Vizitës në varreza nuk i shmangemi dot, edhe pse do të donim. Dikush më rrallë e dikush më shpesh ndjen nevojën të shkojë, të përcjellë një mik në banesën e mbrame, apo “të flasë” me dikë që i mungon. Dhe nëse ka një vend ku njeriu ndjen nevojën të jetë në paqe me veten dhe me botën, është pikërisht atje. Qeparisi nuk është zgjedhur më kot si pema e varrezave. Ai është mjaftueshëm i kthjellët, i gjelbër, i konturuar dhe hijerëndë për të vigjiluar paqen mbi ata që prehen atje, por dhe mbi ata që kanë nevojën të jenë vizitorë të të afërmve.
Thuhet shpesh që nivelin e një vendi e percepton menjëherë nga sjellja dhe imazhi i policëve dhe doganierëve në pikat kufitare. Është e vërtetë. Por, është po aq e vërtetë, që gjendjen e një vendi e percepton fare mirë edhe nëse shikon (qoftë edhe me Google – Image) varrezat e atij vendi. Sepse, askund, më shume se në varreza, reflektohet ana më e mirë e të gjallëve. Askund, më mirë se në varreza, reflektohet pjesa më e shëndetshme e kulturës, rregullit, zakoneve dhe ndjeshmërisë shpirtërore të një populli. E nëse ato janë një kaos? E nëse ato janë një rrëmujë e përbaltur kangjellash, çatish llamarine, betoni e ferrash? Pjesa tjetër merret me mend.
Made in Albania!
Po a mundet që varrezat shqiptare të shpëtonin nga tiparet e vrazhda të një tranzicioni alla frankeshtajn, përmes të cilit e hoqën zvarrë Shqipërinë tonë? Sigurisht që jo! As dhembshuria për të dashurit e humbur, që e ka dalluar përherë kulturën e familjes shqiptare, as shenjtëria me të cilën zakonet tona i kanë veshur në heshtje ata që ikin pa kthim, nuk mundën t’i mbanin varrezat larg këtij shfytyrimi kaq të panjohur për ritet e të parëve tanë. Aty sot nuk mund të gjesh më kulturën, por antikulturën shqiptare!
Aty nuk ka më ndjeshmëri të hollë që vajton në heshtje! Aty ka një bërtitje dhune, zhgarravitje kujtimesh. Aty nuk ka qytetërim! Është xhungël! Aty nuk ka më paqe qeparisash që lotojnë fisnikëri e respekt mbi të ikurit nga kjo botë, por ka (edhe aty) “tallavaizëm”.
E mbi të gjitha, ka indiferentizëm pa fund…Aty është fytyra e Shqipërisë!
Dhe, duke qenë e tillë, nuk ka rrugë ku mund të kalosh për të shkuar te varri i të dashurit tënd: duhet të shkelësh mbi varret e të tjerëve. Nuk ka bar jeshil: ka baltë të murrme. Nuk ka qeparise hijerënde: ka çati llamarine e kangjella hekuri me maja heshtash. Nuk dëgjon cicërimat melankolike të zogjve nëpër pemë: trembesh nga lehjet e qenve bastardë, që vetëm me vetminë tënde nuk flasin. Nuk shikon kodra të gjelbra rreth e rrotull: ka vetëm tokë gri me ndërtime pa leje aty-këtu.
Është Shqipëria… Jemi ne!
Ndalohen invalidët!
Nuk ka nevojë të shkruhet diku: është realiteti i detyruar. Më ndodh që, kur shkoj në varreza, ta shoh shpesh edhe atë, si gjithmonë, ulur në karrocën e tij të invalidit. Është rreth 60 vjeç. Vjen për “të folur” me djalin, që e humbi para disa vjetësh në një aksident automobilistik në Greqi. Deri aty vjen me autobusin urban. Ndonjëherë i flas. “E ç’të të them mor bir,- më thotë. Deri te stacioni i autobusit shkoj vetë, duke u dhënë rrotave me duar. Stacioni nuk është larg, e bëj për 15-20 min nga shtëpia. Por nuk hypi dot gjithmonë, se duhen të paktën dy veta të më ngjisin lart. Ndonjëherë qëllojnë të moshuar aty e nuk më ndihmojnë dot, ndonjëherë ka shumë njerëz që nxitojnë të ngjiten vetë e nuk kanë kohë për mua. Se njerëzit kanë punë, nxitojnë, kanë halle… Edhe ndodh të kthehem prapë në shtëpi pa arritur të vij këtu…”
Por unë e di që edhe kur vjen deri te varrezat, nuk e ka të lehtë. Sepse, për të shkuar deri te varri i të birit, nuk ka rrugë. Varret janë shumë pranë njëri-tjetrit dhe hapësira ndërmjet tyre është shumë e ngushtë për karrocën. Ka nevojë për dikë që ta ndihmoje. Ndodh ta bëj edhe unë. Ai pret në anë të rrugicës, duke vështruar nga varri i të birit dhe duke u lutur që të kalojë dikush për ta ndihmuar të arrijë deri atje. Të vendosë lulet që mban në dorë, “t’i flasë dy fjalë” e të rikthehet prapë në shtëpi.
