Presidenti i republikës, Bujar Nishani, i është bashkuar sot kërkesës së qeverisë shqiptare drejtuar organeve të drejtësisë ndërkombëtare për të nisur hetimet ndaj ish-prokurores Karla del Ponte, për rolin tendencioz dhe akuzat e pabaza të ngritura ndaj ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.
Sipas Presidencës, hetimi ndaj prokurores Karla del Ponte dhe dalja në pah e së vërtetës në lidhje me çështjen “Haradinaj” i shërben drejtësisë ndërkombëtare në përgjithësi dhe besueshmërisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Ndërkohë, një ditë më parë, qeveria shqiptare i kërkoi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe Gjykatës penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të nisë hetimet për të hedhur më shumë dritë mbi rastin në fjalë.
“Qeveria shqiptare bashkohet plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të prokurores Karla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Ante Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Gjykata e Hagës i shpalli të pafajshëm”, thuhet në një njoftim të shpërndarë nga Kryeministria.