Aleanca Kuq e Zi ka reaguar sot pas vendimit të djeshëm të Kolegjit Zgjedhor për ngritjen e 89 ZAZ-ve në të gjithë vendin.
Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun, Rezar Balla, tha se ky vendim është ogurzi për zgjedhjet e ardhshme.
“Dje u bëmë dëshmitarë të etjes së pashembullt të partisë-shtet, e cila tregoi se është e gatshme për të bërë gjithçka që të mbajë pushtetin me çdo kusht dhe metodë. Ditën e djeshme ra këmbana e parë e alarmit se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit janë në rrezik dhe larg standardeve të kërkuara nga Bruskeli dhe insitucionet ndërkombëtare.
Balla tha se partia shtet nisi dje një lojë të pisët, duke vënë nën presion politik gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, për të zbuluar se cilët janë ata gjyqtarë që do të zbatojnë ligjin dhe ata që do të zbatojnë ligjin e partisë-shtet të etur për pushtet.
AK akuzoi Berishën dhe maxhorancën se po orkestrojnë masakrën elektorale të radhës.
“Aleanca Kuq e Zi i bën apel dhe thirrje mbarë institucioneve ndërkombëtarë në vendin tonë dhe OSBE/ODIHR të jenë të vëmendshme përballë masakrës elektorale që partia-shtet po orkestron për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit”, tha Balla.
Kolegji Zgjedhor vendosi dje ndarjen e territorit në 89 ZAZ për zgjedhjet e ardhshme. Para vendimit të djeshëm PS kishte kërkuar ngritjen e 75 ZAZ në të gjithë Shqipërinë, ndërsa PD kërkonte që kjo shifër të ishte 100.