Procesi i lirimit të banesave të pronarëve, në përputhje me Aktin Normativ, të miratuar nga Kuvendi, parashikohet të përfundojë në pjesën më të madhe të tij rreth dhjetëditëshit të pare të muajit dhjetor. Me një Urdhër të ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, Entit Kombëtar të Banesave i delegohen kompetencat për procesin, sipas të cilit drejtorët rajonalë të EKB duhet të raportojnë në qendër me shkrim për ecurinë e procesit çdo tri ditë, të paktën deri në datën 10 dhjetor 2012. Kjo lë të kuptohet se procesi i lirimit të banesave do të jetë intensiv për 5 javët e ardhshme. Pas dhjetëditëshit të parë të dhjetorit, raportimi i drejtorive do të bëhet një herë në javë, kur pritet ulja e fluksit të punës.
Raporti i drejtorive të Entit Kombëtar të Banesave do të përmbajë numrin e aplikimeve të reja nga pronarët, numrin e njoftimeve të hartuara, kërkesat e dërguara në gjykatë dhe procesverbalet e mbajtura pas lëshimit të urdhrit të ekzekutimit. Hapi i parë i parashikuar nga Akti Normativ ishte ai i lirimit vullnetar të banesave të pronarëve nga përdoruesit e tyre deri më 1 nëntor. Këtyre të fundit iu ofrohet mundësia të përfitojnë kredi strehimi me interes zero. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 50% e familjeve kanë aplikuar për kredi.
Nga ana tjetër, pronarët që hasin vështirësi në marrjen në zotërim të banesës, mund të plotësojnë një formular ku i kërkojnë Entit Kombëtar të Banesave të bëjë veprimet për lirimin e banesës së zënë. 2 ditë pas marrjes së njoftimit, Enti Kombëtar i Banesave nis procedurat në gjykatë në mënyrë që të garantojë kthimin e pasurisë së paluajtshme në pronësi të pronarit të ligjshëm. Nga ky Akt, i lënë në fuqi me një procedurë tejet të përshpëjtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, pavarësisht nga kundërshtimi në rrugë ligjore i qiramarrësve, preken rreth 3.200 familje, të cilat prej shumë vitesh banojnë në banesat e pronarëve.