Ekskluzive / Dosja “sekrete” e gjyqit të Koçi Xoxes dhe bashkëpunëtorëve. Përmbyllja e Akt-Akuzës së datës 7 maj 1949, dorëzuar për gjykim në Gjykatën e Lartë.
“Goditën vijën e Partisë, vunë Sigurimin mbi Partinë, shkaktuan vetëvrasjen e Nako Spiros. Si agjentë të Titos, punuan për kthimin e vendit në Republikë të 7-të të Jugosllavisë”
(Vijon nga numri i kaluar
Në përfundim të Akt-Akuzës kundër të pandehurve Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji e Nuri Huta, firmosur nga Bedri Spahiu e dy anëtarët e tjerë të Komisionit të Posaçëm Hetimor, bëhet cilësimi ligjor i veprave armiqësore kundër Partisë, udhëheqjes dhe vendit. “Të pandehurit goditën vijën e Partisë, vunë Sigurimin mbi Partinë, shkaktuan vetëvrasjen e Nako Spiros. Si agjentë të Titos, punuan për kthimin e vendit në Republikë të 7-të të Jugosllavisë. Veprimtaria e tyre trockiste, si agjentë të Titos, kishte si objekt kryesor marrjen e pushtetit dhe aneksimin e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Jugosllavisë”, thuhet mes të tjerave në akuzë. Kjo Akt-Akuzë, shërbeu për nisjen e gjykimit të të pandehurve nga Gjykata e Lartë në datën 11 maj 1949…
VAZHDIMI I AKT-AKUZËS
14-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi kriminal i lartpërmendur ka tentuar dhe ka konsumuar vepra kundër indipedencës ekonomike dhe politike të vendit tonë, duke mposhtur me mënyra të poshtra, kriminale dhe me metoda të gjithëllojshme rezistencën e vazhdueshme të udhëheqjes së Partisë dhe të Pushtetit Popullor për mbrojtjen e indipedencës ekonomike dhe politike të vendit.
15-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi i lartpërmendur ishte një mbështetje për grupin nacionalist të Titos për ngritjen e spiunazhit në Shqipëri dhe për tentativën e OZNA-s për rekrutim agjentësh në Partinë Greke dhe bashkëpunonte me të në të gjithë veprimtarinë armiqësore kundër popullit dhe vendit tonë në formë agjenture, duke qenë edhe vetë agjentë. Ja si zbulohet në mënyrë indirekt nga deponimet e të pandehurve organizimi i agjenturës së OZNA-s në Shqipëri:
Koçi Xoxe: -Safet Filipoviç, i dërguar për disa muaj në Ministrinë e Brendshme dhe që më vonë kaloi me shërbim në Legatën e Jugosllavisë në Tiranë, më lajmëroi mua zyrtarisht nga ana e qeverisë jugosllave, nga mesi i vitit 1947, se qeveria jugosllave nuk do të organizojë rrjet spiunazhi në Republikën Popullore të Shqipërisë, për të mbrojtur interesat jugosllave dhe çdo gjë mund të kishte këtu kundër Jugosllavisë, lutej t’i jepej nga organet e Brendshme të Shqipërisë… Sigurimi jonë i ndiqte njerëzit që zhvillonin veprimtari kundër Republikës Popullore Federative dhe informatat që kishim ne, ua jepnim atyre… Unë nuk ua kërkova atyre rrjetin e spiunazhit që mund të kenë pasur më parë në Shqipëri dhe as ai nuk më bëri fjalë për këtë gjë. (Procesi i hetimit fq. 75)
16-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi i lartpërmendur ishte mbështetja kryesore e propagandës dhe agjitacionit të zhvilluar në vendin tonë në të gjitha fushat dhe arenën ndërkombëtare me qëllim që të lehtësohej nënshtrimi i Partisë dhe i vendit qëllimeve imperialiste të klikës së Titos. Të pandehurit, siç pohohet në vazhdim kanë pranuar se në punën e tyre, përveç instruktazheve direkt nga të dërguarit e Titos, vijën e agjitacionit e propagandës e merrnin gjithmonë nga gazeta ‘Borba’:
Nuri Huta: -Shkrimet e mia, ato më kryesoret janë: “Pa ekzistencën e Jugosllavisë nuk mund të kuptohet ekzistenca e Shqipërisë”, “Rruga për në Moskë shkon nga Beogradi”, “Jugosllavia është bërë një qendër politike e kulturore me rëndësi ndërkombëtare”, “Historia nuk njeh një pjesëmarrje kaq të gjerë në planifikimin e bujqësisë sa atë të masave fshatare jugosllave”, “Fronti është një realitet në Jugosllavi pa të cilin as lufta, as ndërtimi i socializmit nuk mund të kuptohen…” (Procesi i të pandehurit Nuri Huta, fq. 15).
