Dalin datat e provimit për licencat e reja në profilet mjekësore, të cilat ishin të bllokuara që prej nëntorit të vitit të shkuar. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka zbardhur gjatë ditës së djeshme kalendarin e testimeve për mijëra kandidatë që janë në pritje të marrjes së licencës në profilet mjekësi e përgjithshme, stomatologji, farmaci, fizioterapi, teknik imazherie, teknik laboratori, infermier, mami, dhe logopedi.
Në vijim të shkrimit gjeni të plotë kalendarin e testimeve për secilin specialitet. Testimet do të nisin me datën 10 shkurt, ku të parët që do të kalojnë provën e dijeve për t’u pajisur me licencën profesionale janë të diplomuarit në mjekësi të përgjithshme, për të vijuar më pas sipas datave të përcaktuara, me stomatologët, farmacistët, etj. Rezultatet e këtyre testimeve janë tepër të rëndësishme, pasi vetëm nëpërmjet tyre të diplomuarit në specialitete mjekësore do të mund të fitojnë të drejtën ligjore për të ushtruar profesionin.
Konkretisht rezultatet kaluese në këtë provim e pajisin kandidatin me licencën profesionale në fushën ku janë kualifikuar, çka e lejon atë që të aplikojë për të siguruar një kontratë pune në institucionet mjekësore, publike apo private të vendit. Kandidati ka të drejtë të japë provimin e shtetit jo më shumë se pesë herë. Sipas rregullores, nëse një kandidat nuk paraqitet në provim ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer.
Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit. Tërheqja nga provimi i shtetit nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallën e provimit. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën, pasi rezultojnë mbetës. Nëse kandidati nuk e merr provimin me herën e parë, kur ta japë atë sërish, duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë.
Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të kandidatit. Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.
