Akullorja nuk është e dëmshme për shëndetin. Ndryshe nga çfarë mendohet shpesh, akullorja e sjell organizmit shumë përfitime, mes të cilave edhe kalciumi dhe vitamina B. Një lajm i mirë edhe për ata që duan ta teprojnë me kaloritë: zgjidhni shijet e frutave dhe mos e teproni në sasi.
Përveçse ushqyese, akullorja mund të konsiderohet një produkt me tregues të ulët glicemik. Kjo do të thotë se nuk shkakton ndryshime të mëdha të glicemisë dhe na bën të ndihemi të ngopur për një kohë më të gjatë. Qelizat përthithin ngadalë glukozën dhe e përdorin për të gjeneruar energji, duke e shndërruar në yndyrna.
Përsa i përket numrit të kalorive, akulloret me fruta kanë diku rreth 150 kcal për 100 gramë, ndërsa ky numër dyfishohet për të njëjtën sasi akulloreje me krem. Megjithatë, në të dy rastet nuk duhen harruar efektet pozitive. Frutat vënë në dispozicion të organizmit antioksidantët, ndërsa akulloret me krem kanë proteina, për shkak të qumështit dhe vezëve në përbërje të tyre. Nuk mungojnë edhe kripërat minerale, yndyrnat lehtësisht të tretshme dhe fosofori, i domosdoshëm për muskujt.
Akullorja është ideale edhe për ata që merren me sport. Përmban ujë në sasi të bollshme, duke zëvendësuar humbjet nga djersa që prodhohet gjatë stërvitjes. Laktoza dhe sakaroza janë të dobishme për metabolizmin e rruazave të kuqe dhe indin nervor.
Disa lloj akulloresh në veçanti, si ajo me lajthi dhe fistik janë të pasura me omega 3 dhe omega 6, acidet yndyrore që luftojnë efektet e plakjes së qelizave.
Gjithashtu, akullorja ka efekt pozitiv edhe te humori. Disa studime të kryera në këtë fushë, si ai i Instituti të Psikiatrisë në Londër, sugjerojnë se konsumimi i akullores shkakton të njëjtin efekt si në rastin kur dëgjojmë me kënaqësi muzikën e preferuar. Secili gjen një motivim psikologjik që prodhon kënaqësi si p.sh.: rikthimi nostalgjik në fëmijëri, lehtësimi i krizës sentimentale, relaks pas një dite të lodhshme etj. Por në çdo rast, përgjigjja emotive nuk mungon dhe kjo vlen për të gjitha shijet: kafe dhe tiramisu për t’u karikuar me energji, qershi dhe fistik për t’u çlodhur dhe çokollatë për të luftuar trishtimin. Një studim i kryer në Universitetin e Amsterdamit ka vërtetuar se konsumimi i një akulloreje të shijshme ndikon në shprehjen e fytyrës, e cila shpreh më shumë lumturi. / Gazmira Sokoli