Më datën 5 Shtator 2013, Presidenti Bujar Nishani dekretoi Muzafer Korkutin si Kryetar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Më parë Korkuti kishte qenë Zv/Kryetar i kësaj Akademie, ai njihet si një arkeolog-studiues sidomos i periudhës para-historike. Në vitet 1998-2005, Korkuti drejtonte Qendrën Arkeologjike për studimet në Albanologji. Deri këtu duket gjithçka në rregull, por… rezulton se numri 1 i Akademisë Shqiptare të Shkencave, mund të ketë një problem me të kaluarën e tij, pasi disa dokumente të konservuara që prej vitit 1967 tregojnë se Korkuti, ka qenë një prej persekutorëve më aktivë të një prej figurave më elitare të historisë së vendit, Eqrem Çabejn. Historia zë fill në prill të vitit 1967, kur ndaj Çabej nisën të vareshin disa “letra-çarçafë” të cilat asokohe quheshin fletërrufe. Një grup arkeologësh, kritikonin faqebotës Çabejn dhe i kërkonin atij të bënte autokritikë për mendimet që kishte dhënë sa i takon sidomos çështjeve që ceknin studime ku përfshihej dhe ky grup arkeologësh. Historia e fletë-rrufeve zgjati thuajse një vit rresht, asokohe Eqrem Çabej ishte 59 vjeç. Në moshën 60 vjeçare, një vit pas këtij sulmi ai u tërhoq nga jeta aktive në Universitet. Grupi i fletërrufeve duket se ja kishte arritur me sukses misionit.
Një histori pa histori
Ndonëse periudha njëvjeçare e persekutimit me fletërrufe të Eqrem Çabejt, ishte një veprim që i dha shkas të fortë tërheqjes së tij nga jeta aktive akademike dhe Universiteti, në shtypin e pas viteve 90-të thuajse kanë munguar “dossierët”që mund të hidhnin dritë mbi këto zhvillime. Fletërrufetë flasin vetë. Domethënia , qëllimi dhe efekti i tyre nuk është i vështirë të kuptohet. Eqrem Çabej duhej të linçohej publikisht. Rezulton se për çështjen e fletërrufeve, ka shkruar jo shumë kohë më parë Auron Tare. Ai e lidhte këtë histori në mënyrë të veçantë me emrin e kreut të sotëm të Akademisë së Shkencave. Sipas Tares, Korkuti e kishte personal problemin me profesor Çabejn. “Korkuti i botoi për herë të parë shënimet e tij për pikturat shkëmbore të Trenit në 1969 në botimin “Studimet Historike”. Ky botim u prit me interes në atë kohë pasi arkeologu Korkuti pretendonte se zbulimi i tij sillte një risi në historinë e popullatave prehistorike në Ballkan por ajo që ishte më e rëndësishme, Korkuti mendonte se ky art shkëmbor i përkiste popullsive Ilire të mijëvjeçarit të dytë para krishtit. Ky mendim, i cili në fakt kishte pak vite që artikulohej nga arkeologu Korkuti ishte kundërshtuar nga një personaliteti i rëndësishëm i studimeve albanologjike si Çabej, i cili mendonte se përfundimet e nxituara të Korkutit me shokë mbi çështjet parailire kishin sfond politik dhe jo shkencor. I sapo kthyer nga Kina dhe i frymëzuar nga revolucioni kulturor kinez Muzafer Korkuti atë kohë ishte një prej persekutorëve më të zellshëm të profesorit të nderuar Eqrem Çabej.“, – shënon Tare në lidhje me këtë çështje në një artikull të tij botuar në vitin 2009.
Akademia e kujt?
Akademia e Shkencave funksionon prej dekadash në Shqipëri. Akademia si institucion presupozon përfaqësimin e ajkës së elitës intelektuale dhe akademike të vendit. E megjithatë, Shqipëria është një vend ku jo pak kohë më parë, thuajse gjithë elita universitare, u
vu në rresht si në kazermë për të nënshkruar një peticion politik të imponuar nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ky fakt shënoi një rast të paprecedentë, në asnjë vend të Ballkanit nuk ka një shembull të ngjashëm në dy dekadat e fundit kur drejtuesit dhe intelektualët kryesorë të universiteteve publike të vendit, të vihen në rresht “me një të rënë të bilbilit”. Por “intelektualizmi” universitar e më gjerë ka njohur edhe ndodhi “spektakolare” siç është rasti i italianit Renzo Bossi dhe diplomës së tij të siguruar në një universitet privat. Konteksti i botës intelektuale në Shqipëri na shfaqet edhe i tillë, me të tilla skizma. Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave, presupozon përfaqësimin e rangut më të lartë, që si rregull duhet të vërë në shina këto problematika. Po çfarë bëjnë akademikët gjithë ditën xhanëm? Kësaj pyetje kërkuam t’i shkojmë deri në fund dhe nisëm të kërkonim mbi aktivitetin e Akademisë së Shkencave.
Kjo akademi përveç funksioneve me objekt studimi historik ka në statutin e saj të përcaktuara qartësisht dhe dy funksione themelore:
1. Të propozojë fusha të reja kërkimore e studimore, në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit.
2. T’u ofrojë institucioneve të larta shtetërore këshillimin dhe ekspertizën e nevojshme në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
Por duket se Akademia paraqet një kontrast të fortë në raport me funksionin ligjor dhe produktin që ajo prodhon në terren. Në disa raporte vjetore të bëra nga kjo Akademi vitin e fundit nuk gjejmë kurrkund të shënuar ndonjë studim që ka lidhje me nevojat aktuale të vendit dhe të çështjeve dhe sfidave themelore të Shqipërisë dhe shtetit të saj. Në raportin e vitit 2012 kjo Akademi ka renditur një sërë aktivitetesh brenda dhe jashtë vendit, ku anëtarët e saj kanë shkuar e kanë mbajtur referate për çështje që lidhen në pjesën dërrmuese
me debate mbi historinë apo arkeologjinë. Asnjë rresht apo studim për çështje akute të vendit, si politika e jashtme, arsimi, zhvillimi ekonomik etj. Nëse konsulton faqet e Akademisë së Shkencave të Serbisë apo të Greqisë, diferenca në produkt ndihet menjëherë. Në të njëjtin raport të vitit 2012, kjo Akademi, njoftonte se kishte ezauruar 100 për qind buxhetin e saj prej afro 778 mijë dollarësh. Botimet për këtë vit janë thuajse të gjithë me karakter historik. Asnjë nevojë imediate nuk duket se ka pasur shteti shqiptar në të tashmen, vetëm e kaluara mbetet objekt i punës së Akademisë. Por, siç tregojnë edhe fletërrufetë , jo vetëm e tashmja por dhe e kaluara shfaq problemet e veta për Akademinë e drejtuar tashmë nga Muzafer Korkuti, persekutor i dikurshëm Eqrem Çabejt, tashmë Kryeakademik i vendit.
***
FLETËRRUFEJA 1
PRILL 1967
Fletë-rrufe
Prof. Eqrem Çabejt
Ne çuditemi pse vazhdoni të mbani qëndrim të rezervuar karshi rezultateve të arkeologjisë sonë, në lidhje me sqarimin e problemit të lashtësisë ilire, aq më tepër për epokën prehistorike (Eneolith dhe bronx) ku të dhëna gjuhësore nuk ka? (Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, dispensë, kumtesa: Disa probleme themelore të historisë së vjetër të gjuhës shqipe, Konferenca I e studimeve albanologjike, dhe në diskutimin tuaj të fundit.)
Në dispensën tuaj “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe” ju flisni gjerësisht për shkencëtarët e huaj që janë marrë me gërmime arkeologjike, kurse për rezultatet e arritura nga arkeologjia shqiptare mjaftoheni me një paragraf të thatë e të përgjithshëm. Pse ky qëndrim?
A vazhdoni të mbani mendimin tuaj se koha e këtij shtegtimi dhe e vendosjes së tyre në Gadishull (është fjala për prehistorinë e popullit shqiptar) nuk mund të caktohet më qartë as historikisht as me mjetet e arkeologjisë? (kumtesa f. 91)
Pse ju vazhdoni të konsideroni qytetet ilire Amantinë, Byllisin, Foiniken koloni greke (kumtesa f. 105) kur të dhënat arkeologjike dhe burimet e tjera tregojnë të kundërtën?
Kolektivi i Sektorit të Arkeologjisë
Skënder Anamali
Bep Rebani
Zhaneta Andrea
Hasan Ceka
Dhimosten Budina
Hëna Spahiu
Muzafer Korkuti
FLETËRRUFEJA 2
TETOR 1967
Shokut Eqrem Çabej
Më 3 maj ne varëm një fletë-rrufe në të cilën shkruanim se përgjigja juaj nuk na kënaqi. Nga 3 pyetjet, 2 ju nuk ju përgjigjët fare, kurse çështjen sesi i vlerësoni rezultatet e arkeologjisë, në thelb i shmangeni, sepse pohimet tuaja “se nuk i kini ndjekur sa duhet sukseset e arkeologjisë” dhe “s’ka si të mos i njoh rezultatet e saj” s’kanë të bëjnë fare me atë që ne kërkojmë.
Ne nuk synojmë t’i imponojmë askujt pikëpamjet tona. Në shkencë diskutimi dhe rrahja e mendimeve është ligj e metodë pune. Fletë-rrufetë tona të mëparshme dhe kjo e sotmja kanë për qëllim të sqarojnë disa probleme me karakter shkencor.
Duke vështruar çështjen nga kjo anë nuk na duket korrekte që edhe pse kanë kaluar 5 muaj, ju akoma nuk keni denjuar t’i epni përgjigje fletë-rrufesë sonë të 3 majit.
Si ta shpjegojmë sjelljen tuaj: me mungesën e kohës apo me ndonjë arsye tjetër?
Po ju shokë të sektorit të gramatikës dhe punonjës të tjerë të Institutit si i shikoni këto çështje?
Pse nuk merrni pjesë në këtë diskutim shoqëror?
Kolektivi i Sektorit të Arkeologjisë
Skënder Anamali
Hasan Ceka
Dhimosten Budina
Hëna Spahiu
Bep Rebani
Zhaneta Andrea
Muzafer Korkuti
FLETËRRUFEJA 3
PËRGJIGJE PROF. EQREM ÇABEJT
Edhe në përgjigjen tuaj të dytë nuk ka aspak autokritikë, por vetëm justifikime me formulime të stërholluara.
– Ju vazhdoni të pretendoni se i kini vënë në dukje meritat e arkeologjisë shqiptare. Kjo është jashtë mendsh të bëhet nga një njeri që nuk i njeh rezultatet e arkeologjisë. Kur ju shkruani në përgjigjen e parë se “unë s’ka si mos të njoh rezultatet ku me mjete të tjera arrihet aty ku ka arritur prej kohësh gjuhësia shqiptare në lidhje me autoktoninë ilire të popullit tonë”, tregoni haptas se nuk njihni thelbin e problemit, çështjet që ne na ndajnë dhe çështjet që ne na bashkojnë për problemin e autoktonitetit.
– Ju thoni se në parim nuk keni asnjë preferencë për shkencëtarët e huaj. Këtë parim nuk e keni vënë në jetë në dispencën tuaj “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, kur citoni të gjithë arkeologët e huaj që kanë bërë kërkime para çlirimit, në fushën e kulturës greke e romake dhe nuk thonë asnjë fjalë për kulturën ilire, për problemin e lashtësisë dhe autoktonitetit të ilirëve. Në rastin konkret jo vetëm që nuk i përmbaheni parimit, por citimet nga sa del janë bërë për të treguar erudicion, për të dhënë peshë tezës suaj. Dhe çështë më keq, për këtë rast, që ju kritikojmë, nuk bëni autokritikë, por përgjigj për çështje të tjera.
– Ju thoni se keni rezerva parimore lidhur me barazimet: kulturë prehistorike-etnos-gjuhë. Sa për dijeni ju thoni (se ndoshta nuk jini i informuar) se në asnjë studim arkeologjik nuk gjen një barazim të tillë.
I pari nga pikëpamja metodologjike më i rëndësishëm për t’u goditur deri në fund është koncepte antishkencor, që ju vazhdoni të mbroni me këmbëngulje, për rolin që lot historia dhe arkeologjia në përcaktimin më të qartë të kohës së shtegtimit dhe të vendosjes së stërgjyshërve tanë në Ballkan.
Këtu gaboni në shumë çështje:
1. Ju arsyetoni në bazë të të dhënave gjuhësore (f. 91 e kumtesës) për përcaktimin e rrugës së shtegtimit të ilirëve dhe nxirrni konkluzionet përkatëse, por gaboni metodologjikisht kur nga të dhënat gjuhësore nxirrni konkluzionin mohues-kategorik se kjo çështje nuk mund të caktohet më qartë nga një shkencë tjetër.
2. Po në këtë rast (f. 91) shkruani: “Disa elemente etnografikë duket se e mbështesin këtë mendim”. Ç’qëndrim i çuditshëm për një shkencëtar që do të provojë tezën e vet; në një anë në të dhënat etnografike kërkon mbështetje dhe në anën tjetër, arkeologjinë që jep të dhëna të tjera e mohon duke thënë se një çështje e tillë arkeologjikisht nuk mund të përforcohet më qartë.
3. Do të ishte egoizëm dhe mendjemadhësi për një gjuhëtar që nuk përfill shkencat e tjera dhe që për të vetëm gjuhësia mund të thotë fjalën e fundit.
4. I parë më në thellësi koncepti juaj i mohimit të rolit që luan prehistoria në përcaktimin e problemeve të rëndësishme si ai i etnogjenezës etj. e ka burimin nga teoria reaksionare e arkeologjisë borgjeze e shek. kaluar, që mohon tërësisht rolin ekonomik e shoqëror të shoqërisë paraklasore, të shoqërisë që nuk njeh shkrimin, periudhë të cilën e studion arkeologjia prehistorike.
Mbas rrahjes së mendimeve me anë fletërrufesh, mendoj se komiteti profesional duhet të organizojë një mbledhje të gjithë kolektivit për të diskutuar çështjet e ngritura në fletërrufetë.
Muzafer Korkuti
Tiranë, më 14/11/1967

presidenti jar nishani ka shume keshilltare sepse vete eshte i paafte te marre ndonje vendim qofte edhe per paaftesine e tij natyrore. Te gjithe keta keshilltare disa te shkurter disa te gjate, disa me floke e disa pa floke, njerin qe ka vite qe e merr me vete kudo qe shkon se gojet e liga thone se i ndajne te mirat dhe te ligat bashke, te gjithe keta na kushtojne ne taksapaguseve shqiptare rreth 50 milione leke te vjetra ne muaj, vetem rrogat pa llogaritur ketu parate per sherbimet, telefonat, makinat etj. A duhet ndonje nga keta keshilluesit partiake te mbaje pergjegjesi per kete vendim dhe a do te kete fuqi presidenti i pafuqishem qe merret me foton e tij te largoje keshilluesin e keq?
Presidenti nuk lidh dot ushkuret e tij mos ja veni re.
E ka bere.Muzafer Korkuti,Androkli Kostallari,Stefanaq Pollo,kane qene si keshilli i larte i inkuizicionit politik ne akademine e shkencave dhe me pare ne fakultetin histori-filologji.E kane sulmuar gjithmone politikisht Cabeun e madh keto skerbythje qe nuk i arrinin as tek thembra,i kane krijuar shqetesime,i kane nxire jeten,.Muzafer Korkuti eshte edhe plagjator i vepres se Hasan Cekes