Al Bano Karrisi, gjeniu i këngës italiane, rikthehet në Shqipëri

Dita

Është Shoqata Kulturore “Al Bano Karrisi”, që ka ftuar këngëtarin në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë në datën 17 shtator, ditën  e shtunë në orën 18.30. Koncerti organizohet me rastin e  Shenjtërimit të Nënë Terezës, 20  vjetorit të shoqatës si edhe të 27 vjetorit të organizimit të koncertit të parë që dha çifti i këngëtarëve Al Bano & Romina Pouer (17 shtator i vitit 1989)  në Tiranë.

Me këtë rast, ditën e premte në orën 12.00, në bashkinë e qytetit, kryebashkiaku Erion Veliaj, do t’i dorëzojë çelësin e kryeqytetit.

Pritet të bëhen takime edhe me drejtues të lartë të pushtetit, ndërkohë që këngëtari po në këto ditë merr edhe nënshtetësinë shqiptare.

Koncertet dhe vizitat e Al Banos në Shqipëri

– Vizitën e parë këngëtari italian e ka bërë në vjeshtë të vitit 1985, së bashku me prindërit e tij, me insistimin e të atit, Don Karmelo, që në prag të verbimit, kërkoi të shihte për herë të fundit vendin e shqiponjave, për të cilin ruante kujtimet më të bukura, kur kishte qenë ushtar.

–  Për herë të dytë këngëtari erdhi më 17 shtator 1989, për të dhënë koncert në stadiumin “Qemal Stafa” dhe Pallatin e Kongreseve. Ishte i pari këngëtar perëndimor që këndoi ende pa rënë regjimi në Shqipëri.

–  Herën e tretë, i ftuar nga shoqata kulturore, që ka emrin e tij,  më 7 nëntor të vitit 2004, dha koncert në Pallatin e Kongreseve.

–  Për herë të katërt, Al Bano erdhi në Vlorë më 1 maj të vitit 2008, ku bashkë me fansat e tij, festoi 65- vjetorin e lindjes.

 – 8 qershori i vitit 2009, shënon ardhjen e pestë të këngëtarit në Shqipëri. Presidenti i Republikës prof. Bamir Topi i akordoi këngëtarit të famshëm medaljen“Nënë Tereza”.

– Në shtator 2009 dha koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit, me rastin e 20- vjetorit të dhënies së koncertit të parë në Shqipëri. U promovua edhe libri biografik i këngëtarit “Kjo është jeta ime” përkthyer në gjuhën shqipe.

Çfarë ka thënë Al Bano për Shqipërinë:

 -“Dashurinë për popullin shqiptar dhe për atë tokë, ma ka mëkuar im atë, Don Karmelo,qysh kur isha fëmijë. Kur u rrita mësova më shumë, për kulturën e këtij populli të lashtë. Erdha në Shqipëri në momentin e përshtatshëm, kur regjimi po binte dhe pritja e publikut, ishte mahnitëse.

-Nuk e kisha menduar dhe ndjehem kaq i prekur. Kam shumë miq në Shqipëri, ndjehem si në shtëpinë time. Vlerësoj bregdetin shqiptar, kam një dashuri të veçantë për Vlorën, ku dua të vij të pushoj rrethuar nga fansat e mijë. Dëshiroj të ngjitem edhe në Llogara, një perlë e natyrës.

-Vlora, Shqipëria prej kohesh janë në zemrën time. Këtij vendi i uroj begati e përparim,pasi jam i lidhur shpirtërisht me atë popull të lashtë, me të cilin na ndan vetëm deti.

-Pasi iu dorëzua  medalja “Nënë Tereza”, Al Bano, u shpreh: “Për mua është një eveniment shumë i rëndësishëm i jetës sime dekorimi me urdhrin e lartë “Nënë Tereza” nga Presidenti shqiptar Bamir Topi. Të meritosh këtë titull të shenjtë, duhet të mbruhesh me virtytet e kësaj nëne të madhe të Botës, duhet të përcjellësh mirësinë, humanizmin, dashurinë njerëzore, dhimbjen dhe të vihesh në shërbim të njerëzimit. Unë kam shumë medalje dhe disqe ari, që i kam fituar gjatë karrierës sime, por medalja “Nënë Tereza”, rri gjithë kohën mbi zemrën time”.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *