Megjithëse vebabizmi i Arabisë Saudite njihet si frymëzuesi i krijimit të Al Kaidës, kjo e fundit ka kërcënuar me sulme edhe këtë shtet.
Bëhet fjalë për një degë të organizatës në Jemen, e cila ka kërcënuar Arabinë Saudite, pas vendimit të qeverisë së këtij shteti për të kryer një sërë ekzekutimesh ku një pjesë janë anëtarë të Al Kaidës.
Në një deklaratë të postuar në Twitter, Al Kaida në Gadishullin Arabik është zotuar se do të kryejë sulme nëse Arabia Saudite ekzekuton anëtarët e saj. Mediat lokale kanë raportuar se autoritetet saudite planifikojnë të ekzekutojnë mbi 50 veta, të dënuar për “krime terroriste”.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, Arabia Saudite ka ekzekutuar së paku 151 veta këtë vit, shumica e tyre të huaj dhe të dënuar për krime që lidhen me drogën. /Dita/
