Një aksident tragjik ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Burrel-Milot. Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes së një mjeti tip Renault me një kamionçinë.
Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Skuraj. Mësohet se viktima është njëri prej pasagjerëve që udhëtonin me mjetin Renault, Ermal Koldashi, 27 vjeç.
Katër të plagosurit janë dërguar në spitalet e Lezhës dhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Njëri prej tyre udhëtonte në të njëjtin mjet me viktimën, ndërsa tre të tjerët ndodheshin në kamionçinë. Përplasja fatale ka shkaktuar daljen nga rruga të dy automjeteve, të cilat kanë rënë të paktën 5 metër poshtë rrugës.
Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.