Koçi Xoxe: -Një detyrë tjetër e rëndësishme që kemi ne, është politika e jashtme, ose më drejt, bashkëpunimi me Jugosllavinë. Mbi këtë çështje është e rëndësishme të sqarohet Partia mirë që mund të ecë mbi këtë vijë si në sektorin ushtarak, ekonomik e të tjera, pra në të gjitha. (Deklarim i Koçi Xoxes, dosja nr 2).
* * *
Komisioni Hetimor ka formuar bindjen e plotë për vërtetësinë e akuzave dhe se për këtë ekzistojnë prova të mjaftueshme si pohimet e tyre të qarta të bëra para Komisionit Hetimor, me deklaratat e tyre lëshuar Komisionit hetimor, me atribuimet që i bëjnë njëri-tjetrit, me ballafaqimet që ekzistojnë në proces me deklaratat zyrtare të bëra prej të dënuarve në mbledhje të ndryshme publike, me deklarimet e dëshmitarëve të interesuar në proces, me deklaratat e ndryshme, si dhe me dokumentet zyrtare,
Prandaj:
Komisioni Hetimor, duke pasur parasysh setradhtia kundër popullit është krimi më i madh (Neni 32, paragrafi II-të i Statusit Themeltar të Republikës Popullore, bashkërisht dhe në bazë të nenit 3 të Dekretit Ligjor Nr 746-A, datë 10.10.1949,
VENDOSI:
Referimin në gjyq të të gjithë anëtarëve të grupit të lartpërmendur, për t’u gjykuar për aktet 1 dhe 16 të rreshtuar si më sipër që parashikohen si faje nga nenet 2, 3, nr. 1, 2, 7, 8, 9, 10, 12 dhe nenit 8 të ligjit Nr 372 datë 12.12.1946 mbi fajet kundër Popullit dhe Shtetit, të kryera prej të pandehurve në mënyrat që vijon:
1-KOÇI XOXE, i biri i Dhimitrit dhe i Vasillos, lindur në vitin 1911 në Negovan (Greqi), i martuar me 5 fëmijë, banues në Korçë, qëndrues në Tiranë, ish-nënkryeministër, ish-Ministër i Punëve të Brendshme, ish-Sekretar Organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, i arrestuar më datë 2 dhjetor 1948 si inisiator dhe organizator i grupit trockist-kriminal të mësipërm, për të gjitha veprat kriminale që kanë qenë në planin e grupit të lartpërmendur, për akuzat e rreshtuara nga pika 1 deri në pikën 16 të kësaj Akt-Akuze, si dhe për veprat e veçanta:
a-Me cilësinë e tij si Ministër i Punëve të Brendshme dhe në lidhje me ushtrimin e funksioneve të tij për një periudhë katër vjeçare, është përgjegjës penalisht në bazë të nenit 63 të Statutit Themeltar për shkeljen e tij (Statutit) dhe të ligjeve në fuqi të Republikës dhe për dëmet e shkaktuara shtetit nga veprimet e tij të kundërligjshme.
b-Ka urdhëruar dhe ka kryer arrestime të paligjshme në masë, tortura, vrasje dhe internime kundër shtetasve.
c-Ka determinuar me veprime të paligjshme në vetëvrasjen e përfaqësuesit të popullit, Ministrit të Industrisë, Kryetarit të Komisionit të Planit dhe anëtarit të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
ç-Duke shfrytëzuar pozitat e tij që okuponte në Pushtet dhe në Parti ka përvetësuar sasi të konsiderueshme të hollash nga arka e Partisë dhe e Ministrisë së Brendshme(Neni 5, nr. 5, i ligjit mbi mbrojtjen e Pasurisë së përbashkët të Popullit që ndodhet në administrimin e shtetit).
2-PANDI KRISTO, i biri i Mistos dhe i Poliksenit, lindur dhe banues në Korçë, qëndrues në Tiranë, ish-Ministër pa Portofol, ish-Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, ish-anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Shqiptare, i arrestuar në datën 2 dhjetor 1948, si anëtari më aktiv i grupit në fjalë dhe mbështetësi kryesor i të pandehurit Koçi Xoxe, për të gjithë fajet penale që janë bërë në bazë të planit kriminal të grupit të lartpërmendur, për akuzat e rreshtuara në pikat 1, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, 13, 14, 15 e 16, si edhe për këto faje të veçanta:
a-Me cilësinë e tij si Ministër pa Portofol dhe Kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit, është përgjegjës penalisht në bazë të nenit 63 të Statutit Themeltar për shkeljen e Statutit dhe të ligjeve në fuqi të Republikës dhe për dëmet e shkaktuara Shtetit në veprimtarinë e tij të kundërligjshme.
b-Ka determinuar me veprime të paligjshme në vetëvrasjen e përfaqësuesit të Popullit, shokut Nako Spiro
c-Duke okupuar(shfrytëzuar) pozitën e tij në Pushtet e në Parti, ka përvetësuar sasi të shumta të hollash nga arka e Shtetit dhe Partisë.(Neni 5, nr 5, i ligjit mbi mbrojtjen e pasurisë së përbashkët që ndodhet nën administrimin e shtetit).
3-VASKË KOLECI, i biri Sotirit dhe i Dhalisë, vjeç 26, lindur dhe banues në Korçë, qëndrues në Tiranë, ish-Ndihmës Ministër i Punëve të Brendshme, ish-Kandidat i Partisë Komuniste Shqiptare, i arrestuar në datën 19 shkurt të vitit 1949.
4-VANGO MITROJORGJI, i biri i Kristos dhe Argjeliqisë, datëlindja në vitin 1921, nga Delvina, banues në Tiranë, ish-Shef i Seksionit më të rëndësishëm në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, i arrestuar në datën 19 shkurt të vitit 1949.
Të dy të mësipërmit (Vaskë Koleci e Vango Mitrojorgji), janë anëtarë aktivë të grupit dhe ekzekutorë koshientë të urdhrave dhe veprimeve kriminale të Koçi Xoxes, janë përgjegjës penalisht për pikat e rreshtuara në numrat 1, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, 11, 12, dhe numrat 3, 4, 6, 8, 9, 10, 11, 12 dhe numrat 13, 14 dhe 15 të kësaj Akt-Akuze për sa i përket të pandehurit Vaskë Koleci dhe numrat 3, 4, 6, 8, 9, 10, 11 dhe 14 për sa i përket të pandehurit Vango Mitrojorgji. Ata, bashkërisht janë përgjegjës penalisht për gjithë veprat kriminale të kryera ose urdhëruara nga ata në sektorin e Sigurimit në dëm të popullit dhe të Shtetit.
5-NURI HUTA, i biri i Zyhdiut dhe i Metijes, datëlindja 1921, lindur dhe banues në Tiranë, ish-anëtar i Drejtorisë së Agjitacionit dhe Propagandës në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, i arrestuar në datë 2 korrik 1948 si anëtar i grupit trockist kriminal të lartpërmendur, është përgjegjës penalisht për të gjitha aktet e rreshtuara në pikat 1, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 11, 12, 13, 14, 15 e 16 të kësaj Akt-Akuze, sepse ka qenë:
a-Ndërlidhës i iniciatorit dhe organizatorit të grupit, të pandehurit Koçi Xoxe me trockistët Rankoviç e Gilas.
b-Është agjitatori dhe propagandisti më koshient dhe më i zjarrtë që ka futur parullat e propagandës trockiste të klikës nacionaliste të Titos në aparatin e Komisionit të agjist-propit, ku kishte përgjegjësinë e politikës së jashtme.
KOMISIONI HETIMOR
Bedri Spahiu (Firma)
Gaqo Floqi (Firma)
Sotir Qirjaqi (Firma)
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Procesverbalin e datës 11 maj 1949 të zhvillimit të gjyqit kundër të pandehurve Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji dhe Nuri Huta, që kryesohej nga Frederik Nosi(Nënkryetar i Gjykatës së Lartë dhe anëtarët e kësaj gjykate, Niko Zoto e Vasil Trimçev.
-Cilët ishin avokatët e të pandehurve, çfarë kërkuan ata dhe të akuzuarit në seancën e parë të gjykimit.
-Kundërshtimi i akuzave nga i pandehuri Koçi Xoxe: “Nuk kam qenë i lirë të shprehem, dëshmitë më janë marrë nën presione dhe kërcënime!”

Ky eshte kulmi: Te denosh dike se ka determinuar me veprime të paligjshme në vetëvrasjen e përfaqësuesit të popullit Nako Spiru. A duhej atehere Enveri , Nexhmija dhe Ramizi te denoheshin me vdekje se kane determinuar me veprime të paligjshme në vetëvrasjen e përfaqësuesit të popullit Mehmet Shehu? Nuk mund te denohet nje njeri per vetevrasjen e nje tjetri. Me kete dua te them se Enveri dhe Koci ishin te dy komuniste te se njejtes ideollogji kriminale, qe te denonte e te vriste pa ligj.