Një fëmijë 5-vjeçar është përplasur për vdekje nga një automjet sot në fshatin Zhurmë të komunës Krutje, në Lushnjë. 5-vjeçari Klevis Bojaxhiu mbante në dorë një tufë lulesh, të cilat i kishte përgatitur për tezen, dhe ndërsa kalonte rrugën, është shkëputur nga e ëma dhe është përplasur nga një makinë. Përplasja ka qenë aq e fuqishme, sa e ka hedhur fëmijën të paktën 15 metër larg vendit ku ndodhi aksidenti. Drejtuesi i mjetit, Albi Mile, 20 vjeç, e ka dërguar menjëherë fëmijën në spital, por plagët e marra kanë qenë fatale. Policia ka arrestuar shoferin dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shpejtësia tej normave në një zonë të populluar dhe dalja e papritur e fëmijës në rrugë janë shkaqet e tragjedisë. Aksi ku ndodhi aksidenti është bërë shpesh skenë e ngjarjeve të tilla për shkak të rrugës së ngushtë, ku qarkullojnë shumë mjete dhe këmbësorë. Në këtë aks rural kalojnë shumica e mjeteve drejt Beratit për shkak se rruga nacionale është e shkatërruar tërësisht.