Ekskluzive / Dosja ‘sekrete’ e gjyqit të Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Vaskë Kolecit, Vango Mitrojorgjit dhe Nuri Hutës. Deklarimet e të pandehurve në hetuesi dhe Akt-Akuza e datës 7 maj 1949, e firmosur nga Bedri Spahiu, Gaqo Floqi e Sotir Qirjaqi.
“I rekrutuar që gjatë luftës, përgatiti prapaskenat e ‘Plenumit të Beratit’. Detyrat nga Tito i merrte në takime direkte, me të dërguarit jugosllavë në Shqipëri dhe nëpërmjet agjentëve të Beogradit. Objekt sulmi ishte Enver Hoxha e Nako Spiro”
Në javën e parë të muajit maj të vitit 1949, Komisioni i Posaçëm Hetimor i përbërë nga Bedri Spahiu, Gaqo Floqi e Sotir Qirjaqi, ka mbyllur hetimet dhe në datën 7 të këtij muaj, dorëzon Akt-Akuzën në Gjykatë për Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Vaskë Kolecin dhe Vango Mitrojorgjin dhe Nuri Hutës, të arrestuar për veprimtari armiqësore në dëm të Partisë, popullit e Pushtetit Popullor, me synim eliminimin e udhëheqjes e bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Referuar dokumenteve sekrete, materiali është dorëzuar në datën 07.05.1949, ndërsa gjyqi nisi më 11.05.1949. Nga dita e sotme e në vazhdim, duke filluar me Akt-Akuzën, ‘Dita’ do të botojë disa numra rresht materiale të panjohura nga kjo dosje ‘Sekrete’…
* * *
AKT-AKUZA KUNDËR XOXES
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
(Komisioni i Posaçëm Hetimor)
Nr i Akt-Akuzës
Tiranë, më 7.V.1949
AKT-AKUZË
Kundër:
1-Koçi Xoxe
2-Pandi Kristo
3-Vaskë Koleci
4-Vango Mitrojorgji
5-Nuri Huta
Të akuzuar:
Se kanë tentuar dhe kanë vepruar për të marrë në dorë pushtetin shtetëror, kanë vënë në rrezik organizimin shtetëror, parimet Demokratike të Republikës Popullore, sigurimin e jashtëm të Republikës Popullore, indipedencën ekonomike dhe politike të vendit.
Nga zhvillimi i Kongresit të Parë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe nga rezolucioni i këtij Kongresi, u zbulua veprimtaria antimarksiste e trockiste, anti-shqiptare dhe antisovjetike e trockistëve Koçi Xoxe, Pandi Kristo, etj…, ushtruar sistematikisht brenda e jashtë Shqipërisë, në organet e pushtetit dhe të administratës, e mbështetur dhe e koordinuar me veprimtarinë armiqësore, antishqiptare, kolonizatore dhe antisovjetike të grupit trockist-nacionalist të Titos. Në Kongresin e lartpërmendur u kërkua nga delegatët që armiqtë e popullit, të Republikës dhe të Partisë, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, etj…, të procedoheshin dhe t’i përcilleshin gjyqit për gjykim.
Komisioni hetimor i formuar në bazë të Dekretit Nr. 746/A, datë 10.1.1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor, gjatë zhvillimit të hetimeve konstatoi se në gjirin e Partisë dhe të Pushtetit Popullor ekzistonte një grup anti-parti, anti-pushtet, trockist në kuptim të nenit 3 të ligjit mbi faje kundër popullit dhe shtetit me drejtim të dyfishtë:
1-Grupi i lartpërmendur është drejtuar nga udhëzimet e klikës nacionaliste trockiste të Titos të marra direkt me kontakte personale, me korrespodencë personale, me elementë të klikës trockiste të Titos dhe indirekt me udhëzimet që morën me anën e agjentëve të dërguar në Shqipëri nga klika nacionaliste trockiste e Titos. Ja çfarë kanë shprehur të pandehurit:
Nuri Huta(i pandehur): -Koçi më thirri në zyrë dhe më tha se po të dërgoj në Jugosllavi dhe misioni yt kryesor është se do të jesh personi ndërlidhës i dy celulave. Dhe për këtë Koçi më porositi se do të kisha lidhje direkt vetëm me të me letra e telegrame. Gjithashtu, ai shtoi: “Ti do të veprosh siç do të të urdhëroj unë personalisht dhe do të pyesësh, do të marrësh e do të japësh atë që do të të them unë!”
