Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për Shaban Norjen, 81-vjeçarin që pak muaj më parë masakroi 18-vjeçaren shtatzënë, Ajshe Vata.
Në seancën e radhës, prokurori i çështjes ka kërkuar deklarimin fajtor të 81-vjeçarit Shaban Norja dhe dënimin maksimal të tij me burgim të përjetshëm, ndërsa trupi gjykues ka pranuar paraprakisht kërkesën e bërë nga mbrojtja, seancën e kaluar, për gjykim të shkurtuar.
Avokati i Norjes ka kërkuar kohë për të përgatitur mbrojtjen e klientit 81-vjeçar, i cili tashmë është braktisur nga familjarët, për shkak të krimit makabër. Seanca e radhës në Gjykatën e Durrësit pritet të jetë ajo e datës 28 janar.
Shaban Norja vrau më 11 tetor të 2012-s 18-vjeçaren Aishe Vata, me të cilën tha se kishte pasur marrëdhënie intime. Ai pranoi se e kishte kryer krimin, pas kërkesës së vajzës, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tij dhe nuk pranonte të abortonte.