Pranga pronarit të një eskavatori, po gërryente në shtratin e lumit Mat, nis hetimi për 3 persona të tjerë

Edlira Shehu

Policia e Lezhës ka intensifikuar kontrollet për të parandaluar krimet mjedisore. Bëhet e ditur se gjatë kontrolleve në shtratin e lumit Mat është arrestuar pronari i ekskavatorit shtetasi Artur Lika, pasi ishte duke gërryer në shtratin e lumit në mënyrë të paligjshme.

Po ashtu janë proceduar penalisht  drejtuesit e kamionëve shtetasit Shyqyri Shuaipi dhe Dashamir Zenelaj.

Gjithashtu, është proceduar për shpërdorim detyre, Aleksandër Uku, Inspektori për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë.

Njoftimi i policisë

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e marra për disa persona që gërryenin shtratin e lumit Mat, duke marrë zhavorr dhe inerte në mënyrë të paligjshme, kanë ushtruar kontrolle përgjatë shtratit të lumit.

Gjatë kontrollit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 40 vjeç, banues në Milot, Kurbin, pasi u konstatua duke gërryer me ekskavator shtratin e lumit.

Gjithashtu u kapën dhe u proceduan penalisht shtetasit Sh. Sh., 39 vjeç dhe D. Z., banues në Tiranë, drejtuesit e mjeteve kamion që shërbenin për transportimin e inerteve pa dokumentacionin përkatës, të cilët u sekuestruan nga shërbimet e Policisë.

Po në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi A. U., 54 vjeç, banues në Lezhë, më detyrë inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat.

 

e.sh/Dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *