika Srpska” si në Bosnje, dëshmojnë qartë se politika dhe diplomacia serbe janë kthyer mbrapa drejt recidivave politike e diplomatike të kohës së Millosheviçit. Aleanca Kuqezi kërkon të dijë se ku është fshehur shtetasi Berisha, i cili trumbetoi një muaj më parë se do mbrojë Shqipërinë etnike nga Preveza në Preshevë. Ai po dhunon detyrimet kushtetuese që rrjedhin nga neni 8 i ligjit themeltar “për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë. Aleanca Kuqezi u bën thirrje të përsëritura qeverive në Tiranë dhe Kosovë që të ndërmarrin veprimet e veta politiko-diplomatike, bazuar në aktet juridike të lartpërmendura për të mbrojtur popullin shqiptar në Luginën e Preshevës, historinë, vlerat dhe kontributet e tij në trojet e veta etnike”, thuhet në deklaratën e AK.