Aktivistë të Aleancës Kuqezi kanë protestuar sot para Ministrisë së Punës, Çështjeve sociale dhe Shanseve të Barabarta kundër neglizhencës së qeverisë ndaj personave me aftësi të kufizuara. Ata thanë se qeveria i ka braktisur invalidët, duke i lënë pa ndihmë financiare, para të cilat sipas tyre po përdoren nga partia në pushtet për të financuar fushatën elektorale.
“Sali Berisha po “verbon” zemrat e të gjithë shqiptarëve, prej pesë muajsh mijëra persona me aftësi të kufizuar kanë mbetur pa ndihmë financiare, po ashtu dhe familjarët që na shërbejnë dhe kujdesen për ne. Partia Demokratike në këtë prag-fushate elektorale po vjedh paratë e invalidëve për të financuar strukturat elektorale për të mbajtur me çdo kusht pushtetin kundër vullnetit të sovranit”, deklaruan aktivistët e AK.
Ata shprehen se 23 qershori duhet të jetë fundi i vuajtjeve të personave të kësaj kategorie.
“Aleanca Kuq e Zi garanton mbarë personat me aftësi të kufizuar se në programin e saj është pjesë integrale dhe solide platforma e veçantë për personat me aftësi të kufizuar, në të cilën, kjo shtresë e përvuajtur dhe harruar e shoqërisë do të trajtohet në mënyre speciale nga qeverisja kuq e zi. Aleanca Kuq e Zi deklaron se 23 qershori duhet të shënojë fundin e vuajtjeve jo vetëm të personave me aftësi të kufizuar, por të gjithë shtresave të shoqërisë shqiptare që kanë probleme shëndetësore”, thuhet në një deklaratë të AK.