Aleanca Kuq e Zi ka protestuar sot kundër takimi të ministrit të Punës Spiro Ksera me deputetët e Agimit të Artë, duke e cilësuar një veprim të tillë si antikombëtar. Sipas SK-së, Ksera u ka deklaruar deputetëvese po punon për ndarjen e Shqipërisë dhe realizimin e të ashtuquajturit “Vorioepir”.
“Kjo është qeveria e shtetasit Sali Berisha e përbërë nga tre ministra grekë dhe 13 filo-grek të cilët ditë pas ditë po provojnë se punojnë kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh sekretari I rinisë kuqezi Adriatik Lapaj. “Njëri shiti detin, tjetri kombësitë dhe tani faktet dhe tradhtitë flasin për punën që po bëhet nga ministrat e qeverisë për ndarjen e Shqipërisë. Ky ministër është turp kombëtar, mbi të gjitha, në këtë 100-vjetor të pavarësisë së Shqipërisë”.
Aleanca Kuq e Zi deklaroi se kjo qeveri nuk është e shqiptarëve sepse ajo nuk gëzon më mbështetjen e popullit dhe po mbahet në këmbë prej aferave tradhtare dhe antikombëtare të shtetasit Sali Berisha i cili nuk rresht së turpëruari kombin shqiptar.