Aktiviteti fizik, sa dhe si duhet të ushtrohet çdo grupmoshë

Pranvera Kola

Mungesa e aktivitetit fizik konsiderohet nga mjekët si një ndër faktorët e riskut për shfaqjen e shumë sëmundjeve, veçanërisht atyre kardiovaskulare, diabetit dhe kancerit.

Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) apelojnë për mosneglizhimin e aktivitetit fizik. Sipas tyre, kujdesi për regjimin ushqimor dhe aktivitetin fizik janë gurë themeli në parandalimin, si dhe kontrollimin e shumë sëmundjeve.

“Aktiviteti fizik i pamjaftueshëm është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për vdekshmërinë në mbarë botën. Kjo pasi shton rrezikun për t’u prekur nga sëmundjet jo të transmetueshme, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri dhe diabeti. Duhet të dini që aktiviteti fizik kontribuon në parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme. Globalisht, 1 në 4 të rritur nuk është aktiv sa duhet, teksa më shumë se 80 për qind e adoleshentëve në botë nuk janë fizikisht aktivë sa duhet”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së.

Çfarë duhet të kuptojmë me aktivitet fizik
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me aktivitet fizik duhet të kuptojmë çdo lëvizje trupore e prodhuar nga muskujt që kërkon shpenzime të energjisë, përfshirë këtu aktivitetet e ndërmarra gjatë punës, lojës, kryerjes së punëve shtëpiake, udhëtimit dhe angazhimit në aktivitete krijuese. Termi aktivitet fizik nuk duhet të ngatërrohet me stërvitjen, e cila është një nënkategori e aktivitetit fizik. Sipas tyre çdo grupmoshë duhet të kryejë aktivitetin e përshtatshëm fizik.

Aktiviteti fizik i moderuar dhe intensiv
Aktiviteti fizik i moderuar kërkon sasi të moderuar të efortit që shpejton ritmin e zemrës, ndërkohë që përfshin ecje të shpejtë, vallëzim, punë në shtëpi, punë në kopsht, mbajtje të ngarkesave deri në 20 kg, përfshirje në lojëra dhe sporte me fëmijë, marrjen me punët e vreshtarisë, si dhe aktivitete të tjera të ngjashme. Ndërsa aktiviteti intensiv, kërkon sasi të madhe të efortit që shkakton frymëmarrje të shpejtë, si dhe rritje të konsiderueshme të ritmit të zemrës. Në këtë aktivitet përfshihen vrapi, ngjitja me shpejtësi e lartësive, ecja e shpejtë me biçikletë, aerobia, noti, futbolli, basketbolli, volejbolli, si dhe mbajtja e ngarkesave të konsiderueshme

Përfitimet e aktivitetit fizik në shëndetin tonë
Aktiviteti fizik i rregullt me intensitet të moderuar si ecje, çiklizëm, ose disa lloje sportesh, ka përfitime të rëndësishme për shëndetin. Për të gjitha moshat, përfitimet nga të qenit fizikisht aktiv janë më të mëdha se dëmet e mundshme.

Aktiviteti fizik i rregullt përmirëson gjendjen e muskujve dhe frymëmarrjen, përmirëson dhe forcon eshtrat, zvogëlon rrezikun e hipertensionit, të sëmundjeve koronare të zemrës, diabetin, disa lloje kanceri (duke përfshirë kancerin e gjirit dhe kancerin e zorrës së trashë) dhe depresionin, si dhe zvogëlon rrezikun e rrëzimeve. Në vijim të shkrimit po ju listojmë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit mbi aktivitetin fizik që duhet të kryejë çdo grupmoshë.

Fëmijët dhe adoleshentët e moshës 5-17 vjeç
• Duhet të kryejnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik të moderuar në intensiv në ditë.
• Duhet të përfshihen në aktivitete që forcojnë muskujt dhe kockat, të paktën 3 herë në javë.

Të rriturit e moshës 18- 64 vjeç
• Duhet të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar gjatë gjithë javës, ose të bëjnë të paktën 75 minuta aktivitet fizik intensiv gjatë gjithë javës, ose një kombinim të të dyjave.
• Aktivitetet për forcimin e muskujve duhet të bëhen duke përfshirë grupe të mëdha të muskujve në 2 ose më shumë ditë në javë.

Të rriturit e moshës 65 vjeç e lart
• Duhet të kryejnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik me intensitet të moderuar gjatë gjithë javës, ose të paktën 75 minuta aktivitet fizik intensiv gjatë gjithë javës, ose një kombinim të të dyjave.
• Për të pasur më shumë përfitime në shëndet, të moshuarit duhet të rrisin aktivitetin fizik me intensitet të moderuar në 300 minuta në javë.
• Të moshuarit me lëvizshmëri të ulët duhet të kryejnë aktivitet fizik 3, ose më shumë ditë të javës për të rritur ekuilibrin dhe për të parandaluar rrëzimet.

Si duhet ushtruar
Aktivitetet për forcimin e muskujve duhet të bëhen 2 ose më shumë ditë të javës duke përfshirë grupe të mëdha të muskujve. Intensiteti i formave të ndryshme të aktivitetit fizik ndryshon në varësi të njerëzve. Për të qenë i dobishëm për shëndetin, të gjitha aktivitetet duhet të kryhen në periudha kohore të paktën prej 10 minutash./ DITA 

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *