Rrugëtimi i akuarelit i ngjan dallgëve të detit, që herë vijnë duke u shuar dhe herë të tjera marrin shkumëzime të larta e madhështore në shtrirjen kohore të Historisë së Artit. Akuareli është historia e bashkëveprimit të ujit me pigmentet e ngjyrave dhe kjo lidhje humbet në kohë në mugëtirën e largët të qytetërimit. E nisur në kohët prehistorike, ruhen gjurmë e shprehjet e para artistike të mahnitshme, të kësaj lidhjeje të pigmenteve bojës të përziera me ujë. Hapësirat e shpellave, ku shfaqen incizime të pikturuara, janë quajtur “katedrale të prehistorisë” dhe njëra për bukurinë dhe magjepsjen është emëruar “Kapela Siskstinë” e periudhës neolitike.
Egjiptianët e lashtë vernikun me bazë uji e përdornin për të dekoruar tempujt dhe varret, ku shkruajtën dhe u bënë ilustrimet e para të akuarelit nëpër papiruse. Mjeshtrit kinezë dhe japonesë filluan të pikturonin mbi letër të prodhuar me dorë. Krijimi i letrës i dha një hov të paparë zhvillimit të teknikave të akuarelit. Nisi me kaligrafinë e më pas me ilustrime të ndryshme, shoqëruese të librave që botoheshin. Arabët e morën letrën nga kinezët dhe më pas hyri në Evropë, ku u kap shpejt nga artistët evropianë tëe kohës.
Në dallim nga afresket dhe piktura e kavaletit, akuareli u dha artistëve lehtësinë e jashtëzakonshme për të punuar. Një kasetë me ngjyra, penela dhe një bllok ishin të mjaftueshëm. Në kalim të kohës shihen ndryshime të mëtejshme, që lidhen me teknologjinë e cilësinë e ngjyrave, letrës me lagështirën apo edhe me përthithjen që u bëhet ngjyrave etj., etj.
Ravigimi në kohë i akuarelit u bë pjesë e pandashme e vetë udhëtarëve në zbulimet që pasuan, duke u kthyer në një traditë piktorike. Akuareli u përdor si mjet pasqyrimi i botëve të reja, për të dhënë peizazhet, kafshët, bimët apo njerëzit e veshjet e tyre. Punimet në akuarel, në një farë mënyre, janë edhe pamjet e para “fotografike”, me anë të të cilave piktorët ngjallën kërshërinë dhe joshjen ndaj vendeve që vizitonin apo zbulonin. Dëshmonin më së miri takimet e udhëtarëve me natyrën, emocionet që ata provonin e ndjenin në hapat e tyre drejt vendeve ku kaluan.
Akuareli nuk mund të qëndronte thjeshtë si një mjet tregimi apo pasqyrimi. Ai u afrua shumë nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, fillimisht si sprova apo etyde studimi për tablotë e ardhshme, por kur u panë vetitë e tij shumë të mëdha, atëherë u trajtua si një gjini më vete, duke fituar përfundimisht qytetarinë artistike ndërmjet të gjithë llojeve të tjera të artit si një disiplinë piktorike që mësohet e praktikohet gjerësisht.
Mjeshtra të mëdhenj të pikturës, por edhe skulptorë janë marrë me këtë gjini mbresëlënëse. Rafaeli e përdori si vizatime pune për të prodhuar tapiceri me një bukuri e shkëlqim të madh. Ndërmjet artistëve që kanë përdorur teknikën e akurelit përmenden: Xh. Kanaleto, A. Dyreri, P. Rubensi, Van Dyk, H. Fragonardi, A. Rodeni, U. Homeri, P. Sezani, P. Gogeni, E. Hoperi, V. Kandinski, K. Mone, P. Pikaso, U. Turneri e të tjerë artistë të shquar.
Ndërmjet akuarelistëve të parë dallohen veçanërisht artistët botanistë. Njohja e botës ishte e shumëanshme dhe ishte flora e fauna e natyrës, që pati një grishje të madhe. Venia në dukje e llojeve e specieve të ndryshme nxiti shumë piktorë t’i drejtoheshin kësaj gjinie për të bërë pasqyrimet sa më reale dhe sa më të sakta. Rrethe të gjëra të publikut, e mbi të gjitha të shkencës panë në këto punime një realitet krejt të magjishëm që me saktësinë e bukurinë e tyre u sollën atyre nëpër katedrat dhe laboratorët pamjet e gjalla të shumë kafshëve e bimëve të panjohura. Në historinë e akuarelit artistët botanistë kanë mbetur përherë ata që kanë qenë më ngulmuesit dhe më kërkuesit e interpretuesit e akuarelit.
Me anë të shumë akuareleve është bërë e njohur bota shqiptare me bukuritë e natyrës, veshjeve e peisazheve. Bien në sy punimet e Eduard Lirit, por edhe te piktori të madh francez Delakrua, i cili i magjepsur nga kostumet shqiptare, pasi i dalloi në pavionet e Parisit, i trajtoi me shumë mjeshtëri në teknikën e akuarelit. Edhe autorë të tjerë të huaj piktorë të famshëm si Gleir, Dypre, B.Pineli, Karl Haag, Edit Durham, L. Piffero, etj., etj. janë marrë me temën shqiptare, natyrën dhe bukurine e kostumografisë shqiptare, të trajtuar mjeshtërisht në akuarele..
Në vendin tonë akuareli ka qenë “i ndrojtur” dhe pak i lëvruar, edhe pse me të janë marrë me sukses që nga Murat e Shadan Toptani, Qenan Mesareja, Vangjush Mio, Abdurrahim Buza, Fadil Pëllumbi, Sadik Kaceli, Andon Kuqali, Dhimitër Mborja, Danish Jukniu, Zef Shoshi, Isuf Sulollari, Agim Zajmi, Lec Shkreli, Ismail Lulani, Skënder Kamberi, Pandi Mele, Qamil Prizreni, Nestor Jonuzi, Edi Hila, Agron Dine, Sadri Ahmeti, Rakip Shabani, Skënder Mihalçka, Besim Golemi, Arben Golemi, Helidon Haliti, Zihni Veshi, Parid Topi, etj. Dhe ndërmjet të tjerve janë edhe punimet e poetëve Lazgush Poradeci dhe Faslli Haliti, që bashkë me të tjerët janë befasi e e bukur artistike.
Organizimi për herë të parë e një ekspozite është pa dyshim një ngjarje e madhe artistike me rëndësi historike, e cila do të lerë gjurmën e vetë akuarelit dhe do të shërbejë edhe si një nxitje për lëvrimin e mëtejshëm të kësaj gjinie. Për nga numri i pjesëmarrësve i artistëve akurelistë me një shtrirje marramendëse nga e gjithë hapësira kulturore botërore Kina Japonia e largët, SHBA e Kanadaja e deri Italia, Serbia, Rusia Anglia etj., etj. dhe vlerat që paraqiten është shumë mbresëlënës dhe një rast mirë ballafaqimi për të kuptuar e shijuar më shumë vlerat e kësaj teknike shumë përgjithësuese.
Akuareli është një pikturë e freskët dhe dallohet për koloret e pastër, të hequra me kujdes, që vihen në dukje nga një dritë e bukur. Karakteristikë kryesore e akuarelit është lehtësia shumë e madhe e paraqitjes së saj shpërthyese që në hedhjet e para. Me të janë kryer vepra me një tejdukshmëri të madhe, kolore të ndjeshëm në një shkrirje të thellë, që shkon deri në fikje e në njësimin me ngjyrën e letrës së bardhë.
Punimet në akuarel u largohen teknikës së pikturës në vaj, ku ngjyra bie, lëshohet e ngjizet mbi ngjyrën e parë, në një proces shndërrimesh të vazhdueshme, deri në kapjen e tonit apo gamës që kërkohet. Akuareli është një trinom i përbashkët ndërmjet bojës, ujit e letrës që krijon një lidhje e ndërfutje tejet të ngushtë dhe të thellë. Në këtë gërshetim magjik, i cili ndodh vetëm në teknikën e akuarelit, shprehet gjithë hijeshia e bukuria e tij mbresëlënëse.
Akuarelin e mban frymëzimi i menjëhershëm, ndaj është kapje me vështrim të parë. Atë që pikturës së vajit i duhen ditë apo edhe muaj, akuareli e kap dhe jep menjëherë. Akuareli është poezi e ngjyrimit, mbahet e formësohet mbi njollën, por ruan virgjërinë e njollës së parë, nuk pranon përlyerjen e mbivendosjen. Kjo virgjëri koloristike krijohet e mbartet emocionalisht në çast nga piktori në një lojë të pafund ujë e ngjyrë, në heqje peneli të kujdesshme, në lëngëzime të befasishme, ku peneli, ngjyra e letra japin e marrin me njera tjetrën në një ngacmim për të lenë gjurmën ndjellëse në letër.
Procesi mendor dhe krijues fillon nga ngacmimi artistik, që vjen nga subjekti apo nënvetëdija e artistit. Artisti merr penelin i lagur me ujë e më pas mbushja e tij në esencën e ngjyrës, i afrohet letrës së bardhë dhe aty lëshon e rrëshqet penelin mbi sipërfaqe për t’u derdhur me të gjithë fuqinë emocionale që grumbullohet e zbrazet njëherazi nga artisti. Atëherë uji bashkë me ngjyrën lodrojnë e krijojnë figura, që vetëm rruga e tyre e pakontrolluar mund ta krijojë, por asgjë nuk është larg vëmendjes së artistit. Artisti nuk i le asgjë rastësisë, në se gjurma që lëshohet nuk është brenda asaj, që ai mendon se do të arrijë, duke dhënë gjithë emocionin e tij krijues. por gjithmonë të drejtuar, nënshtruar dhe drejtuar nga dora e artistit – piktor, “magjistarit”, që si dirigjent orkestre, që drejton, organizon, zbërthen e ndjek veprën në kryqëzimin e rrugës së ujit me bojën, që e mbart mbi vete.
Akuareli është i brishtë, i tejdukshëm, fluid, fshikje, përkëdhelje apo puhizë ere. Ka ëmbëlsinë e së panjohurës dhe enigmën e të papriturës. Me anë të tij shumë piktorë kanë zbuluar format e reja, që formësohen si germa të një alfabeti figurativ për të të çuar në përsosjen e ardhshme të tablosë, duke të mësuar rrugën e shpalosjes të individualitetit krijues.
Tabloja nuk krijohet me goditje peneli, por endet me kujdesin më të madh, si në një rrëshqitje patinatori nën një pistë akulli. Ngjyra arrin të shkrihet deri në nuanca të tilla që vështirë t’i kapë edhe syri më i mprehtë, aq madhe është shkrija e tij në letër, sa në fund njësohet më vetë ngjyrën e vetë letrës.
Edhe pse tejdukshmëria, ngjyrat e freskëta në shpërthimet dhe të papriturat e shumta janë vetitë themelore të akuarelit, por ndërvarja dhe raporti ujë – ngjyrë është tipari teknik. Dhe kjo ndërvarje është një raport pushtimi. Secili prej dy elementëve kërkon sipërfaqen e vet nën rrëshqitjen e penelit. Kush është i zoti do të zerë më shumë vend.
Ujin si lëndë e thjeshtë burimi jetëdhënës i natyrës dhe e vetë qenies njerëzore dhe e gjithë kësaj mrekullie që quhet Tokë, artisti e kthen në mjet pune. Ndërkohë uji bën lojën e tij e hap ngjyrën përtej hedhjes së penelit, duke marrë pjesë në organizimin dhe krijimin e veprës. Atë bashkëveprim që ngjyra e vajit e arrin pas disa seanca krijuese, akuareli e ka të menjëhershëm dhe aty për aty arrin të krijojë improvizime nga më të çuditshmet. Kapja e hedhjeve është një kalamendje frymëzuese jetëplotë në mbushje të papritura kur frymëzimi ngrihet n pikën më të lartë e derdhet artistikish në letër.
Nuk është vendi që ze ngjyra apo uji ajo që përcakton vlerën, por mënyra se si jepet ngjyra nga përzierja e vërshimi i ujit dhe ky i fundit si e shtrin atë, si lindin lëngjet dhe kullimet, format që zbulohen vetvetiu si të pavullnetshme në krijimin e një strukture piktorike, ku dalin e shpalosen vlerat. Artisti udhëheq. Uji e ndihmon, koloret shkrihen, përhumben, flakërohen apo shtrohen nën dhunën e ujit dhe atëhere vjen magjia: çdo element shtrohet e bashkëvepron, gjithçka është nën kontroll. Mjetet japin e marrin me njeri tjetrin. Një përmbytje e madhe mbyt veprën e artit. Nuk është thjeshtë kështu.
Veprohet në gjerësi e në thellësi të tablosë, në planet e dyta apo të treta drejt një emocioni të përgjithshëm. Diku ruhet transparenca, përthyerja e dritës e diku njolla ze sipërfaqe të madhe e peshon me forcën e saj. Diku tjetër futen ujrat që krijojnë rrjedhje mbresëlënëse e më pas sa preket e ciket lehtas sipërfaqja e bardhë në një grumbullim si re në fluturim apo në trazim.
Mbushja e penelit me ujë, më pas me bojë, goditja apo shtrirja e njollës apo gjurmës është mjeshtëri, që kërkon përvojë të gjatë. Këtu qëndron e gjithë forca krijuese. Sa dështime e zhgënjime ka marrë një piktor akuarelist pikërisht nga një mbushje peneli me ujë e bojë, deri sa ka përftuar përvojën e duhur dhe ka mësuar ta ndalë dorën aty ku duhet. Atëherë mund t’i thuash vetes se ke hyrë në botën e madhe të akuarelit, sepse çdo akuarel i ri është një provë e re, që duhet kapur e kaluar me sukses. Ka aq stile në akuarele aq sa akuarelistë ka.
Duke qëndruar para një punimi në akuarel ndjen se si një hedhje emocionale mund të kthehet në ëndërr të shpirtit, që i ngjan preludit të operas, kapriçio magjepse, kalime e mbushje të guximshme, të pamendueshme, intriguese, shpërthyese, që të befasojnë. Kjo magji krijohet thjesht edhe vetëm me një heqje peneli mbi letër e aq, por me një heqje mjeshtërore, që ndrydh e më pas çliron gjithë energjinë e brendshme të artistit.
Natyra, vëzhgimi i saj i thellë për të kapur gjithë nuancat që ajo krijon që nga bryma e mëngjesit, deri në muzgun e mbrëmjes dhe thellësinë e errët të natës, atë lojë kalamendëse që krijon era me retë e lëvizjen e tyre, në fëshfërimën e pemëve, lëvizjen e kafshëve e të njerëzve në mjediset përreth, abstragimet dhe largimet piktorike, të gjitha janë e bëhen pjesë e lojës së akuarelit.
Dhe jo të gjithë e arrijnë gjithmonë. Qëllon dhe pak herë që dështon dhe e hedh letrën me atë që ke bërë mënjanë e rifillon një të ri. Dhe kështu kalohet nga një gjetje e gjendje në një tjetër deri sa emocioni shuhet bashkë me penelin e fundit, lënë si gjurmë mbi letrën e bardhë…
*Studiues arti

Bienalja e Akuarelit ishte a arrire…por mungonin vizitoret…mbase nga frika e terroristeve…