Koçi Xoxe(i pandehur): -Mendimet dhe udhëzimet që jepte Velo Stojniç i shfaqte si mendime dhe udhëzime të komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave… Këto udhëzime kanë qenë të dëmshme për Partinë tonë dhe për luftën që bëmë qysh në atë kohë… Unë nuk e vura në dijeni Byronë Politike mbi bisedimet që kisha bërë me Velon jashtë Byrosë, domethënë ja fshehëm bisedimet që bëmë me Velon, si ato që tha Velo, ashtu dhe ato që thamë ne…
Kristo Themelko: -Në Berat, Koçi më ka vënë në korrent me hollësi mbi çështjet… Unë isha dakord për atë që më vunë në korrent dhe që u bë në Berat. Dhe isha dakord me mënyrën si u veprua atje. U bashkova edhe me veprimin, edhe me mendimin e Koçit.
2-Grupi i lartpërmendur, është drejtuar në veprimtarinë e tij kriminale në Parti, në organet e pushtetit dhe të administratës nga i pandehuri Koçi Xoxe si iniciator dhe organizator(neni 8 i ligjit mbi fajet kundër popullit dhe shtetit). Dhe në fakt, është i pandehuri Koçi Xoxe aty që fillon të grumbullojë rreth vetes dhe të mobilizojë bashkëpunëtorë në vijën e tij kundër Partisë dhe popullit.
Pandi Kristo(i pandehur): -Koçi filloi të më afronte më ngushtë pasi erdhi Vukmanoviç Tempo dhe filluan mosmarrëveshjet mes tij dhe Koçit nga njëra anë, siç mora vesh më vonë dhe shokut Miladi Popoviç e shokut Enver nga ana tjetër…
Koçi Xoxe: -Unë pakënaqësitë i kam biseduar me Nako Spiron shumë shpejt, që në Kongresin e Përmetit…
Pandi Kristo: -Kur letrat e partisë bolshevike ishin dërguar për të dytën herë në Byro, Koçi më tha veçanërisht se “nga Byroja, gabimet tona nuk janë aq të mëdha”… Koçi që ishte përgjegjësi kryesor i gjendjes në Partinë tonë, duke më thënë se “Enveri godiste me forcë gabimet tona për të na goditur neve”, donte të zvogëlonte përgjegjësinë e tij dhe të më përgatiste dhe mua që të mbroja tezën e tij dhe pse unë kisha gabuar.
I pandehuri Koçi Xoxe, si organizatori kryesor i veprimtarisë së këtij grupi, ka përgatitur Partinë përpara mbledhjeve të Komitetit Qendror në raste të evenimenteve me rëndësi siç ishte Konferenca me kuadro në Berat para mbledhjes së Plenumit, fjala e tij në Shkollën e Partisë dhe punimi i këtij fjalimi me kuadrot e Sigurimit, me ata të
Partisë dhe botimi i këtij fjalimi në revistën “Agjitatori”. I pandehuri Koçi Xoxe ka dhënë vijën e tij antiparti, antipushtet edhe në organet e Ministrisë së Brendshme. Ai thoshte se “vijën në Ministrinë e Brendshme e jepja unë, ndërsa ndihmësit mobilizoheshin për zbatimin e kësaj vije”…
Koçi Xoxe: -Udhëzimet dhe puna e delegacionit jugosllav (Velo Stojniç me shokë), synonte në goditjen e udhëheqjes së Partisë tonë dhe në vetë Partinë, duke e goditur me anë kritikash të padrejta vijën e saj(Partisë), duke goditur dhe persona të udhëheqjes… Në këtë mënyrë, ata kërkonin të diskreditonin udhëheqjen e Partisë tonë dhe të ngrinin autoritetin e tyre(të udhëheqjes jugosllave). Ata(jugosllavët) shprehnin mendimin se Shqipëria nuk mund të rrojë dot vetëm dhe perspektiva e zhvillimit të saj e çon drejt Jugosllavisë, në formën e Federatës ose Konfederatë, siç do të quhej më vonë. Veprimtaria e tyre, që në Berat, ka synuar nënshtrimin e Partisë dhe të vendit tonë urdhrave të tyre, domethënë, urdhrave dhe sundimit të Komitetit Qendror të Jugosllavisë. Ne duhet të punonim e të propagandonim se Tito është simbol i popujve të shtypur nga fashizmi…
Me akuzat e tyre, mos plotësimin e detyrimeve ndaj vendit tonë, etj, jugosllavët donin të godisnin udhëheqjene vendit tonë, të trembnin konkretisht Nako Spiron që punonte në sektorin ekonomik, duke e akuzuar se zbatonte një vijë tjetër ekonomike në praktikë… Ata, jugosllavët, nëpërmjet dokumenteve false, me fjalime të ndryshme, donin të godisnin fort Nako Spiron.
Pandi Kristo: -Plenumi i 8-të rrezikonte indipendencën e Partisë dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë… Ai që përfaqësonte këtë vijë, që vinte në rrezik indipendencën e Partisë dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe që luftoi deri në fund për atë vijë, ishte Koço Xoxe, që ishte dhe mbetej mbështetja kryesore e jugosllavëve (Faqe 13 e proçesit kundër K.Xoxes)…
Koçi Xoxe: -Unë, që përpara paraqitjes së akuzës jugosllave ndaj udhëheqjes e vendit tonë, kam qenë me platformën politike të jugosllavëve, pse kjo influencë dhe bashkëpunim i ngushtë, kjo mbështetje që unë i kam bërë Tempos, Velos, Savos, e me radhë, këtë gjë shpjegon: Konsekuent me vijën e bashkëpunimit që paraqisnin jugosllavët. Kjo shpjegon edhe atë që unë isha aty mbrojtësi më i zjarrtë dhe shoku më i vendosur që çështja të merret e njëanshme dhe të zgjidhej ashtu siç dëshironin jugosllavët. Unë, isha aq më tepër në këtë vijë të jugosllavëve, edhe sepse ata i gjykonin çështjet e brendshme të Partisë tonë, njëlloj si unë. Ata më thoshin kurdoherë se “ashtu siç thua ti është”, duke përkëdhelur mendimet e mia dhe kurdoherë më jepnin të drejtë.
I pandehuri Koçi xoxe, ka luftuar me egërsi, në çdo kohë e në çdo drejtim, me egërsi të tërbuar për të imponuar platformën kriminale. Këto pikëpamje ai i ka shfaqur dhe në Plenumin e 8-të duke thënë së duhet shkuar drejt unifikimit me jugosllavët dhe se kjo, sipas tij, nuk prek indipedencën e shqiptarëve. Ja deklarimi i Xoxes:
Koçi Xoxe: -Unë kam pasur mendim e kam punuar të popullarizohet se Jugosllavia është një shteti i fortë, Tito është një hero, se vendosja e flamurit jugosllav bashkë me tonin i shërben afrimit midis dy vendeve… Synimi kryesor i goditjes së jugosllavëve, ishte Nako Spiro dhe Enver Hoxha, se ata ishin kundërshtarët e kësaj platforme që po zbatonin jugosllavët, me të cilin unë isha dakord e po punoja…
4-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi i të lartpërmendurve, për të marrë fuqinë në dorë ka goditur sistematikisht vijën e Partisë tonë gjatë luftës Nacional-Çlirimtare dhe platformën politike, ekonomike e shoqërore të Partisë dhe të Republikës tonë…
Koçi Xoxe: -Kritika e Tempos është bërë me qëllim të keq dhe pa njohur situatën, për të përulur, për të diskredituar Komitetin Qendror e në radhë të parë Enverin e Miladinin si dhe për të rritur në sytë e Komitetit Qendror të Jugosllavisë autoritetin e tyre… Unë përkraha pa rezerva kritikat dhe vijën e Tempos… Unë pohoj se në Berat isha shoku kryesor që me atë punë i vura kazmën vijës së drejtë të Partisë dhe interesave të saj, ashti siç donin armiqtë e Partisë sonë… Jugosllavët tek unë kishin siguruar një përkrahës të vijës së tyre.
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdimin e Akt-Akuzës së Komisionit të Posaçëm Hetimor të firmosur nga Bedri Spahiu, Gaqo Floqi e Sotir Qirjaqi për të pandehurit Koçi Xoxe e bashkëpunëtorëve të tij Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vangjo Mitrojorgji dhe Nuri Huta.
-Dëshminë e të pandehurit Pandi Kristo për bashkëpunimin armiqësor të Koçi Xoxes së vënë në shërbim të Titos në prapaskenën e Plenumit të Beratit dhe goditjen e Nako Spiros.
-Si inskenoi Koçi Xoxe gjyqet, pushkatimet, dënimet e ndëshkimet për ish-drejtues të luftës, patriotë e funksionarë atdhetarë me synim kthimin e Shqipërisë republikë të Jugosllavisë.
FAQE 2
KOMENT
Dosja “Xoxe”, misteret
e dekadave dhe mesazhet
Publikimi nga numri i sotëm e në vazhdim nga ‘Dita’ i procesit gjyqësor kundër Koçi Xoxes, (dënuar me vdekje me pushkatim më 10 qershor të vitit 1949) e tre bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, hedh dritë mbi shumë të panjohura të situatës në atë kohë e vetë hetimit e zhvillimit të këtij gjyqi. Jo vetëm për faktin se ky është gjyqi i parë në Shqipërinë e pasluftës për një funksionar të lartë shteti (Koçi synonte eliminimin dhe zëvendësimin e Enver Hoxhës), por se dhe gjyqet e tjerë të bujshëm që pasuan, ai kundër ‘Beqir Ballukut e gjeneralëve puçistë’ në vitin 1974, ai kundër Kadri Hazbiut disa vite më pas, deri dhe ‘grupet armiqësore’ në ekonomi e kulturë, janë të lidhura me Koçi Xoxen. Sipas akuzave e vendimeve gjyqësore, Koçi Xoxe, del herë ‘bashkëpunëtor’, herë ‘mësues’ e ndërlidhës me zbulimet e agjenturat e huaja i shumë të dënuarve të këtyre grupeve në vite e dekada. Ndonëse dosja e plotë e gjyqit të Koçi Xoxes (të cilën ‘Dita’ mundi ta sigurojë), siç do e konstatojë dhe lexuesi, është në të njëjtin ‘shtrat’ pothuaj me skemën e veprimtarisë për të cilën u akuzuan dhe dënuan dhjetëra të cilësuar ‘armiq’ të grupeve të tjera, ajo hedh dritë dhe mbi shumë detaje, ngjarje e protagonistë të kohës, shumica të panjohura, e të tjera të deformuara nga persona që nuk kanë patur njohjen e plotë apo dhe për interesa e qëllime të caktuara.
Kështu, disa gjeneralë që më pas u dënuan, ndonëse në dosjen ‘Xoxe’ nuk u del emri si bashkëpunëtorë, në fakt, ata e kanë pranuar vetë një gjë të tillë, e lexuesi i thjeshtë, teksa do të lexojë në numrat e ardhshëm të ‘Dita’, nuk e ka vështirë t’i identifikojë. Shumëkush mund të mendojë se këta ‘armiq’, këto grupe ‘armiqësore’ (deri tek Mehmet Shehu që ishte kryeministër), ose ishin të bindur në misionin e tyre, ose janë detyruar që të pranojnë dhe gjëra që nuk i kanë bërë. Të tjerë mund të mbrojnë bindjen se Enver Hoxha e regjimi i tij, e kishin situatën në duar, e në momentin që ‘armiqtë’ i rrezikonin pushtetin, u priste kokën. Por një konkluzion del gjatë konsultës me këto materiale arkivore sekrete: Të akuzuarit ja kanë sulmuar njëri-tjetrin, kanë akuzuar shokun, eprorin, vartësin si ‘armik’, ‘tradhtar’, ‘spiun’… Bile, edhe atëherë kur… dhe mund të heshtnin! Ngjarje të tilla të rënda të shtrira në kohë (me ndëshkime të rënda e prerje kokash), përcjellin mesazhe dhe për ditët e sotme… Çdo material arkivor, sjell diçka të re, ndërsa dosja gjyqësore e Koçi Xoxes, qoftë dhe për faktin se për afro gjashtë dekada e gjysmë rri në pluhur, mendoj se ngjall interes të veçantë. Shpresoj që këtë mendim të kenë dhe lexuesit e ‘Dita’ me të cilët takohemi çdo ditë.
Plehra!