AK akuzon kryeministrin Berisha se po bashkëpunon me qeverinë greke në dëm të sovranitetit territorial të Shqipërisë. Gjatë një takimi me mbështetësit në Durrës, kreu i KA, Kreshnik Spahiu, tha se diplomacia shqiptare nuk po bën asgjë për të mbrojtur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në OKB, në lidhje me çështjen e shitjes së detit.
“Diplomacia greke, në mënyrë konspirative po punon në nivelin e Kombeve të Bashkuara për të bërë fakt të kryer delimitimin e kufirit detar me Republikën e Shqipërisë. Përballë këtij aksioni diplomatik antishqiptar diplomacia e Tiranës vijon të jetë tërësisht pasive dhe e paaftë për të vepruar në mbrojtje të interesave tona kombëtare. Mbasi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë hodhi poshtë si antikombëtare Marrëveshjen Qeveritare Anti-kombëtare Berisha-Samaras për delimitimin e kufirit detar midis dy vendeve në Ngushticën e Korfuzit, aksioni diplomatik grek vijon në konspiracion të plotë të tentojë të transferojë çështjen në Kombet e Bashkuara. Nga burimet e Aleancës Kuq e zi,diplomacia shumëpalëshe shqiptare nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për paraqitjen dhe mbrojtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë në OKB”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, me heshtjen e tyre, Berisha dhe Ministria e Jashtme po u hapin rrugë pretendimeve greke. “Sot është afati i fundit i apelimit të kësaj kërkese nga pala greke, por shtetasi Berisha i ka hapur krahun pretendimeve greke. Aleanca Kuq e Zi e konsideron interes të lartë kombëtar ruajtjen e kufirit detar të Shqipërisë si integritet territorial, si element sigurie, si zonë ekonomike ekskluzive e pasur me florë, me faunë dhe me burime të konsiderueshme nafte, e çmon si pasuri të lartë turistike dhe bazë e zhvillimit të popullsisë rajonale shqiptare nga Butrinti deri në Himarë”, ka thënë Spahiu. Kuqezinjtë i kanë bërë apel Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe misionit shqiptar pranë OKB-së në Nju Jork që të informojnë sa më parë opinionin publik dhe politik mbarë kombëtare mbi këtë çështje.