Nga Fatbardh Rustemi
Ishte çadër dhe u bë skenë, ky më duket aksioni opozitarë i radhës, pasi në skenën e improvizuar pa afat: mbahen fjalime me gjuhë politikanësh, recitohet me ufe e bufe të mëdha, sikurse dhe aktrohet para kamerave, duke i bërë thirrje qytetarëve t`i bashkohen nismës për mbrojten e “teatrit të vjetër”, sikur të jetë mall i lënë nga babai. Ata që mburren se shembën komunizmin, tani kanë kthyer në kauzë të tyren: mos shembjen e një godine, që duan t`i japin përmasat e një tempulli, duke i thënë botës: “Ja këta kemi qenë, bijë kapanonësh! E nisëm me fashizëm dhe e bitisëm me komunizëm!” Të tjerë aktorë pranua zgjidhjen, jo prej partisë së Koços, që, teritori i teatrit të mos prekej dhe, gjithçka u mbyll me një foto krahëqafë me kryebashkiakun. Disa të tjerë, së bashku me “Lali Erin” shkuan të inspektonin punimet e arenës së futbollit, ku u ra dakort, që modeli i ngritjes së arenës të përdorej dhe për teatrin e ri, si të përligjnin thënien e aktorit të madh, Sandër Prosi, se skena është për aktorin si stadiumi për futbollistin. Siç dihet dhe për stadiumin “Qemal Stafa” u bë nami, që të mos prishej. (Interesant është fakti, se arkitekti që po ndërton “Arenën Kombëtare” është italian, i famshëm siç thuhet, Marco Casamonti, sikurse ka qenë italian dhe ai që ndërtoi stadiumin dhe “teatrin e vjetër”. Por, ku ka si italjonët e Duçes, or lale, ku ka?!) Të duket, sikur ca luajnë me porta të vogla dhe ca të tjerë me porta të mëdha. Por, në këtë mesele, ata që luajnë pa top, edhe pse s`duken: bëjnë çmos që skena e prapaskenave të fitojë mbi arenën e transparencës. Pasi, tranzicioni i gjatë, kaloi nga skenaristët dhe tani: u erdhi radha aktorëve, të kudondodhur! Edhe në Spaç të burgosurit luanin teatër. (Arena është vendi ku përleshen gladiatorët, apo bëhet lufta me demat, por, dhe një vend cirku. Ka dhe një emision televiziv i debateve politike me titullin “Arena”) Shkurt: përballë kryministrisë u vu çadra, përballë arenës, skena. Nëse ka një vend ku skena po i argëton shqiptarët është parlamenti, i cili nëse ndodh të ndërtohet një i ri, siç e kishte në mend zonja Topalli, nuk do qe keq: ekzistuesin ta kthenin në një teatër kukullash, sikurse ngjau dhe me parlamentin e mbretërisë. Në këtë histori aktorësh, do ishte më e udhës, të merrej shembulli i aktorit komik italian Bepe Grillo, meqë nga Italia kemi marrë shumëçka, i cili me populizmin e tij arriti të krijonte një parti që bëri bujë në shtetin fqinjë. Meqë mbiemri i aktorit me kujton atë të një shkrimtari për fëmijë, Odise Grillo, prite kur t`i dalë origjina këndej nga anët tona, mos ka ardhur koha që “politika e vjetër” t`i lërë prapaskenat dhe të dali në skenë dhe, këtë të mirë t`ua njohim luftëtarëve të “teatrit të vjetër”? Ma do mendja që Arben Imami dhe Zef Bushati të jenë të një mendje me mua…
Meqë në tubimin e aktorëve “pro teatrit të vjetër” flitet për memorie, kujtesë të kulturës sonë, prita gjatë në daljet e tyre të radhës në një kanal televiziv, mos dikush prej tyre, do gjente rast, në shenjë homazhi: të thoshte ndonjë fjalë për dramaturgun, Loni Papa, i njohur më së shumti, si autor i dramës “Cuca e maleve”, i sapondarë nga jeta. (E gjithë puna është të ruhemi nga mallkimet e aktorëve, se ai i dramaturgëve nuk të zë.) Po pse nuk u ndjen për të ndjerin dramaturg? Me sa duket, nuk plotëson kushtet për të qenë pjesë e memories. Atëherë për kujtesë: drama “Cuca e maleve” u vu në skenë nga regjisorët më të njohur të kohës: Mihal Luarasi dhe Piro Mani, ku luanin thuajse e gjithë plejada e aktorëve të nderuar të skenës. Pa përmendur dhe përshtatjen e saj për baletë. A janë këta zotërinjë mbrojtës të flaktë të teatrit kombëtar për kujtesën historike? E kishin rastin ta tregonin veten për të qenë të besueshëm dhe të vërtetë, pse s`e bënë? Po ta bënin, do hapej dhe një avaz tjetër: heroinat partizane të komunizmit janë vrarë prej “komitetit të maleve”, me akt-akuzën e hijenave të shpellave: “Për shkelje të zakoneve të vendit, për ndjekjen e rrugëve të komunistëve, ju dënojmë me vdekje, me tortura”. Seç qënka një, Ndue P. Gjonmarku, banues në Kanada, i cili na qënkish deklaruar me mburrje: “I kam vrërë unë cucat”, kur kanuni e ndalon vrasjen e femrës. (Informacionet janë marrë nga rrjetet sociale.) Për analogji, Viktor Malaj, në një shkrim të fundit të tij në gazetën “Dita”: me “komitet të maleve” po personifikon lidershipin e PD-ës. Ndoshta kjo është arsyeja që morti i dramaturgut u shoqërua me një heshtje varri. Në fakt, drama e Loni Papës, pavarësisht kontekstit historik, udhëhiqet nga ideja iluministe e Naimit: “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Fotoja e aktores mbresëlënëse, Roza Anagnosti, pranë dërrasës së zezë, ku shkruhet gërma “A” e gjen në ambientet shkollore të klasave të para. Ata që e kanë parë dramën “Cuca e maleve”, e kujtojnë skenën, kur prifti i imponohet Gjinit të pashkollë, që të ngrejë “gurin e pendesës”, si një akt turpërimi ky, meqë akuzohej për një vjedhje, që s`e kishte bërë. Një gur të tillë kanë vënë në skenë dhe këta të “teatrit të vjetër” duke hamendësuar për pazare të pista pushtetarësh me 3P-të, kështu që: Rama dhe Veliaj, sipas tyre, duhet të ngrenë “gurin e pendesës”. Ndërsa aktorët e arenës duke inspektuar punimet e stadiumit modern i kundërvihen me “gurin e provës”. Ata të farsave, për të fshehur veten: ankohen për fasadat.
Teksa prisja një memorialistik të çastit për dramaturgun, Loni Papa, veç kur del një zotëri dhe jep piskamën për: librat e lagura në fondin e Bibliotekës Kombëtare. Kjo ngjarje e rëndë, më çoi në motin e shkuar: në aksionin politikë të “kohës së partisë” i njohur me thënien sugjestionuese: “të heqim ujrat e tepërt nga librat”. Ato libra që kanë patur ujë brenda, teatri ku e ku më shumë, të mësuar me lagështirën, nuk duhet të jenë ndjerë dhe aq keq, nga shirat e fundit. Kohë më parë librave u ra zjarri, gjë që më kujtoi një thënie tjetër: “Sa më shumë letra në zjarr dhe sa më shumë zjarr në letër”. Kështu që uji dhe zjarri për letërsinë e realizmit socialist, erdhi në ditët e sotme, si një shpagim. Dihet që pas politikanëve, ata që s`para lexojnë libra janë: aktorët, ndjesë nëse dikush e merr për fyerje dhe, kur libri shenjtërohet prej atyre që s`lexojnë, ky është përdhunim. Dhe ti pyet: pse s`ndihen shkrimtarët, dramaturgët në këtë kohë aktorësh? (Dhe ja një reagim. Poetët janë të parët, që po i dalin zot vetes, nisur së pari nga Driteroi, i cili i recitonte vetë poezitë e tija. Në këtë rrugë po ecin dhe poetë të tjerë, sikundër më ka rënë rasti të dëgjoj nga Demir Gjergji dhe Petrit Ruka.)
Teksa dëgjon: fjalë dhe vetëm fjalë, o zot sa shumë fjalë boshe shpenzohen, qofshin këto dhe fjalë artistike, s`ka si të mos kujtohet gjuhtari, i cili shkriu jetën e tij për gjuhën shqipe, Eqerem Çabej, tashmë i derdhur në bronz, busti i të cilit është vëndosur para Akademisë së Shkencave, së cilës qeveria i ka pezulluar fondet me kusht që të reformohet. Njëherësh në Gjirokastër po rikonstruktohet shtëpia e dijetarit të madh, sikur kohë me parë u bë me shtëpinë e Kadaresë. Kujtoj, aty rreth viteve `80-të, në shtëpinë e një nipit të Çabejt në Lushnje, Robertit, kam parë kolonën e të gjithë veprës së profesorit, më një lidhje më të mirë nga ajo e veprave të Enver Hoxhës, botuar prej kosovarëve, kur shteti amë mjaftohej me botimet në revistën “Studime gjuhësore”. A nuk janë këto dëshmi të kujtesës sonë kombëtare? Meqë jemi në kohën e turizmit, po kujtoj një fakt: vendlindja e poetit skocez, Robert Bërns, nuk ka resurse natyrore për të zhvilluar ekonominë e saj. I vetmi burim fitim, janë turistët, që vijnë të shohin shtëpinë dhe vendlindjen e poetit. Dhe kjo ndodh sepse poeti ka bindjen: “Por, varfërinë e zboj e tremb/Dhe s`ka më varfëri./Veç dashurinë dot se shemb/Se mbetet dashuri.” Muret janë mure, bëni kujdes: mos shembni dashurinë.

Një saktësim: lajmi se po restaurohet “shtëpia e Eqrem Çabejt” në Gjirokastër është i Pavërtetë.
Shtëpia që po restaurohet është një tjetër, ngjitur me të.
Shtëpia e E. Çabejt, e cila në të vertete eshte pronéprivate e nje famileje tjeter qe e ka pase vlere ketu e me se gjysme shekulli me pare, eshte tashme e rrenuar e gati po shembet.