Duke iu referuar situatës së fundit të shpërthimit të bombolave të gazit, kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial, Gazmend Osmani, u është drejtuar me një shkresë 61 kryetarëve të bashkive në vend, për dijeni prefektëve si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Kryeinspektori u ka kërkuar drejtuesve të këtyre institucioneve bashkëpunim për parandalimin e situatave të tilla.
Shkresa është bërë pas evidentimit nga inspektorë të ISHTI-së, ku pothuaj në çdo lagje ka dyqane të tregtojnë bombola GLN pa kushtet e duhura teknike apo edhe pa dokumentacionin përkatës për këtë aktivitet.
Duke marrë në konsideratë rrezikshmërinë që paraqet një situatë e tillë, kryeinspektori Gazmend Osmani kërkon ngritjen e grupeve të përbashkëta me Policinë Bashkiake dhe Sektorin Zjarrfikës, nën varësinë e pushtetit lokal, për kontrollin dhe monitorimin e vazhdueshëm të këtij tregu, për parandalimin dhe sanksionimin e kësaj veprimtarie në mjediset e papërshtatshme.