Por as në varreza nuk ka vend për invalidët… në një Shqipëri invalide. Të paktën në dhimbje duhet të kishin akses të gjithë.
Postcriptum:
“Varrezat janë si muzetë. Një dokument i rrallë, që tregon historinë e komunitetit, apo të familjeve tona, të heronjve apo njerëzve të thjeshtë si ty dhe mua. Varrezat janë kultura e një kombi. Pasqyrimi i kujtimeve të së kaluarës dhe paqes të së tashmes.”
Edgar Allan Poe

Me vjen mire qe lexova nje shkrim te tille. Nuk e kam problem te them ‘Faleminders Ilir’.
Qendrimi ndaj te vdekurve tregon kulturen e te gjalleve.
Ne varreza shef ndryshimin e diktatorit te pare dhe diktatorit te dyte, vetem se diktatori i dyte, ka patur me shume sukses, se ne kohen e tij, kemi varreza me te rinj nga mosha 10 vjec deri ne 35-40 vjec.
leri mor denglat politike, edhe ketu do futesh politiken dhe krahasimet fashiste neo komuniste.Me siguri per ty eshte shkruar ky artikull, mor katunar i qyteteruar, nga kush ?
Shkrim dinjitoz dhe fisnik.
shkrim qe duhet te na preki te gjitheve dhe te na bej te mendohemi. Po shteti ku eshte? pse nuk nderhyn apo ska para as per te vdekurit se per te gjallet ska dhe ska .Faleminderit zoti Ilir
Pershkrim i sakte. Gjendja ne varreza eshte alarmante dhe e turpshme. Projektimi ne planet urbanistike i varrezave te reja me standarte duhet te pasqyroje ndryshimet e popullates. Ndertimi i nje varreze te re per Tiranen eshte emergjent dhe zgjidhja mund te ishte dhenia me koncesion ne partneritet publik privat. Komuniteti duhet te perfshihet ne investimet ne varreza duke ndryshuar statusin e tij nga “vizitor” ne investitor dhe administrator. Shnderrimi i varrezave ne varreza komunitare me perfshirje te plote te komunitetit do ti shpetonte ato nga shkaterrimi i metejshem.
ATE QE NUK E BENE KRYEBASHKIAKET E TJERE LE TA BEJE KY I TANISHEM,LULZIM BASHA.TURPI ME I MADH I NJE POPULLI ESHTE SHPERFYTYRIMI I VAREZAVE.GJENDJA ESHTE PER TE VENE DUART NE KOKE.VLEREN E KULTURES TONE SI POPULL E UL NDJESHEM GJENDJA NE TE CILEN NDODHEN VAREZAT NE SHAR DHE NE TUFINE.DUHET TE KAPERCESH OSE TE SHKELISH MBI VARE PER TE SHKUAR ATY KU DON TI.
O KRYETAR LULI !LERE PER PAK CASTE MENJANE POLITIKEN ME BROCKULLA DHE MERU EDHE ME KETE PROBLEM AQ TE RENDESISHEM.
NJE KOMB QE URREN JETEN,
NUK MUND TE RESPEKTOJE VDEKJEN.
Po kujt po i ankohesh mo Ilir ??? Sa vjet vajte ne bashkine e Vlores ? Mir si drejtues institucioni qe ke qen dhe je por dhe si familiar i Shpetimt do kishe harrit te beje dicka per kete shqetesim qe po ngre . Po hajt se ne kemi besim te ty, te Arben valltari dhe te ata anonimet e tjere qe po drejtoni bashkine !
iLIR ka ardhe koha te maresh gjerat vet ne dore. 🙂
Pak rendesi kush eshte autori i ketij shkrimi.
Ky shkrim nuk i perket as nje qyteti, as vetem nje rrethi apo nje qarku.
Kjo eshte Shqiperia!
Rrenqethese por e vertete!
Madje shume e vertete dhe e sakte do te thoja.
Bravo!
Nje shkrim brilant!