Çelësi i përgjigjeve të sakta për gjuhën angleze, italiane, spanjolle, gjermane, turke, frënge, greke, ekonominë bërthamë dhe ekonominë e thelluar, filozofinë, sociologjinë, historinë bërthamë dhe të thelluar, gjeografinë bërthamë dhe të thelluar, kiminë bërthamë dhe të thelluar, biologjinë bërthamë dhe të thelluar, fizikën bërthamë dhe fizikën e thelluar, psikologjinë, letërsinë, matematikën, teknologjinë bërthamë, teknologjinë e thelluar, si dhe qytetarinë, histori arti, baleti dhe muzike, gjenden të detajuara në www.akp.gov.al.
***
Dhjetëra mijëra maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar gjatë ditës së djeshme provës finale të maturës 2016, duke dhenë edhe dy provimet e fundit në lëndët me zgjedhje. Sikundër ndodh me provimet e tjera të detyruara, rezultatet kaluese në testimet me zgjedhje janë vendimtare jo vetëm në mbylljen me sukses të studimeve të shkollës së mesme, por edhe në vijimin e mëtejshëm të garës për të fituar të drejtën e ndjekjes së universitetit në një nga programet e preferuara. Për tre orë me radhë maturantët kanë plotësuar 40 pyetjet finale për të dy testet me zgjedhje, të cilat ishin të kombinuara ndërmjet pyetjeve me alternativa, si dhe atyre me shtjellim. Për të qenë kalues në të secilin prej këtyre testimeve, maturanti duhet të sigurojë me përgjigjet e dhëna detyrimisht 8 pikë, nga 40 pikët totale me të cilin vlerësohet secili test. Në të kundërt duhet të presë sezonin e vjeshtës për të dhënë sërish provimin, por ndërkohë humbet të drejtën për të aplikuar në garë për të fituar studimet e larta, në një nga universitetet publike të vendit përgjatë vitit të ri akademik 2016-2017, aplikime të cilat do të nisin në fillim të muajit korrik. Për të orientuar maturantët në lidhje me pikët që mund të marrin në provimet me zgjedhje, Agjencia Kombëtare e Provimeve, ka detajuar dje gjatë orëve të vona të mbrëmjes edhe skemat me përgjigjet e sakta për testet e 29 lëndëve që u dhanë si provimeve me zgjedhje. Çelësi i përgjigjeve të sakta për gjuhën angleze, italiane, spanjolle, gjermane, turke, frënge, greke, ekonominë bërthamë dhe ekonominë e thelluar, filozofinë, sociologjinë, historinë bërthamë dhe të thelluar, gjeografinë bërthamë dhe të thelluar, kiminë bërthamë dhe të thelluar, biologjinë bërthamë dhe të thelluar, fizikën bërthamë dhe fizikën e thelluar, psikologjinë, letërsinë, matematikën, teknologjinë bërthamë, teknologjinë e thelluar, si dhe qytetarinë, histori arti, baleti dhe muzike, gjenden të detajuara në www.akp.gov.al.
Korrigjimi
Tashmë janë përzgjedhur dhe trajnuar mësuesit që do të kryejnë procesin e korrigjimit të testeve me zgjedhje përgjatë ditëve në vijim në të gjitha qendrat e vlerësimit të ngritura nga MAS. Sipas skemës së korrigjimit, për pyetjet me alternativa, korrigjimi do të bëhet me 0 dhe 1 pikë. Maturanti merr një pikë kur ka rrethuar përgjigjen e saktë. Vlerësimi me 0 pikë bëhet kur nuk është rrethuar asnjë alternativë, kur është rrethuar një tjetër dhe jo përgjigja e saktë (përgjigje e gabuar), kur janë rrethuar dy ose më shumë alternativa, i është vënë kryq një rrethimi ose përbri ka shënuar gabim dhe rrethon më tej alternativën e saktë. Ndërsa për pyetjet me zhvillim mësuesit do korrigjojnë me kujdes çdo përgjigje të nxënësit edhe në rastet kur ka ndjekur rrugë tjetër nga ajo e përcaktuar. Shihen me kujdes edhe përgjigjet e nxënësit, kur i është dashur të dalë jashtë hapësirës së përcaktuar për zgjidhjen. Secili test me zgjedhje i maturës 2016, përmban 20 kërkesa, nga të cilat 10 kërkesa janë me përgjigje alternative dhe përbëjnë 10 pikë, si dhe 10 kërkesa të tjera janë me zhvillim dhe do vlerësohen me 30 pikë. Kështu, në total, një maturant për të marrë notën maksimale duhet të mbledhë 40 pikë nga përgjigjet e dhëna.
Gara për të fituar studimet e larta
Pasi të marrin edhe vlerësimet për lëndët me zgjedhje, maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara do i nënshtrohen garës zyrtare të konkurrimit për të vijuar studimet e larta në një nga fakultetet publike të vendit, gjatë vitit të ri akademik 2016-2017. Garë, e cila do të zhvillohet tërësisht në kushte të reja, pasi nuk do të ketë më një formular A2, por aplikimet për degët e studimit do të bëhen online direkt e në universitete. Me përfundimin e provimeve me zgjedhje, maturantët tashmë janë në pritje edhe të udhëzimeve zyrtare të MAS, mbi afatet dhe procedurat që do të ndiqen mbi aplikimet për degët universiteteve. Ajo që dihet deri më tani është se maturantët mund të aplikojnë në 10 programe studimi, dhe nëse fitojnë në disa prej tyre mund të vendosin vetë se ku duan të bëjnë regjistrimin final. Ndërkohë që në vitet e shkuara, ishte MAS ajo që përcaktonte nëpërmjet kushtit të preferencave, se në cilën prej degëve maturanti duhej të bënte regjistrimin final. Pak më herët edhe fakultetet kanë përcaktuar kriteret me të cilat do të konkurrohet për të vijuar studimet e larta. Konkretisht, në garë për të fituar universitetin mund të marrin pjesë të gjithë kandidatët që kanë një mesatare të shkollës së mesme mbi notën 6. Me përmbushjen e këtij kriteri, çdo kandidat ka të drejtë që gjatë aplikimeve të regjistrohet në 10 programe të ndryshme studimore. Fituesit do të përzgjidhen sipas kritereve specifike të vendosura nga vetë universitetet publike, ku krahas mesatares së shkollës së mesme, do të merren në konsideratë edhe mesataret e grup-lëndëve që klasifikohen si prioritet për çdo degë studimi.
Dalin sot edhe notat e letërsisë
Grupet e ekspertëve të përzgjedhur, kanë përfunduar tashmë korrigjimet për testet e provimit të dytë të detyruar në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë, që është zhvilluar në datën 11 qershor, shpallja e të cilave do të bëhet publike nga MAS, përgjatë ditës së sotme. Burime pranë AKP-së bëjnë me dije se pjesa dërrmuese e notave të marra në provimin e letërsisë i përkasin nivelit mesatar. Pavarësisht pretendimeve që mund të kenë maturantët mbi vlerësimet e marra, ata nuk do të mund të ankimojnë rezultatin e provimit. Ndërkohë që kanë të drejtë që të kërkojnë tërheqjen e kopjes së korrigjuar, por pa pasur mundësi që të ndryshojnë rezultatin. Gjatë ditëve në vijim do të bëhen publike edhe afatet dhe procedurat që duhet të ndiqen për marrjen e kopjes së korrigjuar të testeve të maturës 2016. Bazuar në përcaktimet e rregullores së provimit, autoritetet e arsimit sqarojnë se vlerësimi i testeve ka kaluar në disa duar, çka do të thotë se mundësia për të bërë vlerësime të gabuara është zero. Sipas tyre, çdo test ka kaluar minimalisht në duart e dy korrigjuesve, dhe në rastet kur mes tyre ka pasur diferenca në vendosjen e pikëve, testi është korrigjuar nga një vlerësues i tretë. Ka edhe nga ata maturantë që nuk do ta gjejnë veten e tyre në listë. Kjo pasi testet e tyre janë klasifikuara si të dyshuara për kopje, dhe do tu nënshtrohen verifikimeve nga një komision ekspertësh. Ky komision do të japë edhe vlerësimet përkatëse nëse maturantit do ti njihet rezultati ose jo.
