Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë u ka marrë jetën dy personave dhe ka plagosur rëndë pesë të tjerë.
Në njoftimin për shtyp të policisë deklarohet: “Më datën 11.11.2012, rreth orës 03.30 minuta të mëngjezit në Sallën Operative të të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur një telefonatë se në rrugën nacionale në aksin rrugor Gjirokastër -Dervicjan në vendin e quajtur kthesa e Kordhocës ka ndodhur një aksident me pasoja të rënda.
Menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur patrulla e Komisariatit të Trafikut Rrugor Gjirokastër, patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si dhe grupi hetimor ku ka rezultuar se:

Në aksin rrugor Gjirokastër -Dervicjan në vendin e quajtur Kthesa e Kordhocës, automjeti tip “Volksvagen”, me targa AA 740 BP, që drejtohej nga shtetasi Glodian Vargu, 29 vjeç lindur dhe banues në Lezhë me drejtim lëvizje Dervicjan – Gjirokastër është përplasur me automjetin tip “Benz” taksi Gj 254 A, që drejtohej nga shtetasi Ritvan Ponde 35 vjeç nga Gjirokastra, i cili po lëvizte nga Gjirokastra për Kakavijë.
Në automjetin tip Volksvagen udhëtonin dhe tre shtetas të tjerë, konkretisht shtetasit Edvin Hoxha, 35 vjeç nga Lezha, gjyqtari kryesor i ndeshjes Luftëtari – Kruja që u zhvillua sot në Gjirokastër, Ridiger Çokaj, 28 vjeç, nga Lezha, gjyqtari anësor, si dhe Rigesr Pjetrushi, 32 vjeç, gjyqtari i katërt i ndeshjes Luftëtari –Kruja.
Ndërsa në automjetin tip “Benz” taksi udhëtonin shtetasi Xhemal Lamko, 60 vjeç, nga Gjirokastra, Adriatik Liti, 61 vjeç, nga Gjirokastra si dhe Ilirjan Xhemali, 53 vjeç, nga Gjirokastra.
Si pasojë e përplasjes automjeti tip “Benz” ka dalë nga rruga duke rënë në kanalin anësor të rrugës.
Nga përplasja e dy automjeteve kanë humbur jetën pas rreth gjysmw ore në spital dy nga pasagjerët dhe konkretisht shtetasi Rigers Pjetrushi, 32 vjeç, nga Lezha, pasagjer tek automjeti “Volksvagen” dhe shtetasi Ilirjan Xhemali, pasagjer tek automjeti tip “Benz”.
Ndërsa shtetasit Xhemal Lamko, Adriatik Liti, Glodian Vargu, Ridiger Çokaj dhe Edvin Hoxha janë plagosur, por jashtë rrezikut për jetën momentalisht.
Drejtuesi i automjetit tip “Benz” Taksi është lënduar lehtë, pa probleme për jetën.
Grupi hetimor në vendngjarje ka kryer veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendngjarjes ka rezultuar se shkaku paraprak i aksidentit me pasojë vdekjen është humbja e kontrollit të automjetit tip “Volksvagen” dhe për pasojë është përplasur me automjetin tip “Benz”.
Po vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Drejtuesi i automjetit tip “Volksvagen” është i shtruar në spitalin Rajonal Gjirokastër.