“Akt terrorist kundër SHBA”, shqiptarët e Malit të Zi dënojnë sulmin me bomba

DITA Online

 

Shqiptarët në Mal të Zi shprehin habi dhe indinjatë për sulmin ndaj ambasadës amerikane.

Ndërsa të zgjedhurit e tyre e kanë dënuar menjëherë me deklarata publike ngjarjen që ndodhi Podgoricë.

Ne qytetin e Tuzit, pak kilometra larg Podgoricës, banojnë shumë shqiptarë të Malit të Zi.

Ata thonë se janë tronditur nga sulmi me bomba ndaj ambasadës amerikane dhe thonë se ishte një sulm terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mesazhe vijnë nga Nikoll Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike, i cili shprehet se sulmi ishte një eksperiment i rëndë, por i dështuar.

“Është hera që interesat amerikane të atakohen në mënyrë direkte edhe në Mal të Zi. Amerikanët njihen në përgjithësi si miqtë tanë Megjithatë shprehim kënaqësinë se sulmi nuk pati viktima”, u shpreh Nikoll Camaj.

Edhe Kryetarin e Kuvendit Komunal të Tuzit, Fadil Kajoshi dënon sulmin. “Askush nuk e do diçka të tillë. Aq më mirë që nuk është shqiptar sepse dihet qëndrimi i shqiptarëve për SHBA”, u shpreh Fadil Kajoshi.

Ndërsa nën/kryetari i Alternatives Shqiptare Nik Gjeloshi, e quan një akt terrorist jo vetëm kundër Shteteve të Bashkuara te Amerikës, por dhe Shqipërisë e shqiptarëve.

“U kuptua edhe si një sulm ndaj shqiptarëve, sepse amerikanët janë një popull mik i shqiptarëve. Në këtë drejtim e kemi dënuar si një akt terrorist të një personi që ka qenë i dekoruar nga Millosheviç”, u shpreh Nik Gjeloshi.

Ndërkohë, policia malazeze ka identifikuar Dalibor Jaukovic, 43 vjeç, si personin që hodhi një granatë në ambasadën amerikane në Podgoricë dhe më pas hodhi edhe veten në erë. Jaukoviq, sipas mediave malazeze, ka jetuar në Podgoricë ndërsa ka lindur në Kraljevë.

Sipas tyre, ai ka shërbyer në radhët e ushtrisë jugosllave edhe në Kosovë dhe është nderuar me një medalje për merita për mbrojtjen dhe sigurinë e Republikës Federale të Jugosllavisë në 1999 nga vetë presidenti i atëhershëm Sllobodan Milloshevic.

Në motivacionin e dekoratës që i është dhënë atij, shkruhej ‘për merita të veçanta në kryerjen e detyrave në mbrojtje dhe siguri’. Shpërthimi, për të cilin policia konsideron përgjegjës Jaukovic, ndodhi pak pas mesnate. Nuk është ende i qartë motivi i këtij sulmi dhe as nëse ai synonte të shkaktonte viktima.

Sidoqoftë, Prokurorja e përgjithshme Tanja Colan Deretic, thotë se do të ketë një hetim të plotë.

“Njësitë e posaçme kanë nisur hetimet për të zbardhur rastin, janë veçuar disa prova që do ti nënshtrohen ekspertizës ndërsa një trup i pajetë ndodhet në morg”, është shprehur Tanja Colan Deretiç, kryeprokurore.

Incidenti në Podgoricë ndodh saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *