Ekskluzive / Dosja ‘sekrete’ e gjyqit të Koçi Xoxes, Pandi Kristos, Vaskë Kolecit, Vango Mitrojorgjit. Deklarimet e të pandehurve në hetuesi dhe Akt-Akuza e datës 7 maj 1949, e firmosur nga Bedri Spahiu.
“Të besuarit e Titos për në udhëheqje të Partisë e shtetit, pas mënjanimit të Enver Hoxhës ishin: Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Bedri Spahiu, Liri Gega, Nesti Kerenxhi, etj…”
Në vazhdim të Akt-Akuzës për Koçi Xoxen e bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për ‘Tradhti ndaj Atdheut’, Bedri Spahiu, në emër të Grupit Special të Hetimit që kryesonte, jep prova e dëshmi të aktivitetit armiqësor të të akuzuarve lidhur me detyrën e vënë nga Tito për “eleminimin e Nako Spiros e Enver Hoxhës, marrjen e pushtetit në duar dhe bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë si Republikë e shtatë e saj. “Të besuarit e Titos për në udhëheqje të Partisë e shtetit, pas mënjanimit të Enver Hoxhës ishin: Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Bedri Spahiu, Liri Gega, Kiço, Manushi (Myftiu), Nesti Kerenxhi, etj…”-pohohet mes të tjerave në Akt-Akuzë….
(Vijon nga numri i kaluar)
Pandi Kristo: -Akuzat false jugosllave kishin për qëllim të mposhtnin rezistencën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë(Enver Hoxhës), që me gjithë goditjen që i ishte bërë në Berat dhe sabotimit që i ishte bërë me rastin e revizionimit të Beratit, vazhdonte të mbronte vijën e drejtë të Partisë, indipendencën e saj dhe të republikës. Të godiste indirekt Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë duke goditur Nako Spiron, pasi ky ishte më vunerabël, domethënë, mund të luftohej më kollaj. E pasi të luftohej ky dhe shokët e tjerë që ishin mbështetje për vijën e drejtë të Partisë, mposhtja e përgjithshme e Enver Hoxhës do të ishte më e lehtë, e kështu do të bëhej nënshtrimi i Partisë, transformimi i ushtrisë në një armatë ekskluzive jugosllave dhe aneksimi i Republikës sonë me Republikën e Jugosllavisë… Plenumi i 8-të e konsakroi këtë vijë. Koçi dhe unë ishim për këtë vijë…
I pandehuri Koçi Xoxe ka zhvilluar një veprimtari më intensive me intrigat më të poshtra dhe më djallëzore, me shpifje dhe me gënjeshtra më të ulëta për të mposhtur dhe suprimuar udhëheqësit e vërtetë të Partisë. Pasi determinoi vetëvrasjen e shokut Nako Spiro, Koçi akuzoi për agjentë dhe Mehmet Shehun e disa udhëheqës të tjerë… I pandehuri Koçi Xoxe zhvillonte një veprimtari paraprake, sidomos pas marrjes së akuzës së dytë të grupit trockist të Titos, pra pas shpinës së udhëheqjes, me qëllim që të sigurojë triumfin e qëllimeve të tij kriminale. Ja deklarimet më poshtë:
Koçi Xoxe: -E kush mund të thotë pas këtyre veprave të tij se Nako Spiro nuk ka qenë agjent! Liria, Fadili e Mehmet Shehu janë bashkëpunëtorë koshientë të Nakos. Këta janë pjesa armike që ka pas Nakos… Dhe Partia s’ka pse të mendojë shumë për këta njerëz.
Pandi Kristo: -Koçi Xoxe, para se të ndodhte çështja e fraksionit në kokën e Partisë, që e ngriti në Byro para Plenumit të 8-të, më ka thënë mua se puna e Nakos është një punë fraksioni. Këtë fraksion, tha Koçi Xoxe, e ka bërë Nako Spiro, Mehmet Shehu, Liri Belishova e Fadil Paçrami. Koçi Xoxe më ka thënë se në këtë punë fraksionale është dhe shoku Enver…
6-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi i të lart përmendurve ka tentuar dhe ka konsumuar një seri veprash për të suprimuar moralisht e fizikisht udhëheqës të Partisë. Nga deponimet e të pandehurve, vërtetohet se grupi i lartpërmendur ka zhvilluar një veprimtari të gjerë me metodat më të poshtra, më të ndyra, më intrigante, duke përdorur edhe armiqtë e popullit dhe të dënuar me vjedhje nga gjyqet popullore, për të shkëputur udhëheqësit e Partisë dhe të Republikës nga masat, për t’i diskredituar, për t’i kompromentuar dhe për t’i implikuar në bazë të akuzave false dhe për të përgatitur kështu terrenin për suprimimin e tyre fizik. Me metoda barbare, të pandehurit janë përpjekur që të nxjerrin deklarata nga të dënuar me vdekje, për t’i implikuar udhëheqësit. Ja dëshmia:
Vango Mitrojorgji: -Vaskë Koleci, duke ditur materialin e dy të dënuarve, Anthim Konomi dhe Andrea Xega, se këta akuzoheshin si anëtarë të Komitetit Qendror të organizatës tekniko-intelektuale, tha se këta të dy, duhet të dënohen me vdekje. Në këtë rast, unë i propozova Vaskë Kolecit që pasi të dënoheshin, të rimerreshin në pyetje për të sqaruar çështjet të cilat i kishin fshehur në proces. Vaska e pranoi këtë propozim dhe tha se duhet mundu me i bind që ata të deponojnë dhe nga ana tjetër, tha, t’u premtohet lehtësim dënimi. Me këtë rast, duke u nis nga Plenumi i 8-të, se shoku Nako duhet të ishte agjent, unë i propozoj Vaskë Kolecit dhe ai pranoi që të pyetnim Andrea Xegan se mos na thoshte ndonjë gjë për Nakon… Unë di që për survejimin e udhëheqësve përdoreshin policë që gjoja ishin për t’i ruajtur. Gjithashtu ka pasur një rast që një grua është përdorur për të survejuar një udhëheqës.
7-Komisioni hetimor konstatoi se grupi i lartpërmendur, për të arritur qëllimet e tij kriminale ka zënë pozita kyçe në Parti e në pushtet, në bashkëpunim me grupin nacionalist-trockist të Titos dhe agjentëve të tij. Ja çfarë deponon i pandehuri Koçi Xoxe: “Jugosllavët mua më thoshin se, ti do të jesh Sekretar Organizativ, drejtor për mbrojtjen e popullit, drejtor i Personelit, gjeneral-leitnant, ashtu siç janë caktuar dhe në Jugosllavi funksionet e Sekretarit Organizativ. Këto të gjitha mua më bënë përshtypje se këta i thoshin me autoritetin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Por ata i bënin të gjitha këto me qëllim që unë, ashtu siç përkraha vijën e tyre, të bëhem një garant i fuqishëm në Partinë tonë për të plotësuar qëllimet e tyre”.
I pandehuri Koçi Xoxe, ka sajuar herë pas here dhe riformuar udhëheqjen e Partisë me njerëzit e grupit të tij ose që i konsideronte si të tijtë, në bashkëpunim me agjentët jugosllavë:
“Kam folur me ta(me agjentët e Titos në Berat) për Lirinë dhe Bacën dhe për njerëz të rinj që duhet të vinin në Byro dhe në Komitetin Qendror… Për anëtarët e Byrosë, të Komitetit Qendror ose të Qeverisë, unë kam folur me Savo Zllatiçin dhe ai ka shfaqur mendimin mbi Nestin për në Byro dhe për në Komision të planit, kam folur për Kiçon për në Financë, kam folur për propagandën ku do të shkojë Manushi. Ai ka qenë dakord… Me Savon unë kam biseduar mbi zgjerimin e Byrosë, e ai ka aprovuar mendimin tim për sa i përket Fadilit dhe Lirisë… Kam folur për anëtarët e Byrosë me Gjergjën, kur Gjergja dhe Sava erdhën të merrnin mendimin tim mbi zgjerimin e Byrosë. U kam thënë që Bedri Spahiu të ulej në Komitetin Qendror dhe që Nesrti të vinte në Byro. Kjo ka qenë në tetor të vitit 1946. Ndërsa Pandin e kam propozuar unë për në Komisionin e Kontrollit.(Procesi i të pandehurit Koçi Xoxe, faqe 1, 2, 12)
Nuri Huta(I pandehur):- … Përveç kësaj, Koçi Xoxe më tha që duhet të punoja edhe pranë gazetës ‘Borba’ ku të fitoja eksperiencën e shtypit dhe të propagandës në Parti, pasi kur të kthehesha-më premtoi ai- do të bëhesha një kuadër për Agjitacionin dhe Propagandën në Komitetin Qendror.
8-Komisioni hetimor konstatoi se grupi i lartpërmendur për të lehtësuar realizimin e qëllimeve të tij kriminale ka determinuar spostimin e drejtimit të pushtetit nga partia dhe ka fshehur veprimtarinë e organeve të pushtetit, ku kishte pozita kyçe, nga kontrolli i Partisë dhe ka ushtruar në këto organe dhe në Parti një drejtim personal. Ja dëshmia e të pandehurve:
Koçi Xoxe: -Pas Beratit, filloi spostimi i rolit të Sekretarit të Përgjithshëm, domethënë se, në sektorët që drejtoja unë, i shtyrë nga besimi i tepërt në vetvete, fillova të monopolizoj punën dhe të mos i jap llogari aq sa duhet Sekretarit të Përgjithshëm dhe Byrosë Politike…
I pandehuri Koçi Xoxe ka punuar sistematikisht për mbështjelljen e pushtetit në dorën e tij, i shtyrë nga qëllimet e tij kriminale, ashtu siç deklaroi vetë në kongres: “Një ditë Partia do t’i shikojë punët dhe do të shohë se kujt i përket të jetë Sekretar i Përgjithshëm!”
Në këtë përpjekje të tij, për të përqendruar në duar pushtetin, i pandehuri Koçi Xoxe, i mbështetur dhe nga të pandehurit Pandi Kristo e Vaskë Koleci, kanë nxjerrë nga kontrolli i Komitetit Qendror sektorët e punës së tyre, duke goditur drejtimin unik dhe qendrorizimin demokratik, kanë ngjallur konfuzion dhe dualizëm Parti-Pushtet.
Ja si deponon i pandehuri Koçi Xoxe për sa i përket drejtimit personal që ka bërë: “Veprime për të cilat duhej të merreshin aprovimi i Byrosë ose nga Sekretari i përgjithshëm, janë bërë me iniciativën time…” Ndërsa i pandehuri Vango Mitrojorgji dëshmoi: “Këto udhëzime(për kontrollin e pushtetit nga Sigurimi) u legalizuan dhe me një qarkore të Kryeministrisë drejtuar dikastereve, të firmosur nga Niko Opari, me anën e së cilës, dikasteret urdhëroheshin të merrnin informata nga Sigurimi”. (Procesi i të pandehurit Vango Mitrojorgji, fq.9)
9-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi i lartpërmendur, për të lehtësuar qëllimet e tij kriminale i ka nënshtruar Partinë dhe organet e pushtetit, Sigurimit të Shtetit, duke e futur Partinë në rrugën e transformimit në një detashment partizan dhe Republikën në rrugën e degjenerimit:
“Kuadrot e Partisë janë vënë nën kontrollin e Ministrisë së Brendshme, -deponon i pandehuri Koçi Xoxe, -organet e Sigurimit të Shtetit kanë kaluar zakonisht edhe mbi Partinë, e në vend që të kontrollohen nga Partia, ato kanë kontrolluar Partinë… Për gabimet që janë vërtetuar në vijën e kuadrit, jam i pari përgjegjës, si për veprimet direkt, ashtu dhe për frymëzimin deri poshtë. Janë aplikuar forma organizative jugosllave në Parti dhe në Sigurimin e Shtetit. Është goditur principi i qendrorizmit demokratik, nuk ka pasur zgjedhje, janë bërë emërime nga lart… Është goditur uniteti i udhëheqjes, nga mungesa e zgjedhjeve, disiplina është bërë formale, demokracia ishte dobësuar, kritika dhe autokritika mungonin, ka pasur hezitime në Parti dhe frikë në ngritjen e çështjeve si rrjedhim i mungesës së zgjedhjeve të lira”. Në lidhje me këto, më poshtë po japim dhe deponimin që ka bërë i pandehuri Vango Mitrojorgji:
Vango Mitrojorgji(I pandehur): -Ajo që legalizoi dhe përgjithësoi kontrollin e anëtarëve të Partisë nga Sigurimi, ka qenë Qarkorja e vitit 1947, të cilën e kam përpiluar unë në bazë të udhëzimeve dhe pikave që më caktoi Vaskë Koleci…. Kjo është bërë me qëllim që Partia të jetë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit. Justifikimet e Vaskës i cili më tha të shënoj se Qarkorja nuk ka për qëllim të kontrollojë Partinë, ishte një mashtrim për të fshehur të vërtetën që del sot. Për të gjithë dëmin që i ka shkaktuar kjo Qarkore Partisë, unë marr plotësisht gjithë përgjegjësitë që më bien”. (Procesi hetimor, dok, Fq. 5-6)
10-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi trockist i lartpërmendur, me qëllim që të lehtësonte marrjen e pushtetit në dorë, ka krijuar një fushë arbitrariteti të gjerë në Parti, në organet e pushtetit, të administratës dhe ka përdorur një seri metodash trockiste për të shkëputur masën nga Partia dhe nga pushteti popullor. Ja si kanë deklaruar për këtë vetë të pandehurit:
Koçi Xoxe:- Unë u kam dhënë urdhër hetuesve që atyre që kanë në hetim t’u pakësojnë ushqimin dhe mbulesat, t’u premtojnë se po të flasin do t’ju përmirësojnë konditat. Gjithashtu, u kam thënë që t’i lenë dhe pa gjumë sipas rastit dhe sipas të burgosurit. Mund t’u kem thënë edhe t’u pakësojnë rrobat e trupit. Ju kam thënë që të përdorin ujë të ftohtë në trup për ata persona për të cilët do të bëheshin tortura në bazë të urdhrit që do të kisha dhënë unë. Nuk më kujtohen lloje të tjera torturash… Janë vrarë të burgosur duke u nxjerrë nga burgu me pretekste të ndryshme se do të transferoheshin në një burg tjetër. Për këtë kam dhënë unë… Për Veriun, në shkurt të vitit 1945 i kam dhënë urdhër Vaskë Kolecit që të vriste nga ata të fajësimit pa gjyq… Kam lajmëruar në operacionin e Peshkopisë që në qoftë se nuk arrinte gjyqi, të ekzekutonte pa gjyq prej atyre që ishin në rrezik të arratiseshin në shkallë të gjerë. Kjo do të bëhej që të merrnin frikë edhe të tjerët. (Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Vazhdimin e Akt-Akuzës së Komisionit të Posaçëm Hetimor të firmosur nga Bedri Spahiu kundër të pandehurve Koçi Xoxe e bashkëpunëtorëve të tij të akuzuar për ‘Tradhti ndaj Atdheut’.
-Dëshmitë e të pandehurve në hetuesi lidhur me goditjen dhe eliminimin(vetëvrasje) të Nako Spiros, me porosi të të dërguarve të Titos.
-Akuza: Si punoi Koçi Xoxe për ngritjen e rrjetit të spiunazhit jugosllav në Shqipëri.
Lufta per pushtet,kish si karakter dy grupe komuniste,ate te Koci Xoxes,si te moderuar ndaj politikave te Titos si nje fitimtar ne gjith rjedhen historike te mbas luftes,dhe nje humbsi te Enver Hoxhes me politika konservative Islamo-Komuniste teper diktatoriale!
Koci Xoxe ish shum e shum here me i pergatitur se Enver Hoxha,dhe mundet ta quajm Grupin e tij si grup oratoresh,qe mundet ti jepte Shqiperise driten e zhvillimit,dhe jo te prapambetjes shekullore te shkaktuar nga kultura Orientale,qe ne shqiperi ka luftuar gjithnje per pushtetin e tij personal,e jo per permirsimin e jetes se qytetarve te saj!
Enver Hoxha me grupin e tij kundershtar ndaj koci xoxes ne lufte per pushtet,sajoj nje sere shpifjesh,deri sa e beri Agjent te Jugosllaveve,ku mendimet e lira te krishterimit si ideologji ne shqiperi ,nuk mundet te shpreheshin lirisht,edhe pse flitej nje gjuhe komunikimi,asaj shqipe!
Pra ktu kemi te bejme me lufte ideologjish,asaj te Krishtere,ku kerkon lirin e te menduarit e te te shprehurit dhe asaj konservatore,Turko-Orientale qe perfaqsohej nga Enver Hoxha edhe pse e mbante veten komunist,por nje lufte e ftohte mes permes Shqiptarve,ashtu si Fan Noli me Ahmet Zogun,Berish me Nanon apo me Ramen!
Sa mir do te ishim,sikur ideja e Koci Xoxes te triumfonte,edhe pse ne komunizmin e Titos!
Fundja fundit,do te ishim te bashkuar si komb ,dhe emrin Republike nuk na i hiqnin dot!
Krishterimi Europian perkrahu Titon ne reformat e tij,edhe pse Tito ish nje Komunist,por nje Komunist qe edhe sot e kesaj dite mbas 34 vitesh vdekje Tito ngelet nje simbol per gjith popujt e ballkanit!
Dikush qe i perkiste nacionalizmi ekstrem,edhe mundet ta shaje,edhe nepermjet shum shqiptarve ne kosove apo ne maqedoni,qe kan vuajtur ne burgjet e ish jugosllavese!
per mendimin tim,gazeta e nderuar DITA,nuk duhet te harxhoje kohe dhe energji per nje kohe pak a shume te larget.Ne fund te fundit,ne kohen e diktatures komuniste,denimet jane dhene me gjyq,konform ligjeve te atehershme.Une do ti propozoja gazetes DITA qe te merrej me shume me Ahmet Zogun e diteve tona pra,me Sali Berishen, qe vret deri edhe deputete te popullit pa gjyq,prapa kraheve.Po ju numeroj ca:Azem Hajdari,Gramoz Pashko,Fatmir Xhindi.Nuk po fus ne hesap katastrofen e vitit 97-te apo gerdecin dhe 21 janarin.Personalisht jam i mendimit se edhe vetevrasjet per shkak te mjerimit dhe vrasjet per shkak te kanunit,i duhen faturuar atij qe eshte nje pasues i denje i Koci Xoxes se sotem pra Sali Ram Berishes.PS:Mora shkas te shkruaj kete koment edhe per tju pergjigjur komentuesit me emrin Ben qe do te ishte i lumtur qe Shqiperia te ishte nen suazen Jugosllave por per fatin etij te keq,Enver Hoxha nuk elejoi kete.