Banorët në afërsi të Stacionit të Trenit, të cilët preken nga prishja e ndërtimeve për projektin e zgjatimit të Bulevardit të Ri në Tiranë nga ana e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, kanë tentuar të mos lejojnë mjetet e rënda që të prishin objektet, pasi ata nuk janë dakord që të kompensohen me vlerën që është përcaktuar.
Teksa ka nisur aksioni, banorët e një familje janë vendosur mbi rrënojat e objektit, pasi janë kundër vlerës që është lënë për t’iu dhënë për banesën që do iu prishet, për zbatimin e projektit.
Sipas Shaban Tresan-it 72 vjeç, prona është ndërtuar që në vitin 1930 dhe është vlerësuar në vlerën e 30 milion lekëve të vjetra.
Pronari dhe bashkëshortja e tij kanë refuzuar që të largohet nga banesa.
Aty kanë qenë edhe forcat e policisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës.
Kjo bëri që aksioni të ndërpritet ndërkohë që pas disa negociatave banorët janë tërhequr duke u larguar nga pjesa e çatisë së shtëpisë që do të shembej duke bërë që të rifillonte aksioni për prishjen e ndërtesës.
Në këtë segment pritet të shemben 15 banesa, ndërkohë që shumë të tjera do të prishen në krahun tjetër të Bulevardit të Ri, ku aksioni i ditëve të fundit është shoqëruar me përleshje mes tyre dhe forcave të policisë.
