AKU, hetim për mënyrën e therjes dhe tregtimit të mishit

Elton Tafaruci

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të hetojë mënyrën se si ende gjendet mishgjedhi në njësitë e tregëtimit në një pjesë të qyteteve të vendit, në një kohë kur me urdhër të ministrit Panariti, është venë embargo e mishit, per shkak të sëmundjes që ka prekur blegtorinë.

Drejtoria e Përgjithshme e AKU bëri të ditur sot se do të verifikojë edhe punën e Drejtorive Rajonale të AKU, si dhe të inspektorëve të saj në qarqe.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU, Isuf Shehu, gjatë një mbledhje me drejtorët e 12 Drejtorive Rajonale të AKU në Qarqe deklaroi, se AKU do të hetojë punën e 12 drejtorive rajonale  dhe nëse ka shkelje të urdhërit të Ministrit Panariti apo të ligjit, do të merren masat e nevojshme ndaj tyre.

“Në zbatim të urdhërave të mësipërm, AKU nuk ka lejuar importin e asnjë kafshe, që nga data e daljes së urdhërave, nga Kosova, Serbia, Greqia e Bullgaria, shtete këto të prekura nga sëmundja Lumpy Skin Disease. Gjithashtu, nga këto shtete, nuk është lejuar të futet në territorin e Republikës së Shqipërisë, asnjë gram mish i freskët”, deklaroi Shehu.

Në lidhje me situatën në vend, të lëvizjes së kafshëve, lëvizjes së mishit, apo për faktin që në njësitë (dyqane) tregtohet ende mish i therur në vend, Drejtori i Përgjithshëm i AKU deklaroi se, “puna në terren e inspektorëve të AKU ka qenë e madhe dhe në zbatim të plotë e me rigorozitet të urdhërave të ministrit, edhe pse vetëm në një pikë të njërit prej tyre përfshihej AKU.

“Bazuar në informacionet që kemi të ardhura në rrugë të ndryshme, përfshirë edhe mediat, AKU do të investigojë se si dhe ku theren kafshët, kush e transporton mishin dhe për çdo rast evidentimi në terren, apo informacioni që do të mbledhim, do të marrim masat e nevojshme. Ndërkaq, masat që nga data 8 korrik 2016, kanë qenë jo të pakta, që nga paralajmërimet e deri te gjobat ndaj subjekteve”, tha Shehu.

Urdhërat e Ministrit të Bujqësisë, dolën me qëllim marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e perhapjes së kësaj sëmundjeje në vendin tonë, pasi ka prekur kafshët e llojit gjedh në vendet fqinje, si Kosovë, Serbi, Greqi e Bullgari.

Lumpy Skin Disease është një sëmundje virale e Gjedhit dhe karakterizohet në mënyrë tipike nga nyje në lëkurë duke përfshirë gjithë sipërfaqen e trupit: kokën gjymtyrët, hundën, bishtin, mukozën e gojës. Kjo sëmundje ndodh gjatë verës dhe vjeshtës në muajt, kur insektet janë me shumicë, ndërsa sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *