Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) hapi dje tenderin publik me objekt: “ Dhënia e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 1965 – 1980 MHz çiftuar me 2155- 2170 MHz dhe 5 MHz spektër i paçiftuar 1915 – 1920 MHz”. Sipas njoftimit, ofertat duhet të dorëzohen jo më vonë se data 15 Shtator 2014. Edhe pse flitet për një shtesë frekuence, ende nuk saktësohet nëse është frekuenca 3G, apo 4G. Sipas dokumentit të tenderit, të miratuar pak ditë më parë, procedura e tenderit zhvillohet për të dhënë 4 (katër) autorizime në brezat e frekuencave sipas tabelës së mëposhtme për përdorim në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Të gjithë ofertuesit që kanë një Autorizim për përdorimin e frekuencave të brezit 1920-1980/2110-2170 MHz në Republikën e Shqipërisë si dhe ortakët e tyre të çdo lloji mund të paraqesin ofertë për marrjen e vetëm një të drejtë përdorimi. Rregullat e tenderit parashikojnë që çmimi i ofertës është kriteri i vetëm për vlerësimin e ofertës. Do të vlerësohet me 100 pikë oferta që do të paraqesë çmimin më të madh. Sipas rregullave të tenderit, çmimi minimal i pranueshëm për ofertuesit për secilën nga të drejtat e përdorimit do të jetë 1.485.000 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e pesë mijë) Euro. Ofertuesit të cilët kanë ofruar në ofertën e tyre një çmim më të vogël së 1.48 milionë euro, në kriterin “çmimi i ofertës” do të skualifikohen, sipas rregullave të tenderit.
Gjynah, le te bejne ndonje lek edhe biznesmenet qe kontribuan ne fitoren e Rames, rigorozisht me konkurse dhe me merite kuptohet.