Kompania Plus Communication Sh.a ka kërkuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike Postare (AKEP), të vendosë konkurrencë të barabartë në treg. Kjo në mënyrë specifike për frekuencat që në gjuhën e përditshme njihen si 3G dhe 4G. AKEP ka dhënë përgjigje zyrtare për këtë pretendim, duke sqaruar se autoriteti po përpiqet të vendosë kushtet e barabarta në treg. Lidhur me pretendimin për vonesë nga ana e AKEP për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave në brezat 1900-1980 MHz, 2110-2170 MHz (IMT), autoriteti ka sqaruar se “dhënia e të drejtave të përdorimin të frekuencave në brezat që mundësojnë ofrimin e shërbimit UMTS ose të njohur ndryshe si 3G mbi bazën e ligjit nr. 9918, datë 19/05/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të pandryshuar, bazuar në përfundimet e këshillimit publik të kryer në muajin tetor 2010 dhe aktet për kryerjen e procedurave të konkurrimit publik me tender të hapur ndërkombëtar, ka filluar që në muajin dhjetor 2010 me procedurën për dhënien e 1(një) të drejte përdorimi”. Sipas AKEP kjo procedurë u pasua nga 3 procedura të tjera, në periudha kohore të arsyeshme, në përputhje me interesin publik dhe privat, për dhënien e autorizimeve përkatëse individuale të planifikuara dhe miratuara nga Qeveria e asaj kohe. “Pasi 2 të drejta ishin fituar, procesi i dhënies së 2 autorizimeve individuale të tjera, u krye duke nxjerrë në konkurrim publik me tender të hapur ndërkombëtar 2 të drejta përdorimi bashkërisht”, sqaron AKEP. Sipas njoftimit zyrtar autorizimi i tretë individual në këtë proces u fitua nga sipërmarrësi Eagle Mobile, ndërsa sipërmarrësi Plus Communication për autorizimin e katërt individual paraqiti ofertë nën vlerën minimale të përcaktuar nga Ministri i linjës në atë kohë në zbatim të kompetencave ligjore dhe për këtë arsye oferta e tij ishte e pavlefshme. Sipas këtij argumenti shprehet qartë se “procedurat e zbatuara nuk kanë qenë asnjëherë të vonuara, jo transparente, por në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe politikat e Qeverisë për zhvillimin sektorial , si dhe në asnjë rast nuk kanë qenë diskriminuese ose përjashtuese për sipërmarrësin Plus Communication”.