Nuk po zbuten polemikat mbi kapjen e anijes kërkimore “Arctic Sunrise” në ujërat ndërkombëtarë nga autoritetet ruse… një akuzë tjetër që i është shtuar asaj të piraterisë është ajo e transportit të drogës. Por shoqatat përgënjeshtrojnë: “Janë shpifje”
Rreth një muaj më parë forcat e sigurisë ruse zbritën nga helikopterë në bordin e anijes “Arctic Sunrise” duke arrestuar rreth 30 aktivistë të organizatës ambientaliste “Greenpeace” me akuzën se u përpoqën të bllokonin punën e një platforme nafte ruse në det të hapur.
Akuzat – Ndalimi i anijes “Arctic Sunrise” dhe aktakuzat që vijuan për një pjesë të madhe të aktivistëve në bordin e saj nga autoritetet ruse, nuk reshtin së shkaktuari debate. Pas konfrontimit të hapur midis botës së shoqatave dhe Kremlinit, u hap edhe një krizë diplomatike midis qeverisë holandeze dhe asaj ruse që sot luan “letrën” e drogës, a thua se ka të bëjë me këtë rast.
Autoritetet ruse deklaruan se kanë gjetur “droga të rënda” në bordin e anijes, duke shtuar se bëhej fjalë për morfinë dhe opium lulëkuqesh, por nuk është e qartë se në çfarë sasie. Duhet nënvizuar se morfina zë një vend legjitim midis barnave të tjera, nga ana tjetër vështirë të besohet se ai që drogohet, mund t’i injektojë vetes lulëkuqe. Është mëse e dukshme që bëhet fjalë për një pretekst.
Edhe nëse në anije do të gjendej drogë e rëndë që mund të përdorej nga ndonjë anëtar i ekuipazhit, kjo nuk e bën atë kriminel dhe as nuk është e ligjshme ndërhyrja e autoriteteve ruse, të cilat nuk mund të justifikojnë arrestimin e një ekuipazhi anijeje që lundron në ujërat ndërkombëtarë, me praninë e një sasie të vogël “droge” në bordin e saj.
Përgjigja e Greenpeace – Sipas zëdhënësit të kësaj shoqate, në të vërtetë bëhet fjalë për morfinë për përdorim mjekësor dhe dhe se njoftimi i policisë ishte thjesht propagandë. “… mund vetëm të supozojmë që autoritetet ruse po i referohen pajisjeve mjekësore, të cilat anijet tona janë të detyruara me ligj që t’i transportojnë. Anija është kontrolluar në çdo cep nga zyrtarët rusë disa javë më parë. Prandaj mendojmë se deklarata është bërë për të hequr vëmendjen nga indinjata botërore në rritje mbi burgosjen e aktivistëve. Çdo pohim se janë gjetur droga ilegale është një shpifje, një sajesë e pastër”.
Para se “Arctic Sunrise” të largohej nga Norvegjia për t’iu drejtuar Rusisë Arktike me qëllim që të pengonte derdhjet e naftës ruse në rajon, anija është kontrolluar edhe me ndihmën e qenve të policisë norvegjeze. Kjo është praktika normale që ndiqet në të gjitha subjektet.
“Ligjet norvegjeze janë ndër më të ashprat në botë, dhe nëse asgjë nuk u gjet, do të thotë se nuk kishte asgjë të paligjshme. “Arctic Sunrise” që mban flamurin holandez, është sekuestruar në ujëra ndërkombëtarë dhe si pasojë është subjekt i ligjeve holandeze, sipas të cilave është e paligjshme të dalësh në det të hapur pa pajisjet e nevojshme mjekësore… Midis ekuipazhit të anijes është edhe një mjek i kualifikuar që ka më shumë se dhjetë vjet eksperiencë në spitalet ruse. Disa furnizime mjekësorë mbahen në një kasafortë dhe në to kanë akses vetëm kapiteni dhe mjeku i anijes. Besojmë se janë pikërisht këto pajisje që i referohen shërbimet e sigurisë ruse”, theksoi zëdhënësi i “Greenpeace”.
Aktivistët, shtetas të 18 vendeve të ndryshme si SHBA-ja, Britania, Polonia, Kanadaja, Rusia, dhe Zelanda e Re, mund të përballen deri me 15 vjet burg, ndërkohë që grupet për të drejtat e njeriut kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tyre./D.Gjuzi
