Gjykata e Durrësit ka vendosur burg pa afat për 28-vjeçarin Ardit Hyska, i cili akuzohet për vrasje.
Mediat dhe familjarët nuk u lejuan në seancë për të mos dëmtuar hetimin. Ardit Hyska nuk ka pranuar akuzën për vrasjen e Refik Lilës, 27-vjeçarit i cili u vra me armë zjarri paraditen e të mërkurës në qytetin bregdetar të Durrësit. Mësohet se identifikimi i Hyskës si autor është bërë nga një fëmijë, gjithsesi nga prokuroria pritet që të sillen prova të tjera më të forta.
Ngjarja ndodhi në lagjen 18, mbrapa stadiumit “Niko Dovana” të qytetit, ku i riu Refik Lila ka qenë duke ndenjur në lulishten para bllokut të pallateve në këtë zonë. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes bëjnë të ditur se viktima është konfliktuar me një person që ka qëlluar mbi të, ndërkohë që shërbimet e policisë me të mbërritur në vendin e ngjarjes u vunë në lëvizje për të kapur autorin e ngjarjes. Pas disa orë kërkimesh, në pranga ka përfunduar Ardit Hyska, i cili akuzohet autor i këtij krimi të rëndë. Por ndërkohë bashkëshortja e Hyskës dhe kunati i tij kanë hedhur poshtë akuzën duke deklaruar se ai ka qenë me ta në spital, gjatë kohës që pretendohet të jetë vrarë 27-vjeçari Lila.