Kryetari i AK tregoi provat që janë dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme se këshilltari i Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, është drejtues i “Lëvizjes për pavarësinë e Vorio Epirit”. Spahiu tha se ndërsa në Greqi janë në opozitë, në Shqipëri Agimi i Artë është në pushtet
Aleanca Kuq e Zi ka vendosur nëpërmjet Departamentit Juridik dhe ekspertëve ligjorë të saj t’i drejtohet Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, duke i dorëzuar fakte dhe prova mbi kryerjen e veprave penale dhe krimeve kundër integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale Spiro Ksera.
Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, publikoi përpara opinionit publik fakte dhe dokumente që lidhen me pagesa dhe shpërblime të qeverisë shqiptare në favor të drejtuesve të “Agimit të Artë” në Shqipëri dhe Greqi, posaçërisht kreut të “Lëvizjes për pavarësinë e Vorio Epirit dhe Greqinë e madhe”, Theofan Kaliviotis.
“Prej disa vitesh kreu i kësaj organizate për pavarësinë e Vorio Epirit, Theofan Kaliviotis ka drejtuar protesta ekstremiste, radikale dhe të dhunshme në Athinë kundër shtetit shqiptar, fakt ky që është i provuar nga fotot që i janë bashkangjitur dokumentacionit që do t’i dërgojmë Prokurorisë së Përgjithshme”, deklaroi Spahiu në konferencën për shtyp.
“Prej disa vitesh ministri i qeverisë së shtetasit Sali Berisha ka financuar nga buxheti i shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kreun e organizatës për pavarësinë e Vorio Epirit dhe së bashku ata kanë hartuar planin dhe kthyer në realitet hapjen e degës së “Agimit të Artë” në Shqipëri. Vlen për t’u theksuar së “Agimi i Artë” ka mbetur në opozitë në Greqi, por në Shqipëri rezulton në pushtet dhe instancat më të larta qeveritare. Ndonëse Theofan Kaliviotis ka jetuar më shumë në Athinë se sa në Shqipëri, dhe pavarësisht se nuk është paraqitur asnjë ditë në punë në ministrinë ku ai paguhet, ai rezulton që të jetë një nga zyrtarët e lartë, një nga këshilltarët më të afërt të qeverisë së shtetasit Sali Berisha”, deklaroi Spahiu.
Duke vijuar më tej më zbardhjen e fakteve zyrtare për këtë skandal të paprecedentë Kreshnik Spahiu deklaroi: “Nga fletë-borderoja e pagave të njërës nga ministritë e kabinetit qeveritar të shtetasit Sali Berisha dhe urdhra të tjerë të shërbimit rezulton se Theofan Kaliviotis është paguar në mënyrë sistematike, pavarësisht mosparaqitjes në punë, por për rrjedhojë të angazhimit të tij antishqiptar është shpërblyer dhe paguar për të ngritur degën naziste të “Agimit të Artë” në Shqipëri”.
“Aleanca Kuq e Zi i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë sa më parë hetimin zyrtarë dhe procedimin penal për kriminelët e “Agimit të Artë” dhe zyrtarët e qeverisë së shtetasit Berisha të implikuar në afera që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar, dhe që abuzojnë me taksat e qytetarëve shqiptarë për të rrënuar integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”, tha Spahiu.
“Aleanca Kuq e Zi deklaron se kjo është dosja e parë që i adresohet Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë për krimet e qeveritarëve shqiptarë dhe në kuadër të fushatës të AK “Fytyrat e Krimit”, në vijim do të dorëzohen disa dosje dhe dokumente më të rënda që hedhin dritë mbi krimet e ministrave të shtetasit Sali Berisha”.
FAKSIMILE E PAGESES PER THEOFAN KALIVIOTIS
thjeshte smund ta besoj dicka te